Komisioni i Pavarur i Mediave, Agjencia për Barazi Gjinore dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore i kanë dërguar letër të hapur mediave vizuele për ndalimin e promovimin e gjuhës së urrejtjes.
Përmes kësaj letre të hapur, kërkohet që gjatë transmetimit të përmbajtjeve programore të evitohet gjuha e urrejtjes, gjuha vulgare dhe ofenduese, si dhe nxitja apo promovimi i çfarëdo formë të diskriminimit dhe jo tolerancës.
“Përqindja e lartë e grave të cilat jetojnë nën dhunë fizike, psikologjike dhe ekonomike, paraqet një problem strukturor i cili ndër të tjerash është çështje mendësie. Dhe kjo mendësi e cila e ka të normalizuar dhunën ndaj grupeve të ndjeshme shoqërore, sidomos grave, nuk duhet lejuar assesi nga asnjë televizion qoftë ai publik apo privat. Andaj, për ne është jashtëzakonisht shqetësues fakti që televizionet, në emër të lirisë së shprehjes, janë duke i kontribuar nxitjes së urrejtjes dhe normalizimit të dhunës përmes debateve televizive, duke dëmtuar kështu përpjekjet tona për barazi gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në veçanti dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi. Përmbajtje të tilla përveç që nga aspekti etik janë të papranueshme dhe të dëmshme, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, Konventën për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave, Konventën e Stambollit, Kodin Penal, Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe akte të tjera ligjore që garantojnë të drejtat e njeriut”, thuhet në letrën drejtuar mediave.
Në rast se kjo këto rekomandime nuk merren parasysh KPM, ABGj dhe QKSGj janë të vendosura që t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore për denoncimin dhe luftimin e praktikave të tilla.
Letra e plotë:
http://kgscenter.net/site/assets/files/1777/leter_e_hapur_drejtuar_mediave_06_04_2021-1.pdf?fbclid=IwAR1ZssCusoacCQIdq1hZpPMPhjOc9Krf9v7115FTARe7Qc1M9MAWtI1-P-c