Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Glasgow do të bëhet qyteti i parë feminist në Mbretërinë e Bashkuar

QIKA 21.11.2022

Më 27 tetor, Këshilli i Qytetit të Glasgow mbështeti njëzëri një mocion që thotë se gratë duhet të jenë në qendër të planifikimit të qytetit, duke u bërë qyteti i parë në Mbretërinë e Bashkuar që përqafon “urbanizmin feminist”.

Urbanizmi feminist mbron një lloj planifikimi urban që promovon gjithëpërfshirjen dhe vendos nevojat e grave dhe personave jobinarë në ballë të mënyrës se si ne mendojmë për peizazhin urban. Sepse ndoshta çuditërisht qytetet tona janë larg të qenit neutral ndaj gjinisë.

Studiuesit e urbanizmit feminist argumentojnë se burrat kanë qenë historikisht përgjegjës për projektimin e qyteteve ku jetojmë dhe ata e bënë këtë duke menduar për nevojat dhe zakonet e tyre, shpesh duke anashkaluar çështjet e sigurisë dhe qasjes që prekin gratë dhe pakicat seksuale e gjinore.

Qytetet që ne banojmë dhe hapësirat brenda tyre përjetohen në mënyra të ndryshme nga të gjithë ne, me faktorë si identiteti gjinor, prejardhja, përkatësia etnike dhe mosha që luajnë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si lëvizim nëpër peizazhin urban. Një burrë i bardhë heteroseksual, një adoleshent i zi homoseksual ose një grua 80-vjeçare e klasës së mesme me aftësi të kufizuara, të gjithë do ta përjetojnë qytetin në mënyra të ndryshme.

“Këshilli i Glasgow vëren se një qasje neutrale gjinore ndaj zhvillimit të qytetit nuk funksionon, se gratë dhe njerëzit e gjinive të margjinalizuara kanë nevoja të ndryshme që aktualisht nuk reflektohen në praktikë dhe se nevojitet një qasje ndërsektoriale, gjithëpërfshirëse dhe miqësore me klimën”, tha këshilltarja e Glasgow, Green Holly Bruce, e cila shtyu përpara mocionin në qytetin skocez.

Këshilli i Glasgow ka vendosur të konsultohet me publikun përpara se të ecë përpara me ndonjë ndryshim, duke pyetur qytetarët se çfarë masash do të donin të shihnin në qytetet e tyre. “Mund të them se do të doja trotuare më të gjera dhe më shumë ndriçim rrugor, por unë jam një grua e bardhë dhe cis, kështu që nuk e di se çfarë nevoja kanë të gjithë”, shtoi ajo.