Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë e zeza janë të nën paguara në punët më të vështira të kujdesit shëndetësor

QIKA 1.3.2022

Gratë e zeza punojnë më shumë se çdo grup tjetër demografik në punët e kujdesit shëndetësor, por megjithatë janë të nën paguara. Kjo për arsye të pabarazive të racizmit strukturor dhe seksizmit.

Një studim i publikuar këtë muaj në revistën Health Affairs, zbulon se gratë e zeza përbëjnë pothuajse 7% të fuqisë punëtore në SHBA, ndërsa 14% të fuqisë punëtore të kujdesit shëndetësor. Në këtë sektor, gratë e zeza punojnë me orë të gjata, me ç’rast aktualisht përbëjnë 23% të fuqisë punëtore, ndërsa 25% e tyre punojnë si infermiere ose ndihmëse praktike të licencuara.

Analiza studimore tregon se gratë e zeza kanë një probabilitet më të lartë për të punuar në sektorin e kujdesit shëndetësor (23%) krahasuar me gratë e bardha, hispanike, aziatike apo ato të ndonjë race apo etnie tjetër. Ndërsa, vetëm 4-8% e burrave punojnë në sektorin e kujdesit shëndetësor, raporton The Washtingon Post.

Puna në sektorin e kujdesit shëndetësor ka rreziqet e veta, me ç’rast punëtorët lëndohen në vendin e punës në shkallë të lartë si dhe përjetojnë më shumë stres. Por, për gratë e zeza rreziku është edhe më i madh, duke qenë se ato punojnë në shtëpi pleqsh dhe mjedise të tjera të kujdesit afatgjatë duke bërë kështu që ato të jenë të ekspozuara ndaj lëndimeve ose infeksioneve.

Sipas Institutit Para Profesional të Kujdesit Shëndetësor, gratë e zeza kryejnë punën më të madhe por nuk paguhen mirë. Në vitin 2019, paga për gratë që punonin në kujdesin shëndetësor në shtëpi ishte $12,12 në orë, për asistentet e infermierisë $12,69 dhe për asistentet e infermierisë në shtëpitë e pleqve $13,90.