Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjobat ndaj Koalicionit për Familje arrijnë vlerën prej 16,500 eurosh

QIKA 30.1.2025

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka shqiptuar gjobën e tretë Koalicionit për Familje dhe shumën e përgjithshme e gjobave ka arritur në 16.500 euro – për deklaratat homofobike gjatë fushatës zgjedhore.

Të martën, PZAP-ja ka shqiptuar gjobën e tretë ndaj Eman Rrahmanit, Laureta Rexha, Asdren Bytyqit, Jeton Haxhimustafa, Ferid Aganit, Fatmir Smajlit dhe Visar Korenica në vlerë prej 7.000 eurosh.

Të tri gjobat janë shqiptuar pas ankesave të organizatave jo-qeveritare CEL Kosova dhe Dylberizm për nxitje të urrejtjes nga ky koalicion ndaj personave LGBTIQ+. “Rritet fatura e homofobisë”, kanë shkruar këto organizata pas pranimit të vendimit nga PZAP.

Kujtojmë se paraprakisht, PZAP shqiptoi gjobë me vlerë 5.000 euro më 25 janar, ndërsa më 22 janar gjobiti përsëri Koalicionin për Familje me 4.500 euro.

Në vendimin e nxjerrë me datë 28.01.2025, me panelin e përbërë nga gjyqtarët: Violeta Husaj Rugova kryesuese, Kujtim Pasuli dhe Ramush Bardiqi anëtarë, konstatohet se:

“…gjuha e përdorur nga subjektit politik Koalicioni për Familjen, përkatësisht, nga kandidatët për deputet të këtij subjekti, ndaj LGBTI+ në rrjetin social Facebook, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, përkatësisht, me dispozitat e nenit 34 paragrafi 1, pika 1.11, të L.ZP-së, ku janë të përcaktuara veprimet e ndaluara të subjekteve politike. Në këtë rast është marrë për baze konteksti dhe qëllimi për të cilin është përdorur gjuha ndaj një komuniteti, faktin qe deklaratat janë publikuar ne rrjetin social Facebook, prandaj sipas Panelit, përdorimi i gjuhës së tillë ka për qëllim ofendimin, denigrimin dhe njëherit shihen si shprehje me ngjyrime përçmuese ose nënvlerësuese.”

Në të tre vendimet e gjobitjeve, gjyqtarët që ishin anëtarë të paneleve të cilat vendosën mbi ankesat, konstatuan se deklaratat e kandidatëve për deputetë të Koalicionit për Familje janë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet, Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike, etikën e zgjedhjeve dhe standardet e mirësjelljes. “Në arsyetimin e këtyre vendimeve thuhet Paneli ka identifikuar përdorim të gjuhës fyese, denigruese dhe se deklaratat e Koalicionit për Familje përmbajnë nxitje të urrejtjes ndaj personave LGBTI+, si dhe cenim të të drejtave LGBTI+. Sjelljet e tilla, sipas PZAP-së, minojnë procesin demokratik dhe promovimin e zgjedhjeve të lira e të drejta”, shkroi Dylberizm.

Vendimin e plotë e gjeni këtu.