Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë në Irlandë do të kenë qasje në kontracepsion falas

QIKA 15.9.2022

Gratë e moshave 17 deri 25 vjeç në Irlandë, tani mund të përfitojnë nga skema për kontracepsion falas. Kjo skemë është krijuar për të hequr barrierat financiare rreth kontracepsionit te gratë e reja.

Aktualisht, qasja në kontracepsion bëhet vetëm përmes sigurimit shëndetësor, ndërsa ato që nuk kanë pasur sigurimin është dashur të paguajnë qindra euro tarifa për receta mjekësore. Mirëpo, edhe kjo është ndryshuar në kuadër të skemës së re, ku edhe gratë që nuk kanë qasje në sigurim shëndetësor mund të përfitojnë kontracepsione falas.

Në këtë marrëveshje përfshihen pilulat kontraceptivë dhe futja e spirales si masë mbrojtëse. Mjekët e përgjithshëm që ofrojnë këto shërbime do ta bëjnë publike këtë së shpejti dhe gratë mund të konsultohen dhe kontrollohen me mjekët e tyre lokal.

Akti Shëndetësor (dispozitat e ndryshme, nr. 2) 2022, i cili parashikon skemën e kontracepsionit falas, u nënshkrua në korrik nga Presidenti Michael D Higgins.

Ministri i Shëndetësisë, Stephen Donnelly, tha se kjo është hera e parë që prezantohet kontracepsioni falas për gratë, duke shtuar se historia e Irlandës ka parë një mohim të të drejtave themelore riprodhuese të grave.

Pas deklaratës në RTÉ’s Morning Ireland, Dr Ciara McCarthy tha se skema do të mbulojë gjithashtu kontracepsionin urgjent në formën e pilulës së mëngjesit pas aktit seksual, e cila mund të sigurohet nga një mjek i përgjithshëm ose farmacist. Ajo tha se skema do të mbulojë edhe kostot e konsultimeve të mjekut të përgjithshëm dhe koston e çdo recete.

Shoqata Irlandeze e Planifikimit Familjar përgëzoi prezantimin e skemës, duke thënë se ajo do të fuqizojë gratë e reja, duke u mundësuar atyre të zgjedhin kontracepsionin që funksionon më mirë për to.

“Ne e dimë nga shërbimet tona se kjo nismë do të ketë një ndikim jashtëzakonisht pozitiv në shëndetin dhe mirëqenien e mijëra grave dhe vajzave,” tha shefi ekzekutiv i shoqatës Niall Behan.

“Është një hap vendimtar drejt barazisë gjinore dhe autonomisë riprodhuese në Irlandë. Ne mezi presim të takojmë klientët e parë të kësaj skeme në klinikën tonë”, shtoi ai