Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë protestojnë në Kabul, kërkojnë të drejta të barabarta dhe pjesëmarrje në politikë

QIKA 4.9.2021

Një grup aktivistësh i grave afgane, organizuan një protestë të vogël nën thirrjen për të drejta të barabarta dhe pjesëmarrje të plotë të grave në politikë. Protesta kishte ndodhur në kryeqytetin Kabul të Afganistanit i cili është nën kontrollin e Talibanëve, konfirmon CNN.

Pavarësisht rreziqeve, një grup i quajtur Rrjeti i Pjesëmarrjes Politike të Grave, marshuan në rrugë përpara Ministrisë së Financave në Afganistan, duke thërritur sloganet dhe duke mbajtur shenjat që kërkojnë përfshirje të tyre në qeverinë afgane dhe thirrje për ligj kushtetues.

Disa pamje tregojnë një konfrontim mes një roje talibane dhe disa gra, ku dëgjohet një zë burri duke thënë “Largohu tutje”, para se thirrjet e grave të vazhdonin.

Tubimi ishte relativisht i vogël, por që përfaqësonte një sfidë të pazakontë publike ndaj sundimit talebanë.

Grupi militant është i përfshirë në diskutime të brendshme rreth formimit të një qeverie, por tashmë kanë paralajmëruar se gratë që punojnë duhet të qëndrojnë në shtëpi, dhe militantët në disa raste kanë urdhëruar gratë të largohen nga vendet e tyre të punës.

Liderët talebanë publikisht kanë këmbëngulur se gratë do të luajnë një rol të shquar në shoqëri dhe do të kenë qasje në arsim. Por deklaratat publike të këtij grupi për respektimin dhe interpretimit të tyre të vlerave islame kanë ngjallur frikën se do të ketë një rikthim në politikat e ashpra të sundimit të talebanëve njëjtë si dy dekada më parë, kur gratë u zhdukën nga jeta publike.

Disa nga gratë afgane tashmë janë duke qëndruar në shtëpi nga frika për sigurinë e tyre dhe disa familje tjera po blejnë mbulesa për të mbuluar të afërmet e tyre gra.

Protesta e organizuar në Kabul, vjen një dite pas një të ngjashme në qytetin Herat të Afganistanit. Gratë në atë protestë mbanin një parullë të madhe me mbishkrim “Asnjë qeveri nuk mund të zgjasë pa mbështetjen e grave. Kërkesat tona: Edukimin e drejtë dhe të drejtën e punësimit në të gjitha fushat”. /kallxo.com