Sot, studentet/ët e Universitetit të Prishtinës dhe aktivistet/ët kanë protestuar për përjashtimin e profesorit Xhevat Krasniqi, i cili është denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.
Protesta e thirrur nga Lëvizja Feministe Studentore (LFS) filloi në Fakultetin e Edukimit, ku vazhdon të ligjëroj profesori Krasniqi për të vazhduar drejt ndërtesës së Rektoratit.
Aktivistet/ët lexuan deklaratat e vajzave denoncuese para Fakultetit të Edukimit dhe Rektoratit të UP-së dhe përmes thirrjeve e pankartave kërkuan përjashtimin e profesorit të denoncuar për ngacmim seksual, shkarkimin e Këshillit të Etikës dhe hapësira të sigurta për vajzat dhe gratë.
Deklarata e plotë e LFS:
“Meqë universiteti po refuzon me i dëgju studentet që kanë vendosë me i nda përvojat e tyre, ne sot i lexuam disa prej rrëfimeve të studenteve që e kanë denoncuar për ngacmim seksual profesorin Xhevat Krasniqi. Këto rrëfime përfshijnë nga komentet rreth dukjes së tyre deri tek ofrimi i masazhit dhe tentimi për përqafim të padëshiruar, në rrugë, në klasë e në konsultime.
Në solidaritet me vajzat dhe gratë të cilat kanë përjetuar ose janë duke përjetuar ngacmime seksuale apo sulme seksuale në hapësirat e Universitetit të Prishtinës, sot u mblodhëm para fakultetit në të cilin ligjëron një profesor i denoncuar për ngacmim seksual.
Xhevat Krasniqi, profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit, është denoncuar për ngacmim seksual. në Këshillin e Etikës, jo nga 1 studente por nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë.
Pas denoncimeve, Fakulteti i Mjekësisë ka ndërprerë bashkëpunimin me të denoncuarin për ngacmim seksual, por jo edhe Universiteti i Prishtinës. Ai vazhdon të ligjëroj pas asnjë pengesë.
Këshilli i Etikës nuk i ka ftuar palët për intervistim edhe gati tri javë pas denoncimit, ani pse rregullorja e përcakton që palët duhet të ftohen jo më vonë se pesë ditë pune që nga denoncimi i shkeljes.
Si rëndom, Këshilli i Etikës – si një nga organet më jofunksionale e joprofesionale, po vazhdon të dëshmojë mungesën e gatishmërisë për të trajtuar drejtë dhe me prioritet rastet e ngacmimeve seksuale, duke mos i përfill procedurat e duke e shkelur rregulloren.
Ne si studente jemi thellësisht të shqetësuara nga mungesa e gatishmërisë së universitetit për të luftuar këtë fenomen dhe nga heshtja kur i kërkohet prononcim lidhur me këtë çështje. Mungesa e reagimit nga UP e normalizon ngacmimin seksual brenda këtij institucioni.
Ne jemi këtu për të thënë se ngacmimi seksual është krim, dhe si i tillë nuk ka vend në Universitetin e Prishtinës e askund tjetër.
Ne u besojmë 27 denoncueseve, i mbështesim ankesat e tyre dhe kërkojmë që ky profesor të përjashtohet nga UP-ja si dhe të shkarkohen anëtarët e Këshillit të Etikës të cilët në vazhdimësi po dështojnë që ta kryejnë punën e tyre”.