Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gati gjysmës së grave u mohohet autonomia e tyre trupore

QIKA 15.4.2021

Sipas raportit “State of World Population” të UNFPA-së, gati gjysmës së grave në 57 shtete në zhvillim u është mohuar e drejta për të vendosur nëse duan të kryejnë marrëdhënie seksuale me partnerët e tyre, të përdorin kontraceptivë apo do të kërkojnë kujdes shëndetësor.

Për herë të parë, një raport i Kombeve të Bashkuara përqendrohet në autonominë trupore: fuqinë dhe mundësinë e grave për të bërë zgjedhje në lidhje me trupin e vet, pa pasur frikë nga dhuna. Përtej dëmtimeve të thella për gratë dhe vajzat në nivele individuale, kjo mungesë e autonomisë trupore ka implikime masive: ulje të produktivitetit ekonomik, aftësi më të ulëta dhe kosto shtesë për shërbime shëndetësore e gjyqësore.

Përmes këtij raporti, UNFPA po vlerëson fuqinë e grave për të marrë vendimet e tyre në lidhje me trupat e tyre dhe shkallën në të cilën ligjet e vendeve mbështesin ose ndërhyjnë në të drejtën e një gruaje për të marrë këto vendime. Të dhënat tregojnë një lidhje të fortë midis fuqisë vendimmarrëse dhe niveleve më të larta të arsimit.

Raporti tregon se:

Vetëm 55% e grave janë plotësisht të fuqizuara për të bërë zgjedhje mbi kujdesin shëndetësor, kontracepsionin dhe aftësinë për t’i thënë po ose jo seksit.

Vetëm 71% e vendeve garantojnë qasje në kujdesin e përgjithshëm të maternitetit.

Vetëm 75% e vendeve ligjërisht sigurojnë qasje të plotë dhe të barabartë në kontracepsion.

Vetëm rreth 80% e vendeve kanë ligje që mbështesin shëndetin dhe mirëqenien seksuale.

Vetëm rreth 56% e vendeve kanë ligje dhe politika që mbështesin edukimin seksual gjithëpërfshirës.

“Fakti që gati gjysma e grave ende nuk mund të marrin vendime në lidhje me marrëdhëniet seksuale, përdorimin e kontraceptivëve apo me kërkimin e kujdesit shëndetësor duhet të na zemërojë të gjithëve,” thotë Drejtorja Ekzekutive e UNFPA Natalia Kanem. “Në parim, qindra miliona gra dhe vajza nuk zotërojnë trupat e tyre. Jetët e tyre drejtohen nga të tjerët”, shton ajo.

Raporti gjithashtu dokumenton shumë mënyra të tjera përmes të cilave cenohet autonomia trupore e grave, burrave, vajzave dhe djemve:

20 vende apo territore kanë ligje “martohu me përdhunuesin tënd”, ku një burrë mund t’i shpëtojë ndjekjes penale nëse martohet me gruan ose vajzën që ka përdhunuar.

43 vende nuk kanë legjislacion që adreson çështjen e përdhunimit martesor (përdhunimi nga bashkëshorti).

Më shumë se 30 vende kufizojnë të drejtën e grave për të lëvizur jashtë shtëpisë.

Vajzat dhe djemtë me aftësi të kufizuara kanë gati tre herë më shumë gjasa të jenë subjekt i dhunës seksuale, ku edhe këtu vajzat janë në rrezik më të madh.

Raporti tregon se si përpjekjet për të adresuar abuzimet mund të çojnë në shkelje të mëtejshme të autonomisë trupore. Për shembull, për të ndjekur penalisht një rast të përdhunimit, një sistem i drejtësisë penale mund të kërkojë që një i mbijetuar t’i nënshtrohet një të ashtuquajture “provë virgjërie”. Raporti thotë se zgjidhjet reale duhet të marrin parasysh nevojat dhe përvojat e të prekurve. Për shembull, në Mongoli, personat me aftësi të kufizuara u organizuan për t’i dhënë qeverisë kontribut të drejtpërdrejtë për nevojat e tyre shëndetësore seksuale dhe riprodhuese. Në Angola, të rinjtë e arsimuar në lidhje me trupin, shëndetin dhe të drejtat e tyre kanë qenë në gjendje të kërkojnë kujdes shëndetësor, të përdorin planifikimin familjar, të heqin dorë nga seksi dhe të bëjnë kërkesë për drejtësi pas dhunës seksuale.

“Mohimi i autonomisë trupore është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut për gratë dhe vajzat. Kjo shkelje forcon pabarazitë dhe përjetëson dhunën që vjen nga diskriminimi gjinor”, thotë Kanem. “Nuk është asgjë më pak se një asgjësim i shpirtit dhe kjo duhet të ndalet”, shton ajo.

“Në anën tjetër,” thotë  Kanem, “një grua që ka kontroll mbi trupin e saj ka më shumë të ngjarë të fuqizohet në sfera të tjera të jetës së saj. Ajo fiton jo vetëm për sa i përket autonomisë, por edhe përmes përparimeve në shëndetësi dhe arsim, të ardhura dhe siguri. Ajo dhe familja e saj kanë më shumë të ngjarë të përparojnë.”