Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Irani përjashtohet nga Komisioni i OKB-së për Statusin e Grave

QIKA 15.12.2022

Këshilli Ekonomik dhe Social i OKB-së (ECOSOC) i përberë prej 54 anëtarësh të mërkurën miratoi një rezolutë për të hequr Iranin nga Komisioni për Statusin e Grave (CSW) për pjesën e mbetur të mandatit të tij katërvjeçar që përfundon në 2026.

Zhvillimi vjen në vazhdën e shtypjes brutale të vendit ndaj protestave që kërkonin drejtësi për Mahsa Amini, gruan 22-vjeçare që vdiq në paraburgimin e policisë në shtator.

CSW mblidhet çdo vit në selinë e OKB-së në Nju Jork dhe cilësohet si mbledhja më e madhe e aktivistëve të barazisë gjinore në botë. Shtetet e Bashkuara prezantuan rezolutën në fjalë, e cila mori 29 vota pro, tetë kundër dhe 16 abstenime.

Dokumenti shprehu shqetësim serioz për veprimet e qeverisë iraniane “për të minuar dhe shtypur vazhdimisht të drejtat e njeriut, sidomos të grave dhe vajzave dhe shpesh me përdorimin e forcës së tepruar”.

Duke folur para procesit të votimit, ambasadorja e SHBA Linda Thomas-Greenfield e quajti CSW-në organin premierë të OKB-së për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave. “CSW nuk mund të kryejë punën e saj nëse minohet nga brenda. Anëtarësimi i Iranit në këtë moment është një njollë e shëmtuar në besueshmërinë e Komisionit”, tha ajo.

Komisioni i OKB-së për Statusin e Grave (CSW) u krijua në vitin 1946 dhe ka marrë rol instrumental në promovimin e të drejtave të grave, dokumentimin e realitetit të jetës së grave në mbarë botën dhe formësimin e standardeve globale për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.