Sipas një raporti të ri, kriza e përkujdesjes ndaj fëmijëve po kërcënon të kthejë prapa dekada të përparimit ekonomik të grave. Raporti paralajmëroi se sektori i përkujdesjes së fëmijëve i mbizotëruar nga gratë rrezikon të kolapsojë. Në këtë raport thuhet se balancimi i kujdesit të paguar dhe të papaguar ishte veçanërisht i vështirë për gratë më të varfëra që punonin në sektorin joformal, të cilave nuk u ofrohet pushimi me pagesë, mbrojtja sociale apo mundësia për të punuar nga distanca, raporton The Guardian.
Raporti po ashtu ilustron se si pandemia kishte ekspozuar shkallën në të cilën përkujdesja ndaj fëmijëve bie mbi gratë të cilat tani po kalojnë mesatarisht më shumë se 30 orë në javë duke u kujdesur për ta. “Pas një viti në pandemi, ne nuk po shqetësohemi më vetëm për ngecjen e përparimit së barazisë gjinore. Tani po shohim mundësinë që një përparim i tillë mund të kthehet mbrapa. Ndikimi shkatërrues që Covid-19 ka pasur në jetesën e grave nuk duhet nënvlerësuar”, shkruhet në raport.
Anita Zaidi, presidente e fushës së barazisë gjinore te fondacioni Gates, tha se nivelet e varfërisë së grave pritej të binin për 2.7% gjatë periudhës 2019 -2021. “Por në fakt tani duket se varfëria për gratë do të rritet për 9%. Kjo do të thotë 50 milion gra më shumë në varfëri, “tha ajo.
“Shumë gra duhet të shkojnë në punë, përndryshe nuk kanë asgjë për të ngrënë dhe nuk kanë strehim. Kështu që nga dëshpërimi ato ia lënë në dorë vajzave të tyre më të mëdha kujdesin e fëmijëve, duke ia bërë të pamundur atyre kthimin në shkollë”, tha Zaidi.
Zaidi poashtu tha që përkujdesja ndaj fëmijëve duhet të subvencionohet dhe duhet të konsiderohet si çështje shoqërore, jo një problem për t’u zgjidhur nga gratë. “Kujdesi për fëmijët është një pengesë kritike për pjesëmarrjen e grave në forcën e punës ” tha ajo.
Javën e kaluar, Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për “prurjen e menjëhershme” të të ardhurave të përkohshme për të siguruar që gratë të cilat përballen me ndikimet më të ashpra ekonomike të Covid-19 të jenë në gjendje të mbijetojnë pandeminë.
Raporti u botua nga “International Development Research Centre, the Growth and Economic Opportunities for Women East Africa initiative”, “Bill & Melinda Gates Foundation, FemDev” si dhe “Initiative for What Works to Advance Women and Girls in the Economy”.