Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Irlanda do ofrojë kontraceptivë falas për gratë e moshës 17-25 vjeç

QIKA 13.10.2021

Në Irlandë për gratë e moshës 17 deri në 25 vjeç kontracepsioni do të jetë falas, duke filluar nga gushti i vitit të ardhshëm, si pjesë e masave të shpallura në buxhetin e vitit 2022. Ministri për Shpenzime Publike dhe Reformë Michael McGrath, njoftoi për një paketë shëndetësore dedikuar grave me vlerë 31 milion€.

Masat pozitive për gratë, të përfshira në buxhetin 2022 gjerësisht janë mirëpritur. Shefi ekzekutiv i Shoqatës Irlandeze për Planifikim Familjar, Niall Behan tha se heqja e kostos nga kontracepsioni do t’i fuqizojë gratë e reja dhe do t’i mundësojë atyre të zgjedhin metodën që funksionon më mirë për to. “Kostoja e lartë paraprake e kontraceptivëve më efektivë, i bën ata të paarritshëm për shumë gra, të cilat aktualisht janë të detyruara të mbështeten në metoda më pak efektive ose nuk përdorin fare asnjë metodë”, shtoi ai.

Gjithë kjo iniciativë pasoi pas publikimit të një raporti nga Nënkomiteti i Varfërisë Menstruale që është pjesë e Komitetit të Strategjisë Kombëtare për Gratë dhe Vajza. Raporti vuri në dukje pasojat e mundshme negative të varfërisë menstruale të cilat mund të përfshijnë përjashtimin nga aktivitetet e jetës së përditshme gjatë menstruacioneve dhe ndikimet fizike e mendore si nga përjashtimi ashtu edhe nga përdorimi i produkteve menstruale të papërshtatshme.

Organizata Homeless Period e ka përshkruar si pozitive ndarjen e fondeve për çështjet e shëndetit të grave, siç është varfëria menstruale. Megjithatë derisa masat shëndetësore për gratë janë mirëpritur, Këshilli Kombëtar i Grave të Irlandës ka shprehur zhgënjim për buxhetin e vitit 2022.

Përfaqësues nga organizata thotë se nuk ka investim të qartë transformues, për të trajtuar pabarazitë strukturore të përjetuara nga gratë. Sipas drejtores Orla O’Connor gratë tashmë kishin hyrë në pandemi nga një vend i pabarabartë dhe pasojat sociale dhe ekonomike të krizës janë përballuar në mënyrë disproporcionale nga gratë. Ajo e përshkroi si “zhgënjyes dhe një mundësi të humbur” faktin që qeveria nuk angazhohet për zhvillimin e një programi publik të kujdesit për fëmijët.