Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata Supreme e SHBA-ve i lejon Trump-it zbatimin e ndalimit për pjesëmarrjen e personave transgjinorë në ushtri

QIKA 7.5.2025

Gjykata e Supreme e SHBA-ve lejoi përkohësisht Presidentin Donald Trump të zbatojë ndalimin e tij për pjesëmarrjen e personave transgjinorë që shërbejnë në ushtri, përderisa sfidat ligjore ndaj kësaj politike vazhdojnë.

Menjëherë pas marrjes së detyrës në janar, Trump nënshkroi një palë urdhra ekzekutivë që i mundësuan Pentagonit të zbatojë këtë ndalim.

Por një gjykatë më e ulët federale e bllokoi politikën në mars, duke vendosur se administrata nuk kishte ofruar prova që tregojnë se ushtarët transgjinorë përbëjnë kërcënim për efektshmërinë ushtarake.

Urdhri ekzekutiv i Trump deklaronte se identifikimi si person transgjinor “bie ndesh me përkushtimin e një ushtari ndaj një jete të ndershme, të vërtetë dhe të disiplinuar” dhe do të dëmtonte gatishmërinë ushtarake.

Në shkurt, Departamenti i Mbrojtjes njoftoi se do të fillonte largimin nga ushtria të personelit transgjinor që është aktualisht në shërbim.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme është një goditje shkatërruese për pjesëtarët transgjinorë të ushtrisë që kanë dëshmuar aftësitë dhe përkushtimin e tyre ndaj mbrojtjes së vendit tonë”, thanë në një deklaratë të përbashkët organizatat Lambda Legal dhe Human Rights Campaign Foundation, të cilat përfaqësojnë paditësit.

“Duke lejuar që ky ndalim diskriminues të hyjë në fuqi përderisa sfida jonë vazhdon, Gjykata ka miratuar përkohësisht një politikë që nuk ka asnjë lidhje me gatishmërinë ushtarake por gjithçka të bëjë me paragjykimin”, thuhet në deklaratë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e quajti vendimin “një tjetër fitore madhore në Gjykatën Supreme”.

Në fillim të mandatit të tij të dytë, Trump ndërmori një sërë veprimesh që kanë ndikuar ndjeshëm personat transgjinorë, identiteti gjinor i të cilëve nuk përputhet me gjininë e caktuar në lindje.

Ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që deklaron se SHBA do të njohë vetëm dy gjini, burrë dhe grua. Ky urdhër ka pasur pasoja të gjera për transgjinorët që jetojnë në Amerikë, veçanërisht për ata që kërkojnë të pajisen me dokumente zyrtare.

Administrata ka shtyrë gjithashtu politika për të kufizuar disa lloje kujdesi shëndetësor për të miturit që identifikohen si transgjinorë dhe për të ndaluar gratë transgjinore të marrin pjesë në ekipe sportive për gra.