Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Italia miraton ligjin kundër surrogacisë ndërkombëtare

QIKA 18.10.2024

Të mërkurën, Italia miratoi ligjin kundër surrogacisë ndërkombëtare, një ndër ligjet më kufizues në mbarë perëndimin, i cili kërcënon prindërit potencialë që dëshirojnë të kenë fëmijë përmes surrogacisë, me burg dhe gjoba të rënda. Sipas kritikëve ky ligj synon të atakoj kryesisht çiftet e të njëjtit seks.

Surrogacia ishte e ndaluar edhe më herët në Itali, siç është në disa vende të tjera, por ligji i ri shkon më tej, duke e klasifikuar surrogacinë si krim universal që kapërcen kufijtë, ashtu si terrorizmi apo gjenocidi.

Ligji, i miratuar vitin e kaluar nga dhoma e ulët dhe i siguruar efektivisht nga votimi i Senatit të mërkurën, kriminalizon gjithashtu punën e shtetasve italianë të punësuar si mjekë, infermierë dhe teknikë në klinikat e huaja të fertilitetit që lehtësojnë surrogacinë.

Ekspertët juridikë në Itali e quajnë këtë masë të paqartë në pikat kyqe.  Disa aspekte të zbatueshmërisë së këtij ligji mbeten problematike, shkruan Washington Post. Edhe mbështetësit e legjislacionit pranojnë se çiftet heteroseksuale kur të kthehen në Itali me një foshnjë, ose kur regjistrojnë certifikatën e lindjes së fëmijës së tyre në bashkitë lokale mund të përballen me disa pyetje. Por kush do të thotë që gruaja në atë çift nuk e lindi fëmijën ndërsa ishte jashtë vendit?

Në anën tjetër, një foshnjë në krahët e prindërve të të njëjtit seks – veçanërisht dy burrave – do të ishte krejt situatë tjetër. “Njerëzit që nuk mund ta fshehin këtë janë çifte homoseksuale. Kjo ka të bëjë me shënjestrimin e baballarëve homoseksualë”, tha Alessia Crocini, udhëheqëse e Rainbow Families, një grup që kundërshtoi ligjin.

Çifteve të të njëjtit seks ligjërisht u është ndaluar birësimi brenda dhe jashtë Italisë. Kështu, ligji i ri efektivisht ndërpret rrugën e fundit për të krijuar familje çifteve burra homoseksualë që banojnë në Itali.

Pas një debati intensiv shtatë-orësh, ligji kaloi në Senat me 84 vota për dhe 58 kundër. Ky kufizim shënon sulmin më të fortë të përpjekjes së kryeministres konservatore Giorgia Meloni, e cila vazhdimisht është zotuar të përforcojë vlerat e “familjes tradicionale”.