Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kalimtarët kanë më pak gjasa t’u ndihmojnë grave me reanimim

QIKA 19.9.2023

Një hulumtim ka zbuluar se kalimtarët e rastit kanë më pak gjasa tu ndihmojnë grave me RKP (Reanimimi Kardio-Pulmonar) në publik sesa burrave.

Reanimimi kardiopulmonar kombinon frymëmarrjen gojë më gojë dhe ngjeshjet e gjoksit për të pompuar gjakun në trurin e njerëzve zemrat e të cilëve kanë pushuar së rrahuri, duke penguar potencialisht vdekjen derisa të arrijë ndihma mjekësore.

Një ekip mjekësh kanadezë u përpoqën të kuptonin se si kalimtarët e administrojnë procedurën ndryshe tek burrat dhe gratë. Ata shikuan të dhënat e arresteve kardiake që ndodhën jashtë spitaleve në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada midis viteve 2005 dhe 2015, ku përfshiheshin rreth 40,000 pacientë, raporton VOA.

Në përgjithësi, 54% e pacientëve morën RKP nga një kalimtar. Për arreste kardiake në një vend publik, si në rrugë, 61% e grave iu dha RKP nga një kalimtar — krahasuar me 68% të burrave.

Alexis Cournoyer, një mjek i urgjencës në Hopital du Sacre-Coeur de Montreal, i cili kreu studimin, tha se ky hendek rrit më shumë vdekshmërinë e grave pas një arresti kardiak. “Një teori ishte se kalimtarët në publik mund të ndjeheshin të parehatshëm të preknin gjoksin e një gruaje pa pëlqimin”, tha Cournoyer.

Arrestet kardiake janë shkaku kryesor i vdekjeve, me më shumë se 350,000 që ndodhin vetëm në SHBA çdo vit, sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës. Kurse, vetëm rreth 10% e njerëzve që përjetojnë arrest kardiak të papritur jashtë spitalit mbijetojnë, ka treguar hulumtimi.