Alb Eng
Për QIKA
Lexime

7 mënyra se si gratë me ngjyrë i rezistuan racizmit vitin e kaluar

QIKA 24.2.2021

Vrasja e George Floyd në maj të vitit të kaluar shkaktoi kryengritje dhe diskutime rreth racizmit në shumë vende të botës. Lëvizja Black Lives Matter e themeluar më 2013 në SHBA nga tri gra të zeza u bë globale në një shkallë të lartë.

Përderisa racizmi është një çështje që kapërcen kufijtë (epërsia e të bardhëve në fund të fundit ishte projekt kolonial), ai merr forma të ndryshme në kontekste të ndryshme. Ajo që përbën racizëm në Kanadë mund të duket krejt ndryshe nga racizmi në Indi ose Brazil.

Si pjesë e fushatës #12DaysofResistance, vërejmë 7 forma të aktivizmit kundër racizmit që u drejtuan nga gratë në mbarë botën.

Gjermani, gratë migrante dhe refugjate tërhoqën vëmendjen ndaj dhunës policore.Në fillim të qershorit 2020, një grup i quajtur International Women Space (IWS) theksoi dhunën nga zyrtarët e policisë ndaj grave që jetojnë në depot e Berlinit, ku strehohen azilkërkuesit. Gjithashtu, IWS inicioi ‘Raportet e Depos’, të cilat dukej se po e luftonin izolimin duke i kthyer gratë në reportere në front të pandemisë COVID-19 në qendrat e akomodimit të refugjatëve.

Liban, punëtorët shtëpiak po luftonin “kafala”, apo sistemin e sponzorizimit. Punëtorët migrantë, shumë prej të cilëve vijnë nga Etopia dhe vende të tjera afrikane e aziatike, përjashtohen nga ligjet e punës që përcaktojnë pagat minimale dhe orët maksimale. Statusi ligjor i punëtorëve të huaj lidhet me punëdhënësin e tyre, gjë që mund të çojë në shfrytëzim dhe abuzim. Organizatat lokale kanë bërë fushata për heqjen e sponsorizimit. Në fillim të vitit 2020, lëvizja kundër racizmit (ARM) lansoi një video të quajtur ‘Jepi fund mbylljes së tyre’, e cila tërheq paralele mes kufizimeve të shtetit për COVID-19 dhe realitetit të përditshëm për shumë punëtorë migrantë në Liban.

Shpresat u rritën në shtator, kur Lamia Yammine ministrja e atëhershme e punës në Liban, lajmëroi një kontratë të re që do të “shfuqizonte sistemin e sponsorizimit dhe përcaktonte të drejtat e punëtorëve migrantë”. Kontrata e re u refuzua përfundimisht, por rritja e vullnetit politik për të mbrojtur këtë grup është një rezultat premtues i përpjekjeve të aktivistëve.

Numra rekord të grave të zeza kandiduan dhe fituan ulëse në zgjedhjet komunale të Brazilit. Para zgjedhjeve lokale të Brazilit në nëntor, u raportua se si shumë gra, duke përfshirë edhe gra të zeza po kandidonin për zgjedhje komunale përmes kandidaturave kolektive më shumë se kurrë më parë, duke sfiduar kështu qasjen individualiste të politikës. Lajm edhe më i mirë ishte se shumica e tyre fituan, dhe një numër i madh i grave trans u zgjodhën në këshillin e qytetit.

Itali, aktivistët e rinj shfrytëzuan fuqinë e mediave sociale për të zhvilluar diskutime shumë të nevojshme rreth racizmit. Emigrantët e brezit të ri dhe të dytë në Itali po përdorin Instagram-in për të rritur ndërgjegjësimin për racizmin në familje. Duke postuar fotografi të njerëzve nga grupe të ndryshme të pakicave etnike që mbanin një tabelë ku shkruhej ‘#EndeJamGjallë’, llogaria @iamstillalive fitoi më shumë se 5000 ndjekës. Në të gjithë botën, llogari të ngjashme të tilla si @la.charge.raciale në Francë dhe @zetjein në Holandë demonstrojnë potencialin unik të mediave sociale si një mjet ku dëgjohet zëri i të rinjve dhe shfaqen diskutimet mbi racizmin.

Indi, gratë Dalit po luftonin për të drejtat e tokës. Përderisa, epërsia e të bardhëve dhe ngjyra janë çështje aktuale në Indi, ku të kuptuarit e racizmit kombëtar kërkon të flasësh për sistemin historik të kastës, në të cilin Dalit (që dikur quheshin ‘të paprekshëm’) janë në fund të shkallës shoqërore, politike dhe ekonomike. Për gratë Dalit, kjo përkthehet gjithashtu në nivele më të larta të sulmeve seksuale.

Por, gratë Dalit refuzuan t’i pranojnë këto padrejtësi. Një fushë e rëndësishme e betejës është vetë toka: projektligji i miratuar së fundi përjashtoi fermerët Dalit nga shitja e tokave. Si përgjigje, gratë Dalit bojkotuan shitjet, duke grumbulluar burimet e tyre për të krijuar një sistem alternativ për të mbështetur komunitetin e tyre.

(Vlen të përmendet se sistemi i kastave është gjithashtu një problem jashtë Indisë: në tetor 2020, tridhjetë gra inxhiniere thyen heshtjen se si diskriminimi i bazuar në kastë ka qenë prezent në luginën Silicon në SHBA)

SHBA, gratë indigjene luftuan shtypjen e votuesëve dhe fituan vende në Kongres si kurrë më parë. Për komunitetet indigjene amerikane që jetojnë në zonat rurale si dhe për grupet e tjera të margjinalizuara votimi është sfidues: kutitë e votimit janë të pakta dhe shumë shtete kërkojnë adresë të përhershme të banimit për tu regjistruar për të votuar, kjo përjashton shumë votues vendas. Por, aktivistët pranuan sfidën dhe u mobilizuan, me rezultate marramendëse në zona të tilla si regjioni Apache, i cili pati një rritje prej 116% të pjesëmarrjes së votuesëve krahasuar me zgjedhjet e vitit 2016.

Për më tepër, 18 gra indigjene garuan për Kongres, që ishte rekord për një vit të vetëm. Jo vetëm që përfaqesuesit demokratë Deb Haaland dhe ShariceDavids mbajtën vendet e tyre, por atyre iu bashkua edhe republikania Yvette Herrell.

Gjithashtu, duhet të përmendim platformat ndër-sektoriale, kundër racizmit dhe ato feministe që po shfaqen në të gjithë internetin. Kontekstet kombëtare dhe kulturore janë thelbësore për të kuptuar luftën globale kundër racizmit, por aktivizmi kundër racizmit mund të shtrihet edhe përtej kufijve. Sfera dixhitale është shembull i kësaj filluar nga Az Mina në Brazil tek grupi i vajzave në Mbretërinë e Bashkuar, te feminizmi në Indi, te Salty World dhe @changingwomxn në SHBA. Dekada e kaluar ka pasë një rritje të pabesueshme të numrit të grave të zeza që prodhojnë mediat e tyre dhe kanë kontroll mbi rrëfimet e tyre.

E përktheu: Greta Avdyli

Teksti origjinal mund ta gjeni në:

https://www.commondreams.org/views/2020/12/31/7-ways-women-colour-resisted-racism-year

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.