Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë mund të jetojnë më gjatë, por ato kanë jetë më pak cilësore se burrat

QIKA 10.5.2024

Sipas një studimi të ri, të botuar në The Lancet, ndonëse burrat kanë jetëgjatësi mesatare më të ultë, gratë përgjatë jetës vuajnë më shumë nga patologjitë që dëmtojnë cilësinë e jetës së tyre.

Gratë preken në shkallë më të lartë nga dhimbjet e shpinës, dhimbja e kokës dhe çrregullimet e ankthit apo depresionit, duke ndikuar në rutinat e tyre të përditshme. Nga ana tjetër, burrat kanë më shumë gjasa të kenë probleme me zemrën ose të përfshihen në një aksident automobilistik.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), burrat jetojnë deri në 69 vjeç, ndërsa gratë në përgjithësi arrijnë mesatarisht 74 vjeç.

Seksi dhe gjinia e formësojnë shëndetin dhe jetëgjatësinë tonë dhe sipas studiuesëve ky formësim vërehet që nga adoleshenca. “Hulumtimet ekzistuese sugjerojnë se kjo periudhë përkon me një moshë vendimtare kur normat dhe qëndrimet gjinore përjetësohen dhe puberteti riformon perceptimet për veten”, thanë autorët e hulumtimit.

“Gratë nuk janë biologjikisht të ndryshme nga burrat, por kultura dhe gjinia i përcaktojnë këto dallime, prandaj ne duhet të fokusohemi dhe të hetojmë këto përcaktues kulturorë dhe socio-ekonomikë që na dallojnë”, tha për Euronews, Dr Dra. Sara Guila Fidel Kinori, psikologe klinike dhe anëtare e komitetit Women’s Health, pranë Spitalin Vall d’Hebron në Barcelonë.

Hulumtimi krahason të dhënat nga Global Burden of Disease Study (GBD) 2021, duke u fokusuar në rreth 20 patologji në mbi 200 vende që gjenerojnë sfidat më të mëdha shëndetësore tek individët mbi 10 vjeç.

Rezultatet, të cilat analizuan të dhënat nga viti 1990 deri në vitin 2021, zbuluan shumë pak përparim në mbylljen e hendekut shëndetësor midis burrave dhe grave dhe autorët rekomanduan që politikat të bazohen në të dhëna specifike mbi gjininë dhe moshën, të promovohet hulumtimet e ndjeshme gjinore ashtu që të zbatohen ndërhyrjet e nevojshme për të arritur barazi më të madhe shëndetësore.

Hulumtimin e plotë mund ta gjeni në: https://www.thelancet.com/journals/lanpub/article/PIIS2468-2667(24)00053-7/fulltext