Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Pse perimenopauza është ende një mister?

QIKA 23.6.2021

Mbi 1 miliard gra në të gjithë botën do të përjetojnë perimenopauzën deri në vitin 2025. Mirëpo, arsyeja pse nuk dimë shumë për të është rrjedhojë e një kulture e cila për vite të tëra ka anashkaluar këtë proces.

Angie McKaig e quan “peri-truri” në takime. Kjo ndodhë kur 49 vjeçarja ka momente të mjegulluara që lidhen me perimenopauzën, të cilat janë aq të forta sa që ajo harron se çka po mundohet të thotë në mes të fjalisë. Ndonjëherë kjo ndodhë kur ajo është duke prezantuar para kolegëve të saj për marketingun dixhital në bankën më të madhe të Kanadasë në Toronto. Por, kjo mund t’i ndodhë kudo, ajo ka harruar dy herë adresën e shtëpisë së saj.

Këto simptoma ishin befasi kur zonja McKaig filloi t’i përjetonte ato në vitin 2018, menjëherë pasi i vdiq nëna. Ajo kishe menstruacione të çrregullta, momente kur i vinte shumë nxehtë, pagjumësi dhe rënie masive të flokëve së bashku me problemet me kujtesën që ajo i përshkruan “sikur dikush të më kishte marrë trurin dhe të kishte bërë një skicë Etch A” që nënkupton sikur të kishte tundur atë derisa të ishte bosh.

Ajo mendoi se mund të kishte simptoma të hershme të Alzheimer, ose se këto ndryshime ishin një përgjigje fizike e pikëllimit të saj, derisa terapisti i saj i tha se simptomat e saj ishin shenja tipike të perimenopauzës, e cila njihet si vitet e fundit të jetës riprodhuese të një gruaje deri në ndërprerjen e menstruacioneve të saj, ose fillimit të menopauzës. Zakonisht fillon në të 40-tat e një gruaje dhe karakterizohet nga hormone të luhatshme dhe një sërë simptomash mendore dhe fizike që janë “mjaft shqetësuese” ku 90% e grave shkojnë tek mjekët e tyre për këshilla se si ta përballojnë situatën.

Zonja McKaig është shumë transparente në punë për gjendjen e saj të “peri trurit”, sepse ajo “e kuptoi se sa pak njerëzit flasin për këtë dhe sa pak informacion na jepet. Kështu që jam përpjekur që ta normalizoj këtë gjendje”, tha ajo.

Një statistikë e cituar shpesh nga Shoqata e Menopauzës në Amerikën e Veriut është se deri në vitin 2025, më shumë se 1 miliard gra në të gjithë botën do të përjetojnë post-menopauzën. Studimi shkencor i perimenopauzës ka vazhduar për dekada dhe diskutimi kulturor i këtij kapërcimi të mendjes dhe trupit është bërë njëlloj si të flasim për një lloj ethe të re, me disa libra mbi këtë temë dhe buja e kompanisë “femtech” që zotohen për të prishur perimenopauzën.  

Nëse përvoja e perimenopauzës është kaq universale, pse pothuajse çdo person i intervistuar për këtë artikull tha diçka të tillë si: askush nuk më ka thënë se do të jetë kështu?

“Ju po dëgjoni atë që po dëgjoj edhe unë, ‘Askush nuk më ka treguar kurrë për këtë, nëna ime nuk më ka treguar kurrë për këtë,’ dhe unë kisha të njëjtën përvojë me nënën time vite më parë”, tha Dr. Lila Nachtigall, profesoreshë e obstetrikës dhe gjinekologjisë në N.Y.U në Shkollën e Mjekësisë Grossman, e cila ka trajtuar gratë në perimenopauzë për 50 vite, dhe është këshilluese në telemjekësinë Elektra Health.

Dr.Nachtigall tha se nënës së saj i vinte shumë nxehtë, edhe pse jetonin në të njëjtën shtëpi kur nëna e saj po përjetonte simptomat e perimenopauzës, ato kurrë nuk diskutuan për këtë gjë. “Kjo është pjesë e tabusë. Ti duhet të vuash në heshtje.”

Fshehtësia rreth funksioneve të pjesëve intime të trupit të grave është ndër arsyet që ekspertët përmendin për mungesën e njohurive publike për shëndetin e grave në moshë të mesme. Por të kuptuarit mjekësor dhe kulturor të perimenopauzës përmes historisë zbulohet se si ky rit i kalimit, ndonjëherë i krahasuar me pubertet të dytë është anashkaluar dhe ka qenë pak i diskutuar.

Nga “ferri i grave” tek “mosha e përtritjes”:

Sipas Susan Mattern, profesore e historisë në Universitetin e Gjerogjisë, në librin e saj “The Slow Moon Climbs: The Science, History and Meaning of Menopause” thotë se megjithëse grekët dhe romakët e lashtë e dinin që pjelloria e një gruaje përfundon në moshën e mesme, ka pak referenca për menopauzën në tekstet e tyre.

Termi “menopauzë” nuk u përdor deri rreth vitit 1820, kur u shpik nga mjeku francez Charles de Gardanne. Sipas Dr. Mattern para termit “menopauzë”, në biseda përdorej “ferri i grave”, “pleqëria e gjelbër” dhe “vdekja e seksit”. Dr. de Gardanne citoi 50 gjendje që lidhen me menopauzën që tingëllojnë disi absurde për modernitetin, të tilla si “epilepsi, nimfomani, histeri dhe kancer.”

Mjekët në shekullin XIX besuan se marrja e lajmeve të këqija mund të shkaktonte menopauzë të hershme dhe se gratë që punonin në profesione që nuk konsiderohen për gra, të tilla si peshkataria, ishin më të rrezikuara, sipas “The Curse: A Cultural History of Menstruaion” nga Emily Toth, Janice Delaney dhe Mary Lupton. Këta mjekë viktorianë gjithashtu besuan se gratë në menopauzë pësuan rritje të gjinjve dhe përjetuan një “humbje të hirit femëror”.

Gjërat nuk u përmirësuan për gratë në perimenopauzë gjatë gjysmës së fundit të shekullit XIX. Sipas “The Curse”, “një grua që konsultohej me gjinekologun amerikan Andrew Currier në 1890 do t’i thuhej se shushunjat ishin ilaçi efektiv për organet gjenitale” e njohur si dhimbja e legenit. Mjekë të tjerë të epokës menduan se gratë në periudhën e menopauzës ishin më të ndjeshme ndaj sëmundjeve mendore, të tilla si “irracionaliteti i sëmurë”, “forma të vogla të histerisë”, melankolia dhe impulse për të vjedhur dhe vrarë.”

Në gjysmën e parë të shekullit XX, u zbulua hormoni estrogjen dhe u sqarua deri diku roli i tij në menopauzë, pra, pasi menstruacionet e një gruaje ndalojnë, nivelet e saj të estrogjenit janë më të ulëta sesa që ishin gjatë viteve të saj pjellore. Edhe pse mjekët nuk mendonin më se gratë në menopauzë ishin vrasëse, idetë kulturore rreth tyre mbetën të njëjtat.

Në vitet 1980 studimet afatgjata të cilat ndoqën një grup të grave për vite me radhë, thelluan njohuritë e publikut për rolin e hormoneve gjatë menopauzës. Para kësaj, mjekët mendonin se perimenopauza ishte një kullim i ngadaltë i niveleve të estrogjenit derisa të ndalonin menstruacionet. “Por ajo që kemi mësuar është se ky është proces i trazuar dhe hormonet lëvizin”, tha Dr. Stephanie Faubion, drejtore mjekësore e Shoqatës se Menopauzës në Amerikën e Veriut.

Edhe tani perimenopauza përshkruhet në hulumtimet mjekësore si një “periudhë e sëmundjes” e karakterizuar kryesisht nga shterimi i vezores dhe nga menstruacione të çrregullta (por nëse dikush ka çrregullime të menstruacioneve që moti, njëlloj siç kanë 14-25% e grave, është vështirë të dallosh se kur fillon ky tranzicion). Kjo periudhë kohore shpesh quhet menopauzë në gjuhën e zakonshme, por menopauza në gjuhën mjekësore përkufizohet vetëm si një ditë, pra dita e fundit e menstruacioneve, edhe pse diagnostikohet kur ka kaluar një vit i tërë pa menstruacione.

Për shkak se hormonet luhaten fuqishëm gjatë perimenopauzës, mund të jetë e vështirë të testohet. Mosha mesatare e fillimit të perimenopauzës është 47 vjeç dhe mosha mesatare e menopauzës është 51, megjithatë gjatësia e periudhës së tranzicionit mund të jetë më e madhe dhe shfaqja e simptomave mund të ndodhë herët ose vonë.

Ekzistojnë katër simptoma të perimenopauzës që janë më të zakonshmet: nxehtësia e madhe, problemet me gjumë, depresioni dhe thatësia vagjinale e njohur si “katërshja thelbësore” sipas ekspertëve të menopauzës. Por pasqyra e plotë e simptomave që lidhet me tranzicionin e perimenopauzës “nuk dihet ende”, tha Dr. Nanette Santoro, kryetarja e obstetrikës dhe gjinekologjisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Kolorados. Në këtë pikë, periudha e perimenopauzës shoqërohet me rreth 34 sëmundje të ndryshme duke filluar nga rënia e flokëve deri të “sindroma e djegies së gojës”, e cila është një ndjesi shpuese ose mpirjeje në buzë, mish dhe gjuhë.

Ekziston edhe ajo që Dr. Faubion i referohet si “vakuumi i menaxhimit të menopauzës”. Siç i shpjegoi ajo Lisa Selin Davis, kontribueses së Times, asnjë specializim mjekësor nuk “zotëron” me të vërtetë trajtimin e grave në perimenopauzë dhe menopauzë, sepse simptomat prekin shumë sisteme dhe pjesë të ndryshme të trupit. Për më tepër, më pak se 7% e mjekëve thanë se ndiheshin “të përgatitur në mënyrë adekuate” për të menaxhuar gratë që përjetojnë menopauzën.

Megjithëse imazhet e grave të moshës së mesme janë përmirësuar përfundimisht, një meme e njohur krahason Jennifer Lopez, e cila në moshën 50 vjeçare po vallëzonte në Super Bowl me Rue McClanahan, e cila në moshën 51 vjeçare në 1985 ishte në “Golden Girls”, pra ka ende shumë progres për tu bërë. Këtë vit një fjalor arabisht në internet ndryshoi përshkrimin e menopauzës nga “mosha e dëshpërimit” në “moshën e përtritjes”.

Me tërë këtë prapavijë negative kulturore, kaq të panjohura rreth simptomave dhe kohës, si dhe kaq pak mjekë që janë të sigurtë në trajtimin e grave të moshës së mesme, “nuk është çudi që njerëzit janë të hutuar”, tha Dr. Nachtigall.

Një moment:

Ajo që Angie McKaig po përpiqet të bëjë në një nivel mikro duke ndarë lirishëm përvojat e saj të menopauzës më kolegët e saj, fillestarët e kujdesit shëndetësor, kompanitë e bukurisë dhe ajo që po bëjnë shkrimtarët në një nivel makro është ngritja e vetëdijes për përvojën e kësaj periudhe në jetën e një gruaje.

Kompanitë “Femtech” siç janë ofruesit e telemjekësisë Elektra Health dhe Gennev po shkojnë drejt tregut të perimenopauzës. Stilistja Stacy London, sapo ka hapur një kompani të kujdesit të lëkurës të quajtur “The State of Menopause”, dhe persona të famshëm si Michelle Obama dhe Gwyneth Paltrow kanë folur sinqerisht për simptomat e tyre të perimenstropauzës (edhe pse Paltrow e bëri këtë në shërbim të promovimit të një suplementi të quajtur “Madam Ovary” që ajo e shet në faqen e saj të internetit Goop).

Librat nga Heather Corinna, eksperte e shëndetit seksual, si dhe nga Dr. Jen Gunter, kontribuues në Times dhe Gjinekologe/Obstetrike, janë publikuar këtë pranverë; gazetat dhe komuniteti online si TueNight dhe The Black Girl’s Guide to Surviving Menopause janë duke marrë vëmendjen e mijëra lexuesëve.

Një komunitet që synon të bashkojë gratë gjatë tranzicionit të tyre në perimenopauzë quhet The Woolfer, i emëruar sipas shkrimtares Virginia Woolf. Ueb faqja dhe platforma sociale filluan si një grup në Facebook i quajtur “What Would Virginia Woolf Do? Emri i grupit u formua si “shaka e errët”, tha 51 vjeçarja Nina Lorez Collins, njëherit themeluese dhe drejtore ekzekutive e The Woolfer, në kuptimin që “A duhet vetëm të marrim një peshqir dhe të bredhim lumenjve”, siç bëri Woolf?

Përgjigja natyrisht që është jo. Zonja Collins tha se grupi i saj i ka ndihmuar gratë të normalizojnë simptomat më tronditëse të tranzicionit të menopauzës. Ato poashtu kanë filluar të konsiderojnë udhëtimin drejt menopauzës si një triumf dhe jo si diçka e parëndësishme.

Zhvendosja e narrativës dhe të kërkuarit ndihmë:

Megjithëse perimenopauza paraqet simptoma të ndryshme, ka trajtime të disponueshme. Sidoqoftë, “nuk ka një zgjidhje të vetme”, tha Dr. Faubion. Trajtimi varet nga simptomat: Nëse është problemi i gjakderdhjes së rëndë apo të çrregullt, por një pajisje intrauterinare ose një pilulë e kontrollit të lindjes mund të ndihmojnë. Një dozë e ulët e pilulës së kontrollit të lindjes gjithashtu mund të lehtësojë periudhat kur na vjen shumë nxehtë. “Pilulat e kontrollit të lindjes përbëhen nga shumë ndërrime dhe kombinime të ndryshme të hormoneve”, është e rëndësishme të diskutohet se cila është e duhura bazuar në historinë mjekësore dhe nevojat individuale, tha Dr. Nachtigall. Nëse problemet me humorin janë ankesa më e madhe, përdorimi i anti-depresantëve mund të jetë i përshtatshëm. (Terapia hormonale mund të jetë një mundësi për disa gra për të ndihmuar në lehtësimin e simptomave, por ajo zakonisht përshkruhet pas menopauzës).

Studimet e vazhdueshme afatgjata janë duke hasur lidhshmëri mes grave me simptoma të forta të perimenopauzës në moshën e mesme dhe rreziqe nga sëmundjet e zemrës dhe osteoporozës në vitet e mëvonshme. Aktualisht, nuk ka prova që mbështesin përdorimin e vitaminave ose suplementeve bimore ose magnez, që bie në kundërshtim me pretendimet se këto produkte ndihmojnë në periudhat kur gratë mund ta kenë  shumë nxehtë.

Pavarësisht hulumtimeve të zgjeruara dhe të vazhdueshme, të gjesh një mjek të ditur i cili nuk diagnostikon gabim simptomat ose që të tregon se nuk mund të bëjnë asgjë është një sfidë për shumë gra. Znj. McKaig tha se megjithëse terapisti i saj e diagnostikoi atë me perimenopauzë, mjeku familjar i saj i tha se kjo gjendje nuk mund të jetë perimenopauzë për shkak që ajo ende ka menstruacione ndonjëherë. Ajo tha se “ka hequr dorë nga përpjekjet për ta edukuar atë”.

Për gratë e zeza ekziston një tjetër vështirësi në gjetjen e një mjeku të duhur, për shkak të paragjykimeve racore mbi simptomat. Siç theksoi The Washington Post këtë vit, gratë e zeza “kanë një rrezik më të lartë të përjetojnë nxehtësi të shumtë trupore, por ka më pak të ngjarë tu ofrohet terapi efektive e zëvendësimit të hormoneve”. Jennifer White, 46 vjeçare, gazetare e cila u zhvendos së fundmi në zonën e Washington D.C, ka përjetuar pagjumësi që lidhet me perimenopauzën, si dhe menstruacione të dhimbshme dhe të çrregullta për një vit të tërë. “Të gjesh një mjek të duhur që merr seriozisht shqetësimet e mia si një grua e zezë dhe që nuk më thotë të mos shqetësohem, është shumë e rëndësishme”, tha ajo.

Ueb faqja e Shoqatës së Menopauzës së Amerikës Veriore liston mjekë të kualifikuar brenda dhe jashtë vendit, por nëse jeton jashtë zonave kryesore metropolitane, zgjedhjet mund të jenë të pakta (p.sh. ka vetëm dy praktikues të çertifikuar të menopauzës të listuar në tërë shtetin e Wyoming). Telemjekësia po synon të plotësojë boshllëkun, por edhe në epokën e COVID-19 ka kufizime dhe komplikime për praktikimin e mjekësisë përmes linjave shtetërore.

Megjithëse të gjesh një mjek të kualifikuar mund të jetë sfiduese, zhvendosja e narrativës kulturore mund të jetë po aq jetike.

“Në fakt mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të ndryshojmë diskursin mbi këtë temë. Sepse shumë nga ato që dëgjoni për perimenopauzën fliten në një mënyrë anti-feministe”, tha Dr. Lucy Hunter, psikiatre në New York. Ajo tha se shumë prej pacienteve të saj të cilët po përjetojnë këto ndryshime të moshës së mesme po i konsiderojnë si fuqizuese. Ato ndihen më të forta dhe po e zbulojnë veten në brendësi”.

Diçka që vjen me moshë është mençuria, por shumë gra mendojnë se pasi të kalojnë tranzicionin e menopauzës, nuk e ndjenjë nevojën për të qenë të paraqitshme për botën. Siç tha Dr. Hunter “Ndihem e çliruar sepse nuk po përpiqem të kujdesem për të gjithë ose të përshtatem me pikëpamjen shoqërore të askujt. Unë jam çliruar nga prangat.”

Jessica Grose

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.nytimes.com/2021/04/29/well/perimenopause-women.html