Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kosova do të filloj vaksinimin e vajzave 12 vjeçare kundër HPV

QIKA 31.1.2024

Në Kosovë gjatë këtij viti do të filloj vaksinimi i vajzave të moshës 12 vjeçare, për mbrojtje nga kanceri i qafës së mitrës në të ardhmen. Kjo u bë e ditur me rastin e shënimit të Javës Evropiane kundër Kancerit të Qafës së Mitrës, me ç’rast Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar për Shëndetësi Publike organizoi tryezën e rrumbullaket me moton “Kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet! Vaksinohu! Bëje PAP testin!”

“Kemi siguruar edhe mbi 15.000 doza të vaksinës kundër HPV, me të cilat, duke filluar nga mesi i muajit shkurt, në pajtim me Planin e Veprimit, do të fillojmë vaksinimin e vajzave të klasave të gjashta në gjithë vendin tonë.”, tha ministri Arben Vitia.

Vitin e kaluar Ministria e Shëndetësisë pati siguruar 300 doza, dhe meqë kjo vaksinë ende s’ka qenë pjesë e Kalendarit të Vaksinimit, janë imunizuar vetëm 70 vajza në baza vullnetare.

Tetorin e vitit 2023, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se është zgjeruar Kalendari i Vaksinimit përmes Planit të Veprimit për Vaksinim 2022-2023. Kalendarit i janë shtuar 3 vaksina për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, një ndër to vaksina HPV kundër kancerit të qafës së mitrës.

Kanceri i qafës së mitrës është tumor malinj që zhvillohet në qafën e mitrës dhe pothuajse në të gjitha rastet shkaktohen nga infektimi me virusin e papillomës humane (HPV). Papillomavirusi (HPV) transmetohet përmes kontaktit seksual ose kontaktit të drejtpërdrejtë me lëkurën e personit të infektuar. Për nga shpeshtësia e shfaqjes kjo formë është kanceri i tretë që prek gratë në botë, ndërsa radhitet i dyti pas kancerit të gjirit tek gratë në Kosovë. Sipas OBSh, më shumë se 30,000 gra vdesin nga kanceri i qafës së mitrës në Rajonin Evropian.

OBSh rekomandon administrimin e vaksinës përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit, informim të vazhdueshëm, skrining dhe trajtim efektiv.

Vaksina HPV është shumë efektive dhe mund të parandaloj 9 në 10 raste të HPV. Një studim i fundit i realizuar nga organizata “Cancer Research”, me seli në Britani, dëshmon se vaksina HPV zvogëlon rastet e kancerit të qafës së mitrës për gati 90 %.