Javën e kaluar, Instituti GAP ka publikuar raportin “Institucionet e kujdesit në Kosovë: Kapacitetet dhe shpërndarja gjeografike në kontekstin e punësimit të grave”, sipas të cilit infrastruktura aktuale e kujdesit në Kosovë nuk përputhet me nevojat demografike. Raporti evidenton mungesën dhe shpërndarjen e pabarabartë të institucioneve të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, duke theksuar se këto mangësi rëndojnë veçanërisht mbi gratë, të cilat vazhdojnë të mbajnë përgjegjësinë kryesore për punën e papaguar të kujdesit.
Sipas raportit, në vitin 2024, rreth 74% e grave në moshë pune në Kosovë ishin ekonomikisht joaktive. Pjesëmarrja e ulët e grave në tregun e punës ndërlidhet me një sërë faktorësh, përfshirë normat shoqërore dhe tradicionale që ua ngarkojnë grave përgjegjësitë familjare, mungesën e shërbimeve të përballueshme të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, si dhe qasjen e kufizuar në transport dhe politikat e punësimit të favorshme për familjen.
Të dhënat e raportit tregojnë se në Kosovë janë gjithsej 278 institucione parashkollore të regjistruara, prej të cilave 99 janë publike, 166 private dhe 13 publiko-private ose me bazë në komunitet. Megjithatë, rreth 81% e këtyre institucioneve ndodhen në zonat urbane, ndërsa vetëm 19% në zonat rurale. Kjo shpërndarje e pabarabartë kufizon qasjen në shërbime të kujdesit për familjet që jetojnë jashtë qendrave urbane.
Përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm mbetet gjithashtu e ulët. Sipas të dhënave për vitin shkollor 2024/2025, vetëm 26% e fëmijëve nën moshën gjashtëvjeçare ishin të regjistruar në arsimin parashkollor dhe parafillor. Situata është edhe më shqetësuese për fëmijët e moshës 0-4 vjeç, ku shkalla e regjistrimit ishte vetëm13%.
Dallimet ndërmjet komunave janë të theksuara. Prishtina ka shkallën më të lartë të përfshirjes së fëmijëve nën gjashtë vjeç në arsimin parashkollor dhe parafillor, me 41%, e ndjekur nga Gjilani dhe Peja me nga 31% dhe Gjakova me 29%. Në anën tjetër, Dragashi ka shkallën më të ulët të regjistrimit, me vetëm 11%, ndërsa Obiliqi me 15%.
Raporti evidenton se shumica e komunave kanë më pak se dy institucione parashkollore për 1,000 fëmijë, ndërsa dhjetë komuna kanë vetëm një ose më pak. Prishtina ka 5.2 institucione për 1,000 fëmijë, ndërsa Kaçaniku dhe Klina kanë nga 0.4, Dragashi dhe Malisheva nga 0.5 dhe Skenderaj 0.6. Për më tepër, shumë vendbanime rurale nuk kanë asnjë institucion parashkollor, pavarësisht numrit të konsiderueshëm të fëmijëve që jetojnë në to.
Mungesa e institucioneve të kujdesit vërehet edhe te shërbimet për të moshuarit. Në Kosovë jetojnë 177,915 persona mbi moshën 65-vjeçare, të cilët përbëjnë rreth 11% të popullsisë. Megjithatë, në 27 komunat e përfshira në analizë funksionojnë vetëm 15 institucione publike dhe qendra me bazë në komunitet për të moshuarit, prej të cilave tetë janë institucione rezidenciale dhe shtatë qendra të kujdesit ditor.
Këto institucione janë të shpërndara në vetëm nëntë komuna. Prishtina ka pesë institucione dhe qendra të kujdesit për të moshuarit, ndërsa Suhareka tri. Ndërkohë, komuna me numër të madh të të moshuarve, si Peja, Gjakova, Mitrovica e Jugut, Podujeva dhe Vushtrria, nuk kanë asnjë qendër publike të kujdesit për këtë kategori. Sipas raportit, mungesa e shërbimeve formale të kujdesit bën që përgjegjësitë të mbeten kryesisht te familjet dhe në mënyrë joproporcionale te gratë.
Raporti identifikon gjithashtu një ndërlidhje ndërmjet disponueshmërisë së institucioneve parashkollore dhe pjesëmarrjes së grave në tregun e punës. Në komunat ku ka më shumë institucione parashkollore në raport me numrin e fëmijëve, gratë priren të kenë shkallë më të ulët të joaktivitetit dhe papunësisë. Për shembull, në Prishtinë, ku ka 5.2 institucione parashkollore për 1,000 fëmijë, shkalla e joaktivitetit të grave është 46.1%, ndërsa papunësia 7.2%. Në Dragash, ku ka vetëm 0.5 institucione për 1,000 fëmijë, joaktiviteti i grave arrin në 85.2%, ndërsa papunësia në 52.3%. Megjithatë, raporti sqaron se kjo ndërlidhje nuk nënkupton domosdoshmërisht një marrëdhënie shkak-pasojë, pasi në punësimin e grave ndikojnë edhe faktorë të tjerë ekonomikë dhe shoqërorë.
Përgjegjësitë e papaguara të kujdesit vazhdojnë të jenë të shpërndara në mënyrë të pabarabartë ndërmjet grave dhe burrave. Sipas të dhënave në raport, gratë në Kosovë shpenzojnë rreth 6 orë në ditë në punë të papaguar, krahasuar me 3.5 orë që shpenzojnë burrat. Vlera ekonomike e kësaj pune vlerësohet në rreth 2.8 miliardë euro, apo 33% të Bruto Produktit Vendor. Këto përgjegjësi, të kombinuara me mungesën e institucioneve të kujdesit, kufizojnë mundësitë e grave për të hyrë dhe për të qëndruar në tregun e punës.
Në fund, Instituti GAP rekomandon zgjerimin e institucioneve parashkollore, veçanërisht në komunat dhe vendbanimet rurale ku shërbimet janë të kufizuara, duke i orientuar investimet sipas nevojave demografike. Raporti rekomandon gjithashtu hapjen e qendrave të reja të kujdesit ditor për të moshuarit, zgjerimin e shërbimeve të kujdesit në shtëpi dhe rishikimin e kritereve të regjistrimit në institucionet publike parashkollore, në mënyrë që fëmijët e prindërve të papunë të mos penalizohen. Në nivel qendror, kërkohet hartimi i politikave familjare të përgjegjshme ndaj perspektivës gjinore, subvencionimi i kujdesit për fëmijët e grave që punësohen për herë të parë, si dhe përmirësimi dhe subvencionimi i transportit në zonat rurale. Sipas raportit, zgjerimi i shërbimeve të kujdesit duhet të trajtohet jo vetëm si politikë sociale, por edhe si investim për rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Lexoni raportin e plotë këtu.