Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Lëvizja #MeToo sapo ka filluar në Ballkan

QIKA 11.2.2021

Gra nga Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnja po ngrisin zërin e tyre kundër ngacmimeve dhe sulmeve seksuale. E gjitha kjo filloi kur aktorja serbe Milena Radulovic akuzoi profesorin e saj të aktrimit për përdhunim të vazhdueshëm.

Në fillim të këtij viti, disa gra akuzuan profesorin dhe drejtorin e mirënjohur të aktrimit Miroslav Mika Aleksic për përdhunim dhe abuzim seksual. Ato ishin studente të tij dhe së paku njëra nga to ishte e mitur në kohën kur ka ndodhur abuzimi. Aktorja e suksesshme 26 vjeçare, Milena Radulovic ishte e para që theu heshtjen duke bërë storjen e saj publike. Në një intervistë për revistën serbe Blic, më 16 janar të këtij viti, ajo tha se Aleksic e kishte përdhunuar gjatë kohës kur ajo ishte e mitur. “Unë isha në shkollën e Mika Aleksic për gjashtë vjet kur ai më përdhunoi. Isha 17 vjeç, dhe përdhunimi u përsërit vazhdimisht”, tha ajo.

Në mbrëmjen kur u botua intervista e Milena Radulovic, autoritetet serbe reaguan duke arrestuar Miroslav Mika Aleksic. Sipas Prokurorisë serbe ai është i akuzuar për kryerjen e tetë veprave kriminale të përdhunimit në periudhën kohore 2008-2020, si dhe me shtatë vepra të paligjshme seksuale raporton Deutsche Welle.

Megjithatë, pati reagime të shumta nga shoqëria serbe kur aktorja Milena Radulovic tregoi për storjen e saj. Komente të tilla si “ajo është aktore, çfarë priste më shumë? Kjo është normale për profesionin e saj” tregojnë për mentalitetin dhe denigrimin që iu bëhet grave në rajon.

Rasti i Milenës shkaktoi reagime në tërë Ballkanin Perëndimor. Gra tjera të cilat ishin viktima të ngacmimeve seksuale jo vetëm në Serbi por edhe në Kroaci, Mal të Zi si dhe Bosnjë dhe Hercegovinë filluan të ndajnë tregimet e tyre. Një ndryshim i vogël filloi me Ana Tikvic, ish-studente e Akademisë Skenike në Sarajevë e cila filloi iniciativën “Nisam trazila” (Nuk e lypa!) së bashku me tri koleget e saj. Faqja e saj në Facebook pati më shumë se 40.000 ndjekës në pak javë, dhe më shumë se 4.000 mesazhe anonime në të cilat tregohej për dhunën seksuale në tërë rajonin.