Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë në Brazil protestojnë kundër projektligjit që tenton të barazoj abortin me vrasje

QIKA 3.7.2024

Qindra mijëra gra protestuan në Brazil për të kundërshtuar projektligjin që do të kriminalizonte edhe më shumë abortin, duke barazuar ndërprerjen e shtatzënisë pas 22 javësh me vrasje.

Aktualisht, Brazili e lejon abortin vetëm në rastet e përdhunimit, kur ekziston rrezik i dukshëm për jetën e nënës ose nëse fetusi nuk ka tru funksional. Përveç këtyre përjashtimeve, kodi penal i Brazilit parasheh dënime me 1 deri në 3 vjet burg për gratë që i japin fund shtatzënisë.

Ky projektligj, i propozuar nga ligjvënësit konservatorë, nëse bëhet ligj do të zbatohet edhe në rastet e përdhunimeve dhe dënimi do të rritet nga 6 deri në 20 vjet nëse aborti kryhet pas 22 javësh.

Protestueset theksuan se kjo do të dëmtonte veçanërisht viktimat e përdhunimit, shtatzënitë e të cilave priren të zbulohen më vonë dhe sipas projektligjit përdhunuesit e dënuar mund të marrin dënime më të vogla se viktimat e tyre.

Nga 74,930 personat që ishin viktima të përdhunimit në Brazil në vitin 2022, 61.4% ishin nën 14 vjeç, sipas një raporti të vitit 2023 të Forumit Brazilian për Sigurinë Publike. “Ne nuk mund të dënohemi me burg sepse jemi përdhunuar dhe nuk kemi marrë mbështetje dhe kujdes,” tha Talita Rodrigues, anëtare e grupit National Front against the Criminalization of Women and for the Legalization of Abortion.