Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Ngrirja e vezëve dhe e vërteta e papërshtatshme për gratë që punojnë

QIKA 3.9.2026

Të dielën, kongresistja nga Nju Jorku, Alexandria Ocasio-Cortez, publikoi një video në Instagram. Ajo ishte ulur në një divan ngjyrë bezhë, e veshur me xhinse dhe një triko, ndërsa pranë saj është bulldogu i saj francez, Deco. Atmosfera është intime, me atë ndjesinë e lehtë të tensionuar që të kujton videot e “unboxing”-ut. Në tavolinën e kafesë përballë saj janë vendosur një sërë shishe të vogla dhe tamponësh.

“Mirë atëherë,” thotë ajo. “Dita e parë e ngrirjes së vezëve të mia. Po futem në këtë proces.”

Ajo i mbledh flokët pas dhe merr frymë thellë. Më pas ngre bluzën dhe i injekton vetes një injeksion në bark.

“Mos u bëni të çuditshëm për këtë,” thotë ajo. “Edhe pse e di që të gjithë do të bëheni.”

Paralajmërim: njerëzit u treguan të çuditshëm. Vendimi i Ocasio-Cortez për të ndarë publikisht përvojën e ngrirjes së vezëve ka nxitur një debat të ashpër dhe reagime të hutuar e të shqetësuara nga konservatorët.

Duke postuar në platformën X, komentatori i krahut të djathtë Matt Walsh e quajti vendimin e Ocasio-Cortez “krejtësisht të prapambetur dhe qesharak”. “Ajo do të mbushë 37 vjeç pas disa muajsh. Nëse do të mbetej shtatzënë tani, teknikisht do të konsiderohej një shtatzëni geriatrike. Në vend të kësaj, ajo po ngrin vezët,” shkroi ai. “Kjo dëshirë për të pasur fëmijë në moshë të madhe është krejtësisht e pakuptueshme për mua.” Më tej, ai tha “Unë do të kem fëmijë në të njëzetat e tyre deri në kohën kur të mbush 50 vjeç. AOC, me sa duket, dëshiron të ketë një fëmijë të vogël në atë moshë.”

Ndërkohë, podkasterja konservatore Katie Miller, e martuar me Stephen Miller, zëvendës-shefin e kabinetit të Presidentit Donald Trump për politikë, dhe shkroi në X “Në mbarë botën kemi nivele historikisht të ulëta të lindshmërisë. Nëse një grua dëshiron të ruajë të drejtën e saj për të pasur fëmijë, që do të thotë të ketë më shumë fëmijë në vend sesa të mos ketë fare, duhet ta festojmë këtë.” Por lavdërimi i Miller kishte edhe një thumb. “Më shumë gra duhet të martohen dhe të kenë fëmijë më të reja,” shkroi ajo, “por shumë gra besojnë te gënjeshtra feministe dhe i kalojnë vitet e tyre riprodhuese duke u ngjitur në shkallët e karrierës.” Ajo vazhdoi me një zgjidhje të çuditshme për problemin e rënies së lindshmërisë: “Kur shoqëria të ketë më shumë foshnja dhe më shumë gra e burra të rinj ekspozohen ndaj më shumë foshnjave, atëherë do të ketë më shumë foshnja në botë.” Problemi u zgjidh!

Në ditët pasi Ocasio-Cortez filloi të dokumentonte procesin e ngrirjes së vezëve, nisën të qarkullonin thashetheme për statusin e marrëdhënies së saj. A ishte ende e fejuar me të dashurin e saj që nga koha e universitetit, zhvilluesin e faqeve të internetit me flokë të kuqe, Riley Roberts? Çfarë mendonte ai për vendimin e saj? Komentuesit vunë re se ajo kohët e fundit nuk kishte mbajtur unazën e fejesës dhe se Roberts nuk ishte fotografuar pranë saj. Të mërkurën, The New York Times raportoi se lidhja e tyre kishte “përfunduar në heshtje prej disa kohësh”. (Ocasio-Cortez nuk e ka konfirmuar ndarjen.) Kjo nxiti edhe më shumë spekulime rreth mundësive të saj si një grua e re dhe beqare, në rast të një kandidimi të ardhshëm për Presidente, një mundësi që ajo nuk e ka përjashtuar.

Influencueri i lëvizjes “looksmaxxing” (një term që i referohet përpjekjeve për të përmirësuar sa më shumë pamjen fizike), Clavicular, shfrytëzoi rastin për të deklaruar gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë: “Unë do të martohem me të, hajde.”

Të shtunën e kaluar, Ocasio-Cortez kishte publikuar disa video në të cilat shpjegonte, në një mënyrë të çlirët, pse kishte vendosur t’i ngrinte vezët dhe pse dëshironte ta bënte këtë publikisht. Shumica e arsyeve të saj do të jenë të njohura për gratë e brezit mijëvjeçar të një grupi të caktuar demografik. (Disa nga rrethanat, si fakti që ajo është gruaja më e re e zgjedhur ndonjëherë në Kongres dhe se është dashur të “rritet nën sytë e publikut”, sigurisht që jo.)

“Zakonisht, jetën time private e mbaj mjaft private, por kam marrë vendimin të filloj t’i ngrij vezët,” thotë ajo në njërën prej videove, duke iu drejtuar kamerës. “Dhe dua ta ndaj këtë me ju sepse e kam menduar për një kohë shumë të gjatë dhe kam kursyer për këtë për një kohë shumë të gjatë. Thjesht nuk ka shumë informacion në dispozicion, të paktën kështu më duket mua dhe ndonjëherë mund të duket vërtet frikësuese.”

Ajo vazhdon “Në përgjithësi, si gra, neve nuk na mësojne shumë për trupat tanë. Nuk përgatitemi për jetën tonë,” që nga puberteti e deri te menopauza. Pavarësisht nëse dëshiron apo jo të kesh fëmijë, thotë ajo, “mendoj se duhet të shohim më shumë shembuj të grave që jetojnë jetë të plota, në çdo rrethanë dhe pavarësisht zgjedhjes që bëjnë.” Ajo e paraqet vendimin e saj si një akt fuqizues “Kjo është një zgjedhje që po e bëj për të ndier se kam më shumë kontroll mbi jetën time.”

Kongresistja nuk është e vetmja që mendon kështu. Numri i grave në SHBA që i ngrijnë vezët për arsye jo mjekësore është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2014, rreth 4 mijë amerikane zgjodhën t’i ngrinin vezët, sipas Shoqatës për Teknologjinë e Riprodhimit të Asistuar. Deri në vitin 2024, ky numër ishte rritur në afro 40 mijë. Ka disa faktorë që kanë ndikuar në këtë rritje. Në vitin 2012, Shoqata Amerikane për Mjekësinë Riprodhuese hoqi termin “eksperimentale” nga përkufizimi i ngrirjes së vezëve. Më parë, ngrirja e vezëve përdorej kryesisht për ruajtjen e fertilitetit në raste urgjencash mjekësore, si trajtimet për kancerin. Edhe kompanitë kanë luajtur një rol, për shembull Apple dhe Facebook prej kohësh mbulojnë ngrirjen dhe ruajtjen e vezëve për punonjëset e tyre, si procedurë të zgjedhur prej tyre.

Por suksesi nuk është i garantuar. Mosha ende ka rëndësi. Gratë në të njëzetat kanë vezë më të shëndetshme dhe në sasi më të madhe sesa gratë në të tridhjetat. Sa më shumë vezë të ketë, aq më e madhe është mundësia për të krijuar një embrion të qëndrueshëm. Kjo ka bërë që disa prindër në Silicon Valley të paguajnë për ngrirjen e vezëve të vajzave të tyre si dhuratë për diplomim.

Një nga aftësitë e jashtëzakonshme të Ocasio-Cortez është mënyra se si arrin të duket si një person krejt i zakonshëm, edhe kur ajo që po bën është dukshëm e jashtëzakonshme. Në një video, ajo u tregon ndjekësve se do të marrë pjesë në emisionin televiziv të ABC-së, “This Morning”, “si pjesë e punës sime”.

“Për shkak të orarit, do të më duhet t’i bëj injeksionet në dhomën e gjelbër para intervistës. Dhe dua që ju ta shihni këtë, sepse gratë mund të bëjnë gjithçka,” thotë ajo. “Dhe mendoj se është fantastike që do të jem, e dini, duke i bërë vetes injeksione në dhomën e gjelbër, duke u rregulluar, pastaj do të dal, do të flas për ngjarjet ndërkombëtare, politikat e brendshme, zgjedhjet, do të dal prej aty dhe do të vazhdoj jetën time, do të bëj atë që bëj.”

Videot pasuese, në të cilat ajo shfaqet me një xhaketë të errët duke përgatitur ilaçet në dhomën e gjelbër, krijojnë imazhe të fuqishme. Ajo është aty, duke u rregulluar për flokët dhe grimin, duke i injektuar vetes hormone dhe më pas duke folur qartë në televizionin drejtpërdrejt. E gjithë kjo është padyshim mbresëlënëse, megjithatë fjala “fantastike” më mbeti në mendje si një notë që nuk tingëllonte siç duhej.

Ngrirja e vezëve shpesh paraqitet si një zgjedhje fuqizuese, por kostot që lidhen me të nuk janë të papërfillshme. Ekziston barra financiare, shumica e politikave të sigurimit, përfshirë atë të Ocasio-Cortez, nuk e mbulojnë ngrirjen ose ruajtjen e vezëve, si dhe barra fizike mbi trupin e gruas. Është interesante se një studim i fundit nga UCLA zbuloi se vetëm rreth 6% e grave që i ngrijnë vezët kthehen më vonë për t’i përdorur ato.

Teksa shikoja kongresisten, vazhdimisht dëshiroja të ekzistonte një rrugë alternative: një rrugë ku mundësitë për një grua ambicioze që punon të mos kufizoheshin vetëm te zgjedhja mes të pasurit fëmijë shumë të reja, siç do të dëshironin konservatorët, ose shtyrjes së mëmësisë përmes procedurave të kushtueshme dhe të pakëndshme.

Është një e vërtetë e pakëndshme që vitet kur shumë gra ndihen të gatshme për të krijuar familje, mesi deri në fundin e të tridhjetave, janë njëkohësisht edhe vitet kulmore për avancimin në karrierë. Për Ocasio-Cortez, pasojat janë edhe më të mëdha. Jo shumë prej nesh po mendojnë të kandidojnë për Presidente. Por çështjet janë të ngjashme.

Krahas ngritjeve në detyrë, shumë gra të reja po bëjnë në heshtje një lloj pazari me kohën dhe trupin e tyre. Sa gjatë mund të pres? Çfarë jam e gatshme të sakrifikoj?

Në vend që të ndërtojmë një shoqëri që i merr parasysh këto shqetësime, kemi ndërtuar një shoqëri që i trajton ato si çështje të parëndësishme, si çështje private që gratë duhet t’i përballojnë në heshtje, sikur të ishin një punë e dytë sekrete.

Një pjesë e zgjuarsisë së Ocasio-Cortez qëndron në faktin se ajo i bën të dukshme këto llogaritje të vështira. Ndoshta duhet të shkojë edhe më tej. Në njërën prej videove të saj, ajo duket se e prek këtë pabarazi, sikur po teston terrenin.

“Thjesht nuk është diçka me të cilën përballen burrat,” thotë ajo. “Burrat kandidojnë për poste publike ose, për të qenë të sinqertë, aplikojnë për punë, dhe njerëzit nuk mendojnë në prapaskenë: ‘Mirë, ky burrë po kandidon për një post, sa vjeç është? A do të dëshirojë të krijojë familje? Nëse po, apo nëse jo, a ka bërë një zgjedhje në lidhje me këtë?’”

Ajo vazhdon: “Dhe nuk jam këtu për të folur nëse kjo është e drejtë apo e padrejtë në këtë kontekst. Kjo është thjesht bota në të cilën jetojmë sot.”

Anna Russell

Përkthyer nga Anita Vllahiu

Artikullin origjinal mund ta gjeni këtu