Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë abuzohen seksualisht në burgjet e Indisë

QIKA 22.3.2024

Gratë në burgjet e Indisë abuzohen seksualisht nga të burgosurit burra dhe shpesh këto abuzime kanë rezultuar me shtatëzani dhe lindje brenda burgut, raporton Tapas Kumar Bhanja, avokati i cili ka hulumtuar mbi kushtet në burgjet e mbipopulluara të Bengalit Perëndimor që në vitin 1990.

Bengali Perëndimor ka vetëm një burg ekskluzivisht për gratë dhe njihet si shtëpi korrektuese, teksa rreth 1,885 të burgosura gra në mbarë vendin mbahen në burgjet e dedikuara për burra, ku të burgosurit e pasur dhe të pushtetshëm përmes ryshfetit arrijnë të kenë qasje në zonat ku janë të vendosura gratë. Abuzimi fillon në ditën që gratë dërgohen në burg, sipas Bhanja, meqë ato detyrohen të kalojnë nëpër repartet e burrave për të hyrë në dhomat e tyre.

Ndonjëherë abuzimi fillon edhe më herët dëshmoi avokati, teksa ndau historinë e një gruaje të burgosur e cila ishte 13 vjeçare kur familja e pasur për të cilën punonte si ndihmëse shtëpiake e raportoi në polici, duke pretenduar se kishte vjedhur. Teksa po kthehej nga gjykata asaj ia kishin lidhur gojën dhe e kishin përdhunuar dy zyrtarët e policisë dhe shoferi i furgonit. Tetë muaj më vonë, ajo kishte lindur një vajzë.

Pallabi Ghosh, themeluesja e shoqatës kundër trafikimit Impact and Dialogue Foundation, thotë se dhuna seksuale ndaj të burgosurve gra është shumë e zakonshme.

Gjetjet të cilat u prezantuan në shkurt të këtij viti dëshmojnë se gratë e burgosura mbesin shtatzënë gjatë paraburgimit dhe lindnin në burg, pavarësisht se ligjërisht nuk lejohen vizitat bashkëshortore të të burgosurve. “Në janar kishte 196 fëmijë që jetonin me nënat e tyre të burgosura nëpër burgjet e Bengalit Perëndimor”, tha Tapas Kumar Bhanja.

Qeveria ka refuzuar të gjeturat e raportit duke e përshkruar raportin si të fryrë, raporton The Guardian.

Bhanja thotë se autoritetet refuzojnë të pranojnë që sistemi i burgjeve mundëson abuzimin seksual. “Shumë njerëz do të dalin të përfshirë nëse këto abuzime zbulohen. Stafi i burgut merr shumta shuma të mëdha parash nga të burgosurit që sulmojnë seksualisht gratë”.