Platforma “Ne do të ndalojmë femicidin” (We Will Stop Femicide), më 5 tetor organizoi një demonstratë për dy vajza 19 vjeçare që u vranë brutalisht nga Semih Çelik në muret historike të Stambollit.
Qindra gra u mblodhën rreth portës së Adrianopolit, ku Semih Çelik vrau dhe i preu kokën njerës prej vajzave. Më vonë, u zbulua se Semih Çelik kishte vrarë një vajzë tjetër në një lagje tjetër. Pas kësaj ai bëri vetëvrasje.
Partia në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (Justice and Development Party – AKP) është e njohur për mosveprim në adresimin e rritjes së rasteve të femicidit në vend duke sulmuar gjithashtu mekanizmat ekzistues të parandalimit si tërheqja nga Konventa e Stambollit, raporton Duvar English.
Gjatë protestës në Stamboll u vendosën pankarta ku shkruhej “Ministri hapi sytë, këtu u vranë gratë”, “Dhuna nuk do të mbetet pa u ndëshkuar” dhe “Nuk do të ecni kurrë vetëm”.
Protesta pati edhe në provincën e Bursës dhe të Mersinit. Protesta e Mersinit u organizua nga Platforma e Grave të Mersinit të cilat marshuan në Sheshin e Paqes Özgecan Aslan. Sheshi mori emrin e një vajze 20 vjeçare e cila u vra në Mersin në vitin 2015.
Në deklaratën nga protesta e Mersinit thuhet “Në këtë vend, i cili është kthyer në skenë vrasjesh, ne do të vazhdojmë t’ju kërkojmë llogari për jetën, lirinë dhe të drejtat tona. Për shkak të ligjeve që ju nuk arrini të zbatoni, sistemit që justifikon abuzimin dhe lavdëron vrasësit, ne jemi ata që do t’ju bëjmë jetën të padurueshme për çdo grua, çdo fëmijë, çdo person LGBTQ+ që nuk është më me ne”.