Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se dy ish-kandidateve për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Tinka Kurti dhe Drita Millaku, në zgjedhjet e 2019, u ishin shkelur të drejtat dhe janë diskriminuar në bazë të gjinisë sepse ato nuk ishin lejuar të bëheshin deputete për të zëvendësuar deputetët që ishin emëruar në poste ministrore apo komunale.
Gjykata Kushtetuese, në formë të shkurtër ka publikuar vendimin e fundit lidhur me këtë çështje, me ç’rast ka vendosur në favor të Kurtit e Millakut.
Vendimi në formë të shkurtër i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata konstatoi se, parashtruesja Tinka Kurti është diskriminuar në bazë të gjinisë në lidhje me të drejtën e saj për t’u zgjedhur, në momentin kur edhe përkundër përmbushjes së kuotës minimale 30% përmes rezultatit zgjedhor në kuadër të subjektit politik LVV, në momentin kur u krijua mundësia e zëvendësimit të deputetëve, e njëjta edhe pse kishte më shumë vota se kandidatët burra për deputetë Fitim Haziri dhe Eman Rrahmani, nuk iu mundësua që të bëhej deputete.
Më tutje, Gjykata gjithashtu konstatoi se, parashtruesja Drita Millaku është diskriminuar në bazë të gjinisë në lidhje me të drejtën e saj për t’u zgjedhur, në momentin kur edhe përkundër përmbushjes së kuotës minimale 30% nëpërmjet rezultatit zgjedhor në kuadër të subjektit politik LVV, në momentin kur u krijua mundësia për zëvendësimet e ardhshme të deputeteve, përkatësisht kur dha dorëheqje deputeti Shpejtim Bulliqi, në vend të tij, në bazë të përcaktimit për zëvendësim në kuadër të gjinisë së njëjtë, më 18 dhjetor 2020, mandat deputeti mori kandidati Taulant Kryeziu me 6968 vota.
Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi që: Aktvendimi [AA. nr. 4/2020] i 19 shkurtit 2020, i Gjykatës Supreme; Aktvendimi [AA. nr. 3/2020] i 19 shkurtit 2020, i Gjykatës Supreme; Vendimi i PZAP [Anr. 35/2020] i 13 shkurtit 2020; Vendimi i PZAP [Anr. 36/2020] i 13 shkurtit 2020; si dhe pika 5 e Vendimit të KQZ [nr. 102/A-2020] i 7 shkurtit 2020, janë në kundërshtim me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 3 (E Drejta për Zgjedhje të Lira) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ.