Pas një procesi të gjatë e të mundimshëm ligjor, një gjykatë në Pekin ka lejuar që Didi, një grua 42 vjeçare, të takoj vajzën që e lindi në vitin 2017 brenda një martese homoseksuale.
Ndonëse martesat brenda seksit të njejtë nuk njihen ligjërisht në Kinë, kjo ngjarje nga aktivistët/et për të drejta të njeriut po cilësohet si hap historik meqë është hera e parë që një gjykatë në Kinë ka pranuar se një fëmijë mund të ketë dy nëna të ligjshme.
Didi (emër i koduar për shkak të mbrojtjes së privatësisë) ishte martuar me një grua në SHBA në vitin 2016, dhe po këtë vit ato i ishin nënshtruar trajtimit IVF përmes qelizave spermatozoide të dhuruara që u implantuan tek të dy gratë. Në vitin 2017, Didi lindi një vajzë dhe gruaja e saj një djalë. Të dy fëmijët janë të lidhur gjenetikisht vetëm me ish-gruan e Didit.
Ato ishin ndarë në vitin 2019 dhe ish-gruaja e Didit i kishte marrë dy fëmijët dhe ishte larguar çka e detyroi atë që ta padiste për kujdestari ligjore. Kjo u bë padia e parë e kujdestarisë brenda një çifti te të njëjtit seks në Kinë, shkruan The Guardian.
Për shkak se Didi lindi vajzën e saj, pavarësisht se nuk kishte lidhje gjenetike me të, ajo udhëtoi muajin e kaluar për në Pekin për vizitë, megjithatë, asaj nuk i është lejuar takimi me djalin e saj, vëllain e vajzës, të cilin e ka lindur ish-gruaja e saj.
“Ligji kinez shmang marrëdhëniet homoseksuale dhe nuk përcakton qartë të drejtat e çifteve të të njëjtit seks”, tha Gao Mingyue, avokati i Didit.
Pas braktisjes së politikës që një familje të ketë vetëm një fëmijë, tani Kina është më e prirur që të mbroj të drejtat e fëmijëve të lindur jashtë martese, duke përfshirë familjet LGBTQ+ dhe prindërit e vetëm, shtoi Mingyue, teksa tha se pavarësisht kësaj për vet çiftet homoseksuale mungesa e mbrojtjes ligjore vazhdon të jetë shumë sfiduese.
Një sondazh i publikuar në korrik nga Instituti Williams në UCLA zbuloi se nga 3000 të anketuarit, 85% kishin qëndrime favorizuese ndaj idesë së prindërve të njëjtit seks. Gati 90% e mbështetën idenë e martesës brenda të njëjtit seks. Në shoqërinë kineze gjithnjë e më tolerante ndaj personave LGBTQI+, edhe ligji duhet të arrijë hapin, tha një aktivist për The Guardian.