Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Bota nuk ka nevojë vetëm për lidere gra – ka nevojë për lidere/ë feministë

QIKA 31.3.2021

Në vitin 2021, po i vërejmë shumë mënyra se si Covid-19 ka ndikuar në mënyrë disproporcionale tek gratë dhe vajzat në gjithë botën. Pandemia ka krijuar një situatë të re. Edhe pse gratë kanë luajtur rol të rëndësishëm në përgjigjjen kundër kësaj krize, pabarazia gjinore u rrit në të gjithë botën. Në fushën e arsimit, 767 milion gra e vajza u ndikuan nga mbyllja e shkollave. Njëmbëdhjetë milion mund të mos kthehen kurrë më në banka shkollore duke iu bashkuar kështu 132 milion të tjerave të cilat ishin jashtë shkollës edhe përpara se të fillonte kriza. Situata e rënduar ekonomike është duke shtyrë 47 milion gra e vajza drejt varfërisë, duke iu dëmtuar kështu pavarësinë ekonomike dhe duke i bërë edhe më të cenueshme  ndaj diskriminimit dhe dhunës në baza gjinore.

Kur shohim këtë situatë duhet ta pyesim veten: nëse barazia gjinore është qëllimi jonë, për çfarë lloji të udhëheqjes ka nevojë bota për të ecur përpara?

Nuk është e mjaftueshme që thjesht të numrojmë gratë nëpër pozita të larta të pushtetit. Asnjë person në maje të piramidës nuk mund të riparoj dëmin që i është bërë procesit për barazi gjinore të nisur që nga koha kur u miratua Deklarata e Pekinit për të drejtat e grave para 25 viteve.

Neve na nevojiten liderë për barazi gjinore – dhe kemi nevoje për ta kudo në strukturat tona shoqërore. Liderë të të gjitha moshave, të gjitha identiteteve gjinore dhe nga të gjitha fushat. Këta liderë nuk janë thjesht agjentë të ndryshimit, por edhe projektuesit e tij. Ata dhe ato udhëheqin përmes shembullit dhe angazhimit të tyre. Ata dhe ato ekspozojnë mundësitë e pabarabarta dhe padrejtësitë. Poashtu e dinë që pabarazitë gjinore burojnë nga diskriminimi dhe përjashtimi dhe se vetëm me heqjen e këtyre barrierave mund të bëhen ndryshime të vërteta. Kjo është udhëheqje feministe.

Lideret dhe liderët feministë sulmojnë strukturat e pushtetit. I vënë në shesh dhe prishin të gjitha format e përjashtimit dhe margjinalizimit. Ata dhe ato kanë empati për të cënuarit dhe të pazëshmit, dhe i përkrahin kauzat e tyre. Hapin dyer të reja dhe marrin rreziqe, guximshëm tërheqin vëmendjen tek pabarazitë e fshehura dhe i demaskojnë barrierat strukturore që përjetësojnë pabarazinë. Ata dhe ato janë kudo rreth nesh. Qoftë kjo aktivistja që mbron një komunitet indigjen, qoftë nxënësja që mobililizon brezin e saj për të mbrojtur botën nga ngrohja globale apo poetja që ngreh zërin për të promovuar drejtësi sociale.

Liderët feministë kanë kurajo për të krijuar, raportuar, edukuar e ekperimentuar. Mendo për Azata Soro, aktoren, regjisoren dhe producenten e cila theu heshtjen për ngacmim seksual dhe dhunën në industrinë e filmit afrikan. Mendo për Maria Ressa që rrezikoi të burgosej për gazetarinë e saj hulumtuese të guximshme. Mendo për Yande Banda, avokate e palodhur për çështjet e edukimit të vajzave në Zambia e më gjerë. Mendo për Katalin Karikó e cila i kapërceu sfidat e shumta me të cilat përballen gratë në shkencë e që ishte shumë e rëndësishme në zhvillimin e vaksinës së coronavirusit – Pfizer-BioNTech. Kur ngjarje të tilla bëhen të njohura, ato sfidojnë bindjet e njerëzve rreth asaj se çka është e arritshme dhe kush mund ta arrijë atë. Të gjitha këto gra, me gjithë laramaninë e tyre, janë lidere feministe.

Sidoqoftë, udhëheqja feministe nuk është privilegj vetëm i grave. Barazia gjinore nuk është një luftë vetëm e grave, është luftë për barazi sociale. Edhe burrat duhet të përfshihen në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë. Shumë prej tyre po i prijnë kësaj rruge. Gjinekologu kongolez, Dr. Denis Mukwege, ka fituar çmimin nobel për paqe për avokimin e tij kundër përdorimit të përdhunimit si “armë lufte”. Ka shumë të tjerë si ai në gjithë botën. Në këtë ditë ndërkombëtare të grave, jemi të përkushtuar për të ndërtuar gjenerata të ardhshme të liderëve feministë përmes arsimit. Ne i mbështesim gratë të cilat patën guxim të krijonin e të bënin gjithçka që ishte e nevojshme për t`i parandaluar cenzurat dhe sulmet kundër tyre. Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të sigurojë mbrojten e grave gazetare që adresojnë pabarazitë gjinore përmes raportimeve. Ne gjithashtu qëndrojmë përkrah me burrat që guxojnë të kujdesen dhe refuzojnë sjelljet dhe maskulinitetin toksik dhe krijojnë hapësira për gratë që të ndikojnë në vendimmarrje ose të marrin pjesë në zbulimin dhe inovacionin shkencorë.

Le të mbështesim lideret dhe liderët feministë nga të gjitha rrugët e jetës. Le të veprojmë ashtu që gratë të mund të udhëheqin dhe të bëhen shembull për gjeneratat që po vijnë.

Audrey Azoulay

Katrín Jakobsdóttir

E përktheu: Njomza Tmava

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.commondreams.org/views/2021/03/08/world-not-only-needs-women-leaders-it-needs-feminist-leaders?fbclid=IwAR1bG90nlBy-RSrmU1i61WeImJnxoXDu2Y8tAfr6LS1VuO6EDntWJV3D7lI