Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Legalizimi i abortit dhe barazia gjinore po preokupojnë kishën në Venezuelë

QIKA 31.3.2021

Peshkopët e Venezuelës shprehën shqetësimin e tyre sa i përket presionit të vazhdueshëm për legalizmin e abortit, si dhe promovimin e ideologjisë gjinore në Venezuelë. Këto shqetësime u adresuan nga Komisioni i Përhershëm i Konferencës së Ipeshkëve të Venezuelës me temën “Vlerat e mëdha njerëzore”. Në këtë konferencë u disktuta për çështjet e dinjitetit njerëzor, duke theksuar të drejtën për jetë si pikën themelore të vlerave religjioze.

Sipas Komisionit të Përhershëm të Ipeshkëve, vitet e fundit ka pasur gjithnjë e më shumë përpjekje për të instaluar idenë e legalizimit të abortit, me ç‘rast korporata të fuqishme ndërkombëtare kanë investuar shuma të mëdha parash për të imponuar abortin, si dhe konceptin e rremë të modernitetit.

Peshkopët e Venezuelës pohojnë se çështja e legalizimit të abortit po promovohet fuqishëm në Venezuelë, dhe se kjo përbën një shqetësim të madh për ta. Ata kundërshtojnë fuqishëm këtë ide, si dhe kritikojnë udhëheqësit politikë të cilët po e fuqizojnë atë përmes axhendave të tyre.

Kushtetuta e Venezuelës mbron jetën njerëzore që nga lindja e deri tek vdekja natyrale, si dhe mbështet konceptin e familjes tradicionale. Andaj Peshkopët e Venezuelës bënë thirrje urgjente për mbrojtjen e vlerave njerëzore dhe kundërshtimin e fuqishëm të atyre që duan të imponojnë një kornizë të re ligjore e cila sipas tyre shtrembëron kuptimin e jetës.

Në anën tjetër grupet feministe në Venezuelë po protestojnë në forma të ndryshme për të drejtën e grave për të vendosur vet mbi trupin e tyre. Sipas tyre lëvizja feministe po rritet sepse të drejtat e grave, përfshirë të drejtën për jetë, janë duke u cenuar.