Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kërkohet drejtësi për Hatije Dinën

QIKA 9.2.2021

Dje u protestua kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit për dënimin e Ilir Haxhiajt me 15 vite burgim për vrasjen e bashkëshortes së tij Hatije Dina.

Haxhiaj në vitin 2019 e kishte rrahur për vdekje Hatije Dinën por pavarësisht kësaj ai është dënuar për “lëndim të rëndë trupor”. Aktivistët për të drejtat e grave e vlerësojnë këtë gjykim si të gabuar dhe si të tillë e kundërshtuan përmes protestës së djeshme para Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Përmes kësaj proteste poashtu u përçua mesazhi se ky vendim nuk është një padrejtësi institucionale që po i bëhet vetëm një individi pra viktimës në fjalë por të gjitha grave të cilat pikërisht për shkak të qasjes së gabuar të shtetit, vazhdojnë të shtypen. Sipas organizatorëve trajtimi i tillë i vrasjes së grave nga institucionet përveç që i frikshëm, është duke iu dhënë zemër vrasësve edhe më shumë.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, ndër të tjera ka theksuar se: “Vrasja e Hatije Dinës nga bashkëshorti Ilir Haxhiaj është edhe një rast tjetër i femicidit, andaj ne nuk mund ta lexojmë ndryshe përveç se një dhunë të institucionalizuar ndaj grave e cila përveç që i lë gratë më të varfëra dhe të nënshtruara, po ua vjedhë mizorisht edhe të drejtën themelore për jetë.”

“Drejtësi për Hatije Dinën”, “Gjykatë, është vrasje e jo lëndim i rëndë trupor”, “Dënim meritor për Ilir Haxhiajn” ishin disa nga thirrjet e pjesëmarrësve të protestës që kërkuan drejtësi për gratë e vrara.