Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Franca do të ofrojë kontracepsion falas për gratë nën 25 vjeç

QIKA 14.9.2021

Nga viti i ardhshëm grave të reja franceze do t’u ofrohet kontracepsion falas, ka njoftuar ministri i shëndetësisë Olivier Véran. Ai tha se gratë nën moshën 25 vjeçare nuk do të paguajnë për kontrolle mjekësore, teste ose procedura të tjera mjekësore që lidhen me kontrollin e lindjeve.

“Kjo do të mbulojë kontracepsionin hormonal, testet biologjike që vijnë me të, përshkrimin e kontracepsionit dhe të gjithë kujdesin që lidhet me këtë kontracepsion deri në moshën 25 vjeç”, tha ministri në një intervistë për France 2.

“Ka një rënie në përdorimin e kontracepsionit tek një numër i caktuar i grave të reja dhe arsyeja kryesore për këtë është financiare. Kushton shumë. Është e papranueshme që gratë nuk mund të kenë kontracepsion, sepse ato nuk mund ta përballojnë atë financiarisht”, shtoi Veran.

I pyetur se pse qeveria kishte zgjedhur moshën 25 vjeç si kufizim, Véran arsyetoi se kjo moshë korrespondonte me më shumë autonomi dhe sepse në moshën 25 vjeç nuk ishin më të mbuluara nga sigurimi shëndetësor plotësues i prindërve të tyre.

Kontracepsioni në Francë ka qenë falas për vajzat e moshës 15 deri në 18 vjeç që nga viti 2013 dhe për nën 15 vjeç që nga gushti i vitit 2020. Kjo ka çuar në një rënie të numrit të aborteve.