Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjysma e grave shkencëtare në botë kanë përjetuar ngacmim seksual

QIKA 17.3.2023

Sipas një sondazhi të publikuar nga kompania Isos, gjysma e grave shkencëtare në mbarë botën kanë qenë viktimë e ngacmimeve seksuale në vendin e punës në një moment gjatë karrierës së tyre.

Në sondazhin i cili përfshiu më shumë se 5,000 shkencëtare në 117 vende, 49% e të intervistuarave raportuan se kishin përjetuar të paktën një situatë ngacmimi, ku për 65% nga to, ngacmimi kishte pasur një ndikim negativ në karrierën e tyre. Vetëm një në pesë viktima kishte raportuar ngacmimin në institucionin e tyre të punës.

Të anketuarat në pyetësor kanë punuar në fusha duke përfshirë shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën. Një e katërta e të anketuarave thanë se kishin qenë në një situatë ku dikush në mënyrë të papërshtatshme dhe të përsëritur iu ishte referuar si “kukull, vogëlushe ose zogëz”. Ndërkaq, 24% thanë se u ishin bërë pyetje intime në lidhje me jetën e tyre private ose seksuale.

Shumica e ngacmimeve u raportuan të kenë ndodhur në fillimin e karrierës së viktimave. Rreth gjysma e tyre thanë se kishin shmangur disa anëtarë të stafit në organizatat e tyre, ndërsa një në pesë thanë se ishin ndjerë të pasigurta në vendin e tyre të punës.

“Ky sondazh konfirmon se shkenca nuk ka kaluar mjaftueshëm revolucion që nga lëvizja MeToo”, tha Alexandra Palt nga Fondacioni L’Oreal qe mbështeti këtë hulumtim.

Fondacioni, i cili punon me UNESCO-n për të mbështetur gratë shkencëtare, u bëri thirrje institucioneve akademike dhe kërkimore që të miratojnë politika me zero tolerance në lidhje me ngacmimin dhe të ndërmarrin ndryshime buxhetore për të adresuar problemin.

“Duhet të ekzistojë një sistem raportimi i brendshëm efektiv dhe transparent. Nëse duam të shfrytëzojmë plotësisht potencialin e grave në shkencë, ato duhet të ndihen të sigurta”, shtoi Palt.