Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë në Kosovë kalojnë dukshëm më shumë kohë në punë të papaguar sesa burrat

QIKA 25.10.2022

Sot është prezentuar raporti hulumtues “Who Cares – Përkujdesi si punë e papaguar në Kosovë”, i zhvilluar nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari. Një nga të gjeturat kryesore të këtij raporti është se në Republikën e Kosovës, gratë shpenzojnë mesatarisht 6.2 orë dhe burrat 3.5 orë në punë përkujdesi të papaguar në ditë.  

Të gjeturat e hulumtimit dëshmojnë se përderisa një individ shpenzon mesatarisht 4.9 orë në punë përkujdesjeje të papaguar në Kosovë (në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë), gratë shpenzojnë 2.7 orë ose 44% më shumë për punë të papaguar se burrat, përkatësisht gratë shpenzojnë 4.73 orë duke bërë punë shtëpie, 1.97 orë në kujdesin e fëmijëve dhe 1.15 orë në kujdesin e të moshuarve.

Sa i përket punës me pagesë, gratë dhe burrat shpenzojnë mesatarisht një sasi të ngjashme kohe, gratë 5.6 orë dhe burrat 5.7 orë.

“Sipas vlerësimeve të fundit, nga gjithsej 520.495 gra (18-65) dhe 518.820 burra (18-65) që jetojnë në Kosovë, vlera totale e punës së kujdesit të papaguar në Kosovë është 2,824,248,757 Euro; respektivisht 1,792,626,900€ (63.47%) për gratë dhe 1,031,657,675 euro (36.52%) për burrat. Kjo vlerë e punës së papaguar të kujdesit përfaqëson 33% të GDP-së së Kosovës – 22% gra dhe 11% burra”, thuhet ndër të tjera në raport.

Prezentimin e të gjeturave të raportit e ka bërë sot znj.Marigonë Drevinja, Drejtore e Programit në Institutin për Politika Sociale Musine Kokalari, ndërsa për përkujdesin si punë e papaguar, praktikat evropiane dhe modelet e mundshme të politikave publike në Kosovë, ka prezentuar znj.Ardiana Gashi, profesoreshë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Njoftimin e plotë mund ta gjeni në faqen Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari në rrjetin social Facebook.