Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë gjermane refuzuan të veshin kostumin tradicional të gjimnastikës

QIKA 28.7.2021

Gratë gjermane u dalluan këtë vit nga konkurrentët e tjerë të Lojërave Olimpike të Tokios në kategorinë e gjimnastikës, duke refuzuar të veshin kostumin tradicional në mënyrë që të kundërshtojnë  seksualizimin e trupit në sport.

Ato refuzuan të veshin leotards, kostum ky i paraparë për gjimnastikë dhe në vend të saj veshën unitards, kostume të gjata. Elisabeth Seitz, lojtarja e ekipit gjerman tha se gratë dhe çdo kush tjetër ka të drejtën për të vendosur se çfarë duhet të veshin.

Përderisa gjimnastët burra mund të veshin pantallona të shkurtra ose të gjatë varësisht nga disiplina që ata garojnë, gratë dhe vajzat kanë veshur leotards për dekada të tëra, raporton The Washington Post.

Sipas Elizabeth Daniels, profesore në Universitetin e Kolorados, ekziston një sfidë e vërtetë brenda kontekstit sportiv, ku kushdo që ka autoritet mbi atletët iu tregon atyre se çfarë duhet të bëjnë. Ajo pohoi se është shumë e rëndësishme që të merren parasysh mendimet e atletëve lidhur me çështjen e uniformës që duhet të veshin gjatë performancës sportive.

Këto janë Lojërat e para Verore që po ndodhin që kur Larry Nassar, mjek i ekipit të gjimnastikës në SHBA u dënua për abuzim seksual të shumë vajzave dhe grave të reja. Ai u dënua me burg në 2018, por megjithatë kjo eksperiencë ka lënë pasoja tek sportistet.