Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kur gratë dominojnë në fushat e shkencave, të tjerët i etiketojnë ato si “shkenca të buta”

QIKA 10.5.2022

Sipas një hulumtimi që unë dhe kolegët e mi e kemi kryer, një prej faktorëve që ndikon në përdorimin e etiketave ‘’shkencë e butë’’ apo ‘’shkencë e vështirë’’ del të jetë paragjykimi gjinor.

Pjesëmarrja e grave në disiplinat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (SHTIM) ndryshon. Edhe pse gratë gati kanë arritur barazinë gjinore në shkencat biomjekësore, ato ende e përbëjnë vetëm rreth 18% të studentëve që marrin diploma universitare në shkencat kompjuterike.

Në një seri eksperimentesh, ne e ndryshuam informacionin e studimit të cilët pjesëmarrësit duhej lexuar në lidhje me përfaqësimin e grave në fusha si kimia, sociologjia dhe shkencat biomjekësore. Pastaj, ne i thamë atyre që t’i kategorizonin këto fusha në ‘’shkencë e butë’’ ose ‘’shkencë e vështirë’’.

Në këto studime, pjesëmarrësit më së shumti e përshkruanin një disiplinë si një ‘’shkencë e butë’’ kur ata mendonin se më shumë gra punonin në atë fushë. Përveç kësaj, etiketa tjetër ‘’shkencë e butë’’ i shtyu pjesëmarrësit t’i zhvlerësonin këto fusha, duke i përshkruar ato si më pak rigoroze, më pak të besueshme dhe si më pak të merituara për financim.

Pse është e rëndësishme?

Përgjatë dekadës së fundit, një lëvizje në rritje i ka inkurajuar vajzat dhe gratë që të ndjekin arsimin dhe karrierën në SHTIM. Kjo lloj përpjekje nganjëherë përshkruhet si një mënyrë për të reduktuar diferencat në pagë.

Duke i inkurajuar gratë që të hyjnë në fusha që paguhen shumë si shkencë, teknologji dhe inxhinieri, përkrahësit e kësaj përpjekjeje shpresojnë që gratë të rrisin fuqinë e fitimit të tyre në krahasim me burrat. Disa të tjerë kanë shpresuar që, përderisa gratë tregojnë se ato mund të jenë të suksesshme në SHTIM, stereotipet seksiste rreth aftësive dhe interesit të grave në SHTIM do të shkatërrohen.

Megjithatë, sipas hulumtimit tonë, kjo gjë mund të mos jetë kështu. Stereotipet ndaj grave dhe SHTIM-it ende vazhdojnë, përkundër faktit se ka prova që gratë munden si dhe marrin pjesë në fushat e SHTIM-it. Këto stereotipe mund t’i shtyjnë njerëzit që thjeshtë t’i zhvlerësojnë fushat në të cilat gratë marrin pjesë. Kështu, edhe shkenca edhe matematika mund të përfundojnë në kategorinë e ‘’jakës rozë’’ (pink collar), në të cilën ka fusha që i zhvlerësojnë dhe i paguajnë më pak gratë.

Çfarë hulumtimesh të tjera po bëhen?

Në bazë të hulumtimeve të tjera, stereotipet ishin më të dobëta në mesin e njerëzve që diplomuan në disiplina shkencore që kanë pjesëmarrje të lartë nga gratë, si shkencat biologjike, në krahasim me ata që diplomuan në fusha që kanë më pak gra, si për shembull në inxhinieri. Ky zbulim sugjeron që në bazë të ekspozimit të grave në fushën tuaj, stereotipet tuaja gjinore mund të ndryshojnë gjithashtu.

Por studimet tona përputhen më shumë me hulumtimet e tjera të cilat sugjerojnë se, në vend që të zvogëlohen stereotipet gjinore, rritja e pjesëmarrjes së grave rezulton në zhvlerësimin e fushave në të cilat bëjnë pjesë një numër i madh i grave.

Kur gratë përbëjnë më shumë se 25% të studentëve të diplomuar në një disiplinë, burrat –në një masë më të vogël edhe gratë – bëhen më pak të interesuar për ta ndjekur atë disiplinë, kështu edhe pagat ulen. Disa studime tjera kanë zbuluar se një punë më shumë meriton një pagë më të ulët kur bënë pjesë në një ‘’fushë të grave’’, sesa kur ajo është pjesë e një ‘’fushe të burrave’’. Kështu, kjo sugjeron se prania e grave, e jo karakteristikat e punës apo fushës, është ajo çfarë çon deri në zhvlerësim dhe paga më të ulëta.

Çfarë nuk dihet ende?

Pjesëmarrësit të cilët punonin apo planifikonin të punonin në shkencë, kishin po aq gjasa sa edhe pjesa tjetër e popullsisë që të përdornin gjininë si një shenjë për të kategorizuar shkencat e buta dhe shkencat e vështira. Por tek shkencëtarët, ne nuk gjetëm asnjë lidhje midis kësaj tendence dhe besimeve të tyre në lidhje me aftësitë e grave në shkencë dhe matematikë. Në bazë të kësaj, nivelet e seksizmit tek shkencëtarët, nuk kishin lidhje me tendencën e tyre për t’i quajtur fushat me shumë gra si ‘’shkenca të buta’’.

Ne nuk e dimë se si shkencëtarët dhe jo-shkencëtarët përfunduan në një lidhje të njëjtë për sa i përket etiketimeve gjinore dhe atyre të shkencave të buta. Është e mundur që njerëzit qe punojnë në shkencë janë më të vetëdijshëm për normat kundër shprehjes së stereotipeve të tilla gjinore, që do të thotë se vetë-raportimet e këtyre njerëzve kanë më pak gjasa të pasqyrojnë besimet e tyre të vërteta, megjithatë ato përputhen më shumë me besimet e të jo-shkencëtarëve.

Por është gjithashtu e mundur që diçka tjetër është duke e shtyrë përdorimin e tyre kundrejt etiketës ‘’shkencë e butë’’. Për shembull, gratë që punonin në shkencë kishin më shumë gjasa t’i etiketonin fushat me shumë gra si ‘’shkenca të buta’’, sesa vetë burrat që punojnë në shkencë. Për disa gra që kanë përjetuar seksizëm në fushat e tyre, kjo mund të pasqyrojë tendencën për t’u distancuar nga gratë e tjera, si një formë për të mbrojtur veten e tyre nga të qenit objektiva/shënjestra të seksizmit.

Çfarë pritet më tej?

Përkrahësit e shkencës duhet të përballen me faktin se puna e grave në fushat shkencore mund të rezultojë në zhvlerësimin e fushave. Në mënyrë që shoqëria të përfitojë nga spektri i gjerë i disiplinave, përkrahësit duhet t’i trajtojnë stereotipet gjinore në një mënyrë më të drejtpërdrejtë.

Stereotipet gjinore rreth SHTIM-it mund të kenë ndikim edhe tek studentët se cilat fusha duhet t’i zgjedhin ata. Etiketimi i ‘’shkencës së butë’’ mund t’i largojë studentët me arritje të larta akademike të cilët duan të tregojnë pikat e tyre të forta –apo, anasjelltas, studentët që janë të pasigurt në aftësitë e tyre mund ta shmangin një drejtim që është i përshkruar si ‘’shkencë e vështirë’’.

Alysson Light

Ky artikull është përkthyer nga Arianita Kçiku në kuadër të programit të praktikës.

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://theconversation.com/more-women-in-a-stem-field-leads-people-to-label-it-as-a-soft-science-according-to-new-research-173724?fbclid=IwAR1MIC0HuPNzuSZIpnQ65keyBd-t5a3pnb0V5WMrdPtkzn2USQuvR6MKAg8