Tërmetet vdekjeprurëse që goditën provincën perëndimore të Afganistanit Herat, i lanë gratë e mbijetuara në luftë për ekzistencë, për shkak të kombinimit të shtypjes shoqërore dhe kufizimeve talebane lidhur me qasjen e pabarabartë në ndihmë shëndetësore. Derisa zyrtarët talebanë këmbëngulin se ndihma po shpërndahet në mënyrë të drejtë, përvojat e grave dëshmojnë të kundërtën.
Mursal, 36 vjeç, ishte rreth 6 muajsh shtatzënë kur tërmeti i parë goditi më 7 tetor, në të cilin ajo nuk kishte pësuar ndonjë dëmtim fizik, por disa ditë më vonë ndjeu se diçka nuk shkonte. “Kisha gjakderdhje për gati 30 orë dhe më vonë e kuptova se kisha humbur vajzën”, tha Mursal. Ajo fajëson burrin e saj, duke treguar se ai nuk e ka lejuar që të trajtohet nga një mjek burrë. “Unë i thashë atij në mënyrë të përsëritur se kam gjakderdhje, por ai u përgjigj me të njëjtën përgjigje çdo herë – prit për një mjeke” shtoi ajo.
Mjekët, burra apo gra, janë të paktë në shumë zona të goditura nga tërmeti, raporton Nikkei Asia.
Për shkak të kufizimeve të vendosura paraprakisht nga talebanët lidhur me arsimimin dhe punësimin e grave, sidomos punën në organizata joqeveritare lokale e ndërkombëtare, është ndërlikuar përpjekja për ndihmë në Herat, sepse talebanët refuzojnë kërkesat e këtyre të fundit për përfshirjen e grave punonjëse në zonat e goditura nga termetet.
Shumë gra i thanë Nikkeit se ishin detyruar të qëndronin në shtëpi nga burrat e familjes gjatë tërmeteve.
Zyrtarët e OKB-së kanë vlerësuar se 90% e viktimave të tërmeteve janë gra dhe fëmijë. Një zyrtar i OKB-së i tha Associated Press: “Tërmetet, kombinuar me krizën e vazhdueshme humanitare dhe të të drejtave të grave, e kanë bërë situatën jo vetëm të vështirë për gratë dhe vajzat, por edhe vdekjeprurëse”.
Tre gra nga fshatra të ndryshëm në Zinda Jan treguan se po përballen me vështirësi në marrjen e shërbimeve të ndihmës sepse nuk kanë anëtarë burra në familje. Në shumë zona, thanë ato, talebanët dhe agjencitë po shpërndajnë ndihma vetëm për burrat.
Angela Ghayour, një aktiviste afgane në mërgim, tha se qeveria talebane i kishte ndaluar gratë edhe të merrnin taksi pa një kujdestar burrë. Ajo e kishte të vështirë të besonte pretendimet e talebanëve se autoritetet nuk po bënin dallimin midis burrave dhe grave kur shpërndanin ndihma. “Si mund të pretendojnë se nuk kanë penguar shpëtuesit burra që të shpëtojnë një grua të bllokuar nën rrënoja”, ajo tha.