Aktivistja feministe dhe drejtorja e organizatës QIKA, Leonida Molliqaj është paditur nga Xhevat Krasniqi për shkak të qëndrimeve dhe deklaratave të saj publike në RTV Dukagjini lidhur me rastin ku 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë e kishin denoncuar profesorin Krasniqi për ngacmim seksual.
Këtë padi Molliqaj e konsideron si padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), e cila sipas saj “ka për qëllim frikësimin, lodhjen dhe heshtjen e zërave kritikë përmes presionit ligjor”.
Kjo është padia e dytë e ngritur ndaj aktivistes Molliqaj për shkak të aktivizmit të saj publik, pasi që deklaratat e saj gjatë një aksioni protestues lidhur me rastin e një aktgjykimi seksist që kishte nxjerrë Gjykata në Gjilan për një rast dhunimi seksual, edhe më herët ishin bërë objekt i padisë ndaj saj.
“Përmes instrumentalizimit të sistemit të drejtësisë, këto padi synojnë të riprodhojnë hierarkitë gjinore ekzistuese, ku autoriteti, reputacioni dhe pushteti i burrave mbrohet, ndërsa zëri i grave vihet nën dyshim, delegjitimohet dhe kriminalizohet. Në këtë mënyrë, këto padi shërbejnë si mekanizma disiplinues që nuk synojnë drejtësinë, por kontrollin shoqëror, duke e kthyer frikën ligjore në mjet për të kufizuar hapësirën e pjesëmarrjes feministe në sferën publike”, shkruan ajo në rrjetin social Facebook.
Kujtojmë se Prokuroria e Prishtinës me 11 prill 2025 i ka ngritur aktakuzë Xhevat Krasniqit për ngacmime seksual dhe së fundmi Gjykata e Prishtinës ka refuzuar kërkesën e tij për hudhje të aktakuzës. Po ashtu, Krasniqi është i pezulluar nga puna në Universitetin e Prishtinës që nga data 23 prill 2024. Ky rast ishte shoqëruar me protesta dhe aksione simbolike të shumta nga aktivistët dhe studentët, si dhe deklarata publike të viktimave dhe dëshmitareve në media.