Në kuadër të fushatës “Race for the Cure Prishtina”, edhe këtë vit Komuna e Prishtinës e ka mbështjellë me ngjyrë rozë një autobus të Trafikut Urban dhe ka filluar ofrimin e shërbimit të mamografisë falas në tri Qendra të Mjekësisë Familjare. Të gjitha gratë të cilat do të bëjnë mamografinë do të kenë mundësinë që të shfrytëzojnë transportin publik falas gjatë muajit tetor – muaj i cili simbolizon muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Mamografia mund të bëhet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, atë të lagjes “Dardania” si dhe në QMF “Veternik”.
Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është vetëdijesimi i grave për të bërë mamografinë, meqë sipas tij statistikat tregojnë se numri i grave me kancer të gjirit është në rritje. Po ashtu, nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, tha se në këtë muaj të ndërgjegjësimit synojnë që shumë gra të vetëdijesohen dhe të shfrytëzojnë mundësinë për të bërë mamografinë falas, shkruan Telegrafi.
Kryeshefi i Trafikut Urban në Prishtinë, Burim Maraj i ftoi të gjitha gratë që të bëjnë mamografinë dhe që të pajisen me biletë mujore falas.