Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

5 hapa thelbësorë në procesin e edukimit të fëmijëve mbi pëlqimin

QIKA 8.2.2023

Bisedat rreth pëlqimit – veçanërisht nëse ato biseda zhvillohen me fëmijë – nuk janë gjithmonë të lehta. Megjithatë, ato janë të nevojshme kur ne përpiqemi të krijojmë një shoqëri në të cilën pëlqimi kuptohet dhe respektohet njësoj nga të rriturit dhe fëmijët.

Këta janë 5 hapa thelbësorë në procesin e edukimit të fëmijëve mbi pëlqimin:

1. Mësojini se si të kërkojnë pëlqimin

Në shumicën e kohës, fëmijët nuk lëndojnë të tjerët qëllimisht.

Nëse një fëmijë ndërvepron fizikisht me një fëmijë tjetër pa e pyetur (duke marrë lodrën e një fëmije tjetër, duke e përqafuar, duke e shtyrë nga rruga etj.), zakonisht është për shkak se ata nuk janë mësuar ende që ata duhet të pyesin për pëlqim.

Është e lehtë t’i përgjigjesh në mënyrë retroaktive një fëmije që tashmë ka ndërvepruar fizikisht me një fëmijë tjetër dhe ka marrë një përgjigje negative. Për shembull, nëse një fëmijë përqafon një fëmijë tjetër dhe ai fëmijë fillon të qajë, ne mund të jemi më të prirur të përgjigjemi sesa nëse ai përqafon dhe nuk ndodh asnjë reagim.

Kjo do të thotë se ne zakonisht nuk e shohim diçka si problematike derisa të krijohet një problem serioz. Fëmijët veprojnë me impuls dhe ndonjëherë bëjnë gjëra që nuk janë të përshtatshme pa e kuptuar se veprimet e tyre janë të papërshtatshme. Kjo është koha kur mësimi i fëmijëve për të kërkuar miratim është i rëndësishëm.

Mësoni fëmijët të pyesin “A është në rregull me ty nëse unë…?” para se të ndërveprojnë me një person tjetër. Kjo është thelbësore kur ne përpiqemi t’i ndihmojmë ata të kuptojnë pëlqimin.

2. Bëjini të ditur se pëlqimi mund të jepet ose tërhiqet në çdo kohë

Një aspekt i pëlqimit që shpesh haset në konfuzion nga fëmijët dhe të rriturit është nëse pëlqimi mund të tërhiqet ose jo pasi që jepet herën e parë.

Është e rëndësishme t’u shpjegoni fëmijëve se edhe në mes të një ndërveprimi fizik, pëlqimi mund të tërhiqet dhe të pranosh një formë të kontaktit fizik nuk do të thotë automatikisht se ke pranuar çdo lloj të kontaktit fizik.

Kur e diskutojmë këtë me fëmijët është thelbësore të shpjegojmë rëndësinë e të pyeturit shpesh për t’u siguruar që ajo që po bëjnë është në rregull me personin tjetër.

3. Diskutoni rëndësinë e fjalës “Jo”

Një fëmijë kurrë nuk duhet të detyrohet të ndërveprojë fizikisht me një të rritur. Edhe në rastet kur i rrituri është një i afërm, mik i familjes, mësues, trajner etj.

Shpesh, ne i detyrojmë fëmijët të përqafojnë të afërmit, të marrin një përkëdhelje në shpinë nga një trajner ose t’i japin një puthje në faqe një shoku të familjes, sepse kjo mund të duket e padëmshme. Në rastet kur fëmijët thonë: “Unë nuk dua”, ata shpesh përballen me mosmiratim dhe më pas detyrohen të kryejnë ndërveprimin.

Nëse një fëmijë shprehet se nuk ndihet rehat kur dikush e prek, ndjenjat e fëmijës duhet të validohen dhe më pas mund të diskutoni për arsyet se pse fëmija nuk ndihet rehat pranë atij personi.

Biseda për rëndësinë e fjalës “jo” nuk duhet të jetë një bisedë ku fëmijëve u thuhet: “Mos lejoni kurrë një të huaj t’ju prekë nëse ju nuk dëshironi”. Biseda duhet të jetë ajo ku fëmijëve u thuhet: “Nuk duhet të lejoni askënd t’ju prekë nëse nuk dëshironi”.

4. Ndihmojini ata të kuptojnë dallimin midis heshtjes dhe pëlqimit entuziast

Përkufizimi i pëlqimit entuziast është ky: një “po” aktive, e qartë, e pamohueshme.

Zakonisht ideja e pëlqimit entuziast bie nën diskutimet e ndërveprimeve seksuale. Megjithatë, futja e idesë së pëlqimit entuziast kur diskutohet për pëlqimin me fëmijët mund të luftojë shumë nga paqartësitë që ata mund t’i kenë.

Diskutimi i pëlqimit entuziast nuk duhet domosdoshmërisht të diskutohet në lidhje me aktet seksuale. Përkundrazi, diskutimi me fëmijët mund të jetë mbi faktin se heshtja nuk është e njëjta gjë si fjala “po”.

Paaftësia për të shprehur një “jo” mund të ndodhë për një sërë arsyesh: frika nga pasojat, ndjenjat e shqetësimit, një paaftësi etj. Pra, është e rëndësishme t’u shpjegoni fëmijëve se vetëm për shkak se dikush nuk tha “jo” nuk do të thotë patjetër se ata po thonë “po”.

5. Shërbeni si shembull

Fëmijët shikojnë të rriturit për të mësuar mënyrat e duhura për të bashkëvepruar në marrëdhëniet e tyre ndërpersonale.

Nëse nuk kërkoni pëlqim, nëse shpërfillni fjalën “jo” ose nëse e detyroni pëlqimin nga një person tjetër, nuk do të ketë rëndësi se çfarë i thoni një fëmije, sepse rregullat do të bëhen të pavlefshme nga veprimet tuaja.

Për më tepër, rregullat për pëlqimin që diskutoni me një fëmijë duhet të zbatohen në të gjitha situatat. Fëmijët duhet të kuptojnë se nuk ka rëndësi nëse janë në shtëpi, në shtëpinë e një shoku, në shkollë ose në park lojërash – rregullat për pëlqimin zbatohen kudo dhe kurdo.

Michelle Dominique Burk

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://everydayfeminism.com/2015/02/how-to-teach-consent-to-kids/