Në vitin 2021, 200 gra në Pakistan u çertifikuan si elektriciste në kuadër të një programi të quajtur Roshni Baji (Motrat e Dritës). Kjo iniciativë iu ka ofruar mundësi punësimi grave në sektorin e energjisë në Pakistan, i cili dominohet nga burrat dhe vetëm 4% e grave përbëjnë fuqinë punëtore.
“Nga 40 gra në klasë, 10 nga ato morën ofertë të punës në K-Elektrik, ndërmarrja komunale e qytetit”, tha Nazia Seher, 30 vjeçarja elektriciste. Sot, programi ka rreth 45 gra që lexojnë matësit e energjisë, krahas 426 burrave. “Të përzgjidhesh për trajnim ishte një bekim. Bashkëshorti im e humbi punën gjatë pandemisë dhe praktika me pagesë na shpëtoi”, shton Seher.
Në shtëpi, bashkëshorti i saj, i cili është punëtor në industrinë tekstile, tani ndihmon më shumë në punët e shtëpisë dhe në kujdesin për tre fëmijët e tyre. “Disa vite më parë, zierja e çajit apo pastrimi i dyshemesë më dukeshin të pamundura” thotë ai.
Në mbrëmje, Seher fiton të ardhura shtesë duke rregulluar hekurat, duke instaluar bateri rezervë dhe duke ndihmuar fqinjët, raporton the Guardian.
Gjatë pothuajse katër viteve, programi Roshni Bajis ka arritur në 800,000 familje, duke vizituar secila punëtore nga 35-40 shtëpi në ditë.
Zhvillimi i shpejtë dhe ndërtimet pa plan në lagjet e varfra krijojnë rreziqe të mëdha për aksidente elektrike dhe rastet e elektroshokut nuk janë të rralla. Një nga rreziqet më të mëdha vjen nga përdorimi i grepave metalikë, të njohur si kunda, që lidhin në mënyrë të paligjshme energjinë nga linjat kryesore, në mungesë të lidhjeve të rregullta.
Shtatë vite më parë, vajza e Durdana Shoaib, grua e cila iu bashkua programit Roshni Baji, preku një transformator në çatinë e tyre dhe pësoi djegie dhe dëmtime të përhershme të nervave trupore.
Duke jetuar në një lagje të varfër, Durdana thotë se rreziku më i zakonshëm janë telat elektrikë që zvarriten në pellgje uji, nëpër të cilat gratë dhe fëmijët kalojnë zbathur. “Njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet që kjo sjellë”, thotë ajo.
Shoaib e ka bërë mision të ndërgjegjësojë komunitetin për rreziqet elektrike. Vitin e kaluar, K-Elektrik hoqi më shumë se 250,000 kunda nëpër qytet, afro 350 ton telash të paligjshëm.
Kjo kompani punon për të lidhur komunitetet me rrjetin elektrik. Në vitin 2024, afro 7,000 lidhje të paligjshme u hoqën dhe u vendosën matës të energjisë në qytetin Bin Qasim, një nga zonat më problematike për aksidente elektrike në Karaçi.