Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë e rrëmbyera në zonat e konfliktit në Sudan po mbahen në kushte skllavërie

QIKA 22.11.2023

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut (OHCHR) shprehu shqetësimin lidhur me raportimet se gratë e vajzat në Sudan po rrëmbehen, lidhen me zinxhirë dhe po mbahen në kushte çnjerëzore, e degraduese të ngjashme me skllevërit në zonat e kontrolluara nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në Darfur.

Raporti vjen pas rritjes së ashpër të luftimeve midis Forcave të Armatosura të Qeverisë së Sudanit (SAF) dhe RSF-së, në luftën civile që ka filluar 6 muaj më parë. Mijëra njerëz kanë vdekur, 5.7 milionë janë zhvendosur dhe rreth 25 milionë të tjerë po mbështeten në ndonjë formë të ndihmës humanitare.

Të mbijetuarit, dëshmitarët dhe burime të tjera kanë raportuar se mbi 20 gra dhe vajza janë rrëmbyer, por numri mund të jetë më i lartë, tha zëdhënësja e OHCHR Liz Throssell. “Disa burime kanë raportuar se kanë parë gra dhe vajza të lidhura me zinxhirë në kamionë dhe në makina,” tha ajo.

Në fillim të nëntorit më shumë se 50 incidente të dhunës seksuale janë raportuar në zyrën e përbashkët OHCHR-UNITAMS (misioni i ndihmës së OKB-së) në Sudan, duke prekur të paktën 105 viktima – 86 gra, 1 burrë dhe 18 fëmijë. Njëzet e tre nga incidentet përfshinin përdhunim, 26 ishin përdhunim në grup dhe tre ishin përdhunim në tentativë, raporton UN Neës.

Throssell bëri thirrje për lirimin urgjent të grave dhe vajzave të rrëmbyera dhe për përgjegjësinë e autorëve. Ajo përsëriti thirrjet e Komisionerit të Lartë Volker Türk drejtuar zyrtarëve të lartë të grupeve të armatosura për të zbatuar zero tolerancë ndaj dhunës seksuale.

Misioni UNITAMS u bëri thirrje të gjitha palëve ndërluftuese që të respektojnë ligjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të sigurojnë mbrojtjen e civilëve, duke i lejuar ata të largohen të sigurtë nga zonat e prekura nga konflikti.