Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Konferencat virtuale po përjashtojnë shumicën e grave afrikane

QIKA 24.3.2022

Komisioni për Statusin e Grave, i cili mbahet çdo vit, është mbledhja më e madhe globale e OKB-së ku ministrat, aktivistët, feministët e avokatët takohen për të diskutuar rreth barazisë gjinore dhe të drejtat e grave. Kështu, ky komision u krijua edhe në Afrikë si një alternativë ndaj Komisionit të OKB-së në mënyrë që të dëgjohet zëri i grave afrikane.

Pjesëmarrja e vajzave dhe grave afrikane në këtë konferencë është tejet e rëndësishme. Megjithatë, këtë vit ambasadat kanë bërë përpjekje minimale për të ndihmuar në lehtësimin e vizave për afrikanet në mënyrë që të udhëtojnë për në SHBA. Kjo ka ndodhur për shkaqe të refuzimit të vizave, mungesës së burimeve adekuate për fluturim, problemeve gjuhësore dhe kohës minimale që u është dhënë në dispozicion për të diskutuar mbi çështjet që kanë rëndësi për to.

Për herë të parë, tema kryesore e këtij viti ka qenë kriza klimatike, por gjuha teknike e ka bërë të vështirë që shumë gra afrikane të kontribuojnë, pavarësisht njohurive të tyre të gjera për çështjet lokale. Edhe gjatë pandemisë Covid-19, kur ngjarja u mbajt virtualisht, gratë afrikane u përjashtuan sepse jo të gjitha prej tyre mund të përfshiheshin në hapësirën dixhitale, si pasojë e mungesës së qasjes në internet, raporton The Guardian.

Kjo është arsyeja pse këtë vit gratë afrikane kërkuan një alternativë, duke lansuar konferencën e parë “Africa CSW”. Në këtë konferencë, ishin të pranishëm 60 përfaqësues nga 18 vende afrikane në Nairobi duke mbajtur takime që përkonin me sesionet hapëse në New York.

Rrjeti i Zhvillimit dhe Komunikimit të Grave Afrikane, Femnet, u krijua si përgjigje ndaj përjashtimit të vajzave dhe grave nga konferencat që prekin jetën e tyre. Ndër të tjera, Femnet, po bën thirrje për përfshirjen dhe pjesëmarrjen kuptimplotë të vajzave dhe grave afrikane në forumet vendimmarrëse si CSW dhe konferenca e OKB-së për ndryshimet klimatike (Cop27) që do të mbahet në Egjipt në nëntor të këtij viti.