Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Hapat e Iranit drejt penalizimit të dhunës seksuale dhe ngacmimit të grave

QIKA 1.2.2021

Pas një dekade diskutimesh, Qeveria e Iranit më 3 Janar 2021 miratoi projektligjin i cili penalizon dhunën dhe ngacmimet seksuale ndaj grave, duke specifikuar dënimet për autorët e krimeve.

Vendimi për ta çuar përpara projektligjin, i cili nëse miratohet do të jetë ligji i parë i këtij lloji në kodin penal të Iranit, vjen si pasojë e lëvizjes #Metoo dhe pas raportimeve tronditëse të të ashtuquajturave ‘vrasje nderi’ që kanë kapluar publikun këto gjashtë muajt e fundit.

Projektligji i cili është miratuar nga kabineti, duhet të miratohet nga Parlamenti konservator i vendit për tu bërë ligj, por përkrahësit e të drejtave të grave po shpresojnë për sukses në këtë drejtim, raporton The New York Times.[L1] 

“Ngjarjet e vitit të kaluar, ‘vrasjet e nderit’ që morën vëmendjen kombëtare si dhe lëvizja #Metoo në Iran, kanë rritur presionin ndaj Qeverisë për të çuar përpara këtë projektligj që ishte në proces për gati një dekadë” tha Tara Sepheri Far, hulumtuese për Human Rights Watch me seli në New York, duke iu referuar vrasjeve të grave nga të afërmit burra për gjoja turpërimin e familjeve të tyre, edhe nëse gratë ishin viktima të dhunës seksuale.

Sepheri Far tha se ligji ende nuk ishte në standardet ndërkombëtare dhe nuk adresoi të gjitha aspektet e dhunës me të cilat përballen gratë. Ky projektligj nuk adresonte martesën e fëmijëve, përdhunimin martesor, dhe nuk përcaktoi siç duhet dhunën në familje tha ajo.

Megjithatë, shumë aktivistë dhe përkrahës të të drejtave të grave thanë që ky projektligj shënoi një hap përpara dhe pasqyroi dinamikën e shoqërisë iraniane, të cilën ata e përshkruajnë si hap progresiv të Qeverisë për çështjet e dhunës ndaj grave.

Drafti i plotë i projektligjit nuk është bërë ende publik, por një përmbledhje e postuar në faqen e Qeverisë thotë se “çdo veprim që shkakton dëm fizik ose emocional, apo dëmtim të reputacionit ndaj një gruaje ose që rezulton në frenim të lirisë dhe të drejtave sociale të saj konsiderohet si krim”.

Përmbledhja e projektligjit thekson se kërkohet nga gjyqësori që të krijojë dhe sponsorizojë qendra që ofrojnë mbështetje për viktimat e dhunës dhe gratë që janë të prekura nga dhuna. Gjithashtu, forcat e sigurisë janë të detyruara të krijojnë një njësi të veçantë policore për mbrojtjen e grave.

“Kemi pritur 10 vjet për këtë” tha Shima Ghoosheh avokate me seli në Tehran, e cila specializon në përfaqësimin e grave dhe tha që ajo ishte një nga avokatet që konsultoi Qeveria. “Unë mendoj se ky është një hap përpara, sepse na jep një ligj të përgjithshëm për mbrojtjen e grave, të cilin mund ta ndërtojmë dhe ndryshojmë”.

Projektligji ende përballet me një sprovë të madhe në Parlament, i cili ka një shumicë konservatore që bie ndesh me Qeverinë Qendrore.

Ghoosheh dhe dy ekspertë të tjerë ligjorë në Iran thanë se presin që Parlamenti të miratojë projektligjin, sepse ai do të pasqyronte pikëpamjet e gjyqësorit dhe ligjvënësve.

Masoumeh Ebtekar, nënkryetar i Iranit për çështjet e grave dhe familjes, ka shkruar në Twitter se ky plan ishte rezultat i qindra orëve të diskutimit nga ekspertë ligjorë dhe qeveritarë ‘kushtuar grave meritore dhe të durueshme të Iranit’.

Në Maj, Romina Ashrafi 14 vjeçare, iu pre koka nga babai i saj sepse ishte arratisur me të dashurin. Incidenti tërhoqi vëmendjen kombëtare, sepse babai ishte këshilluar me një avokat dhe kishte kryer krimin pasi e kuptoi që do të përballej më së shumti 10 vjet burg. Pas kësaj, një ligj që kishte ngecur për 11 vjet për mbrojtjen e fëmijëve kundër dhunës u quajt ‘ligji i Rominës’ dhe u miratua.

Në gusht, gratë iraniane thyen heshtjen e tyre dhe shprehën akuza për ngacmime seksuale ndaj më shumë se 130 burrave, përfshirë artistin e shquar Aydin Aghdashloo. Trembëdhjetë gra akuzuan Aghdashloo, i cili është shtetas i dyfishtë iraniano-kanadez, për ngacmime seksuale në një periudhë kohore prej 30 vjetësh. Ai mohoi akuzat, por është përballur me një reagim nga bota e artit, duke i anuluar një dokumentar për jetën e tij i cili u hoq nga shqyrtimi nga dy festivale ndërkombëtare të filmit.

Leila Rahimi, avokate me seli në Tehran, e cila ka qenë përfaqësuese e rasteve të lëvizjes #Metoo, tha se të paktën projektligji i ri do të ndihmonte në forcimin e grave dhe të historive të tyre duke ndërmarrë veprime ligjore. Rahimi tha se numri i grave që e kontaktonin atë me rastet e lëvizjes #Metoo ishte rritur në mënyrë të vazhdueshme që nga gushti.


https://www.nytimes.com/2021/01/05/world/middleeast/iran-sexual-violence-metoo-women.html?fbclid=IwAR103GHF-Qg2nkSj1qKWuGF5LUF8bhhR7UP9un3JMi3XqzNhHNhfEDtaBRA