Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Gratë kineze po rimarrin kontrollin mbi trupat e tyre

QIKA 13.10.2026

Që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, trupat e grave kanë qenë nën kontrollin e shtetit. Në vitet 1950, puna kontrollohej nga shteti dhe organizohej në bazë të ciklit menstrual të grave. Më pas, për dekada me radhë, u zbatua politika e të pasurit vetëm një fëmije.

Në pjesë të mëdha të vendit, kjo politikë u zbatua me një ashpërsi brutale. Përveç gjobave për lindjen e fëmijëve të tjerë, gratë detyroheshin të kryenin aborte dhe t’i nënshtroheshin sterilizimit të detyruar.

Tani, gratë në Kinë po përballen me forma të reja presioni nga qeveria, derisa vendi përballet me një sfidë të re, rënien e natalitetit. Gratë janë nën presion që t’i kushtojnë trupat e tyre lindjes së fëmijëve, kurse qeveria përpiqet të nxisë më shumë shtatzëni. Gjithnjë e më shumë, gratë po kundërshtojnë këtë presion në mënyra që në të kaluarën nuk ishin të mundshme, kurse trashëgimia e dhimbshme e politikës së një fëmije vazhdon të jehojë dhe të ndikojë në mënyrën se si perceptohet familja sot.

“Për njerëzit e brezit tim, të lindur në fund të viteve 1980, të gjithë janë rritur në familje me një fëmijë”, thotë Guligo Jia, një regjisore 36-vjeçare me bazë në Pekin. “Sot, gratë kineze kanë më shumë kontroll mbi trupat e tyre, sepse mund të vendosin nëse duan të kryejnë abort apo të kenë fëmijë. Kanë më shumë liri.”

Politika e “100 ditëve pa fëmijë”

Nga viti 1980 deri në vitin 2016, shteti ishte i shqetësuar për mbipopullimin dhe ua ndalonte shumicës së çifteve të kishin më shumë se një fëmijë. Politika e një fëmije u braktis një dekadë më parë, por për shumë gra, plagët e asaj kohe vazhdojnë të mbeten.

Në qarkun Shen, një qytet i vogël dhe i varfër në periferi të Liaochengut, në provincën Shandong të Kinës verilindore, nuk është e vështirë t’i gjesh ato.

Në sheshin qendror të Shenit, zonja Li*, tashmë në të 60-at, ngre bluzën për të treguar barkun e saj të rrudhosur. Në vitin 1991, ajo u detyrua t’i nënshtrohej lidhjes së tubave fallopiane, një procedurë që e përshkruan si “agonizuese”.

Li u sterilizua pasi kishte lindur një fëmijë gjatë një periudhe që, sipas ekspertëve, përfaqëson një nga tepricat më të rënda të politikës së një fëmije.

E quajtur “100 ditët pa fëmijë”, kjo politikë u zbatua në Shen dhe përcaktonte se, nga 1 maji 1991, nuk duhej të lindte asnjë fëmijë për 100 ditë. Meqë viti 1991 ishte viti i dhisë në kalendarin zodiak, banorët vendas e quajtën këtë periudhë “therja e qengjave”. Ashtu si në pjesë të tjera të Kinës, gratë shpesh sterilizoheshin pas lindjes, për t’u siguruar që të mos mund të kishin më fëmijë.

Shandongu, provinca e dytë më e populluar e Kinës, njihet për zbatimin veçanërisht rigoroz të direktivave të qeverisë qendrore. “Njerëzit në Shandong, veçanërisht zyrtarët, gjithmonë i marrin më seriozisht politikat dhe urdhrat që vijnë nga lart, krahasuar me provincat e tjera”, thotë Yang Jianli, një aktivist për të drejtat e njeriut nga Shandongi, i cili i përshkruan “100 ditët pa fëmijë” si “ndër rastet më ekstreme” të politikës së një fëmije me të cilat është përballur.

“100 ditët pa fëmijë” nuk u zbatuan me sukses 100% të rasteve. Në verën e vitit 1991, Li ishte në muajt e fundit të shtatzënisë kur zyrtarët lokalë e morën me forcë, së bashku me gra të tjera nga fshati i saj, dhe i hipën në kamionë për t’i dërguar në spitalin lokal, ku do t’u kryheshin aborte të detyruara. Një mjek duhej ta priste në orën 14:00 për t’i ndërprerë shtatzëninë, por asaj i filluan lindjet më herët dhe ajo solli në jetë një djalë në dhomën e kaldajës së spitalit.

“U përpoqën t’i ndalonin njerëzit të lindnin, por pasi foshnja kishte lindur, nuk shkonin deri aty sa ta vrisnin”, tha Li. Ajo u urdhërua të paguante një gjobë prej 6,500 juanësh, një shumë e barasvlershme me të ardhurat e një fermeri për disa vite, dhe t’i nënshtrohej sterilizimit.

Por djali i saj mbijetoi. Li kujton se përreth saj, foshnjat po vdisnin. “Foshnjat që lindnin si pasojë e induktimeve të detyruara kishin vdekur të gjitha. Kishte shumë prej tyre; digjeshin dhe hidheshin në mbeturina”, tha ajo. “Ato gra qanin të gjitha.”

Një grua tjetër nga Sheni, tashmë në të 70-at, tha se në vitin 1991 ishte vetëm një muaj larg lindjes së një djali, kur iu dha një injeksion për të nxitur lindjen, i cili shkaktoi vdekjen e fetusit.

“Nëse refuzoje injeksionin, ta shembnin shtëpinë, hynin me forcë në shtëpinë tënde për të të arrestuar dhe të ndalonin të shkoje në punë”, tha ajo. “Shumë gra u tërhoqën zvarrë.”

Megjithëse censura zyrtare ka kufizuar përhapjen e informacionit mbi dhunën e ushtruar gjatë këtyre 100 ditëve, në nivel lokal, kjo periudhë është famëkeqe. Zyrtari lokal përgjegjës për zbatimin e kësaj politike njihej si “therësi i qengjave”.

Qeveria lokale e Shandongut nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

“Ne i dështuam gratë e Kinës”

Në vitin 2013, Zhang Erli, një zyrtar në pension i Komisionit Kombëtar për Planifikimin Familjar, tha se politika e një fëmije kishte shkuar shumë larg. “Kur e shohim në retrospektivë, mendoj se vërtet i kemi zhgënjyer gratë e Kinës; të jem i sinqertë, ndiej një ndjenjë të thellë faji”, tha ai në një dokumentar të transmetuar në televizionin shtetëror kinez.

“Gratë kineze bënë një sakrificë të jashtëzakonshme. Si një qeveri e përgjegjshme, ne duhet t’ua shpërblejmë këtë sakrificë, apo jo?” Programi u hoq më vonë nga platformat publike.

Nuk ka vlerësime të besueshme se sa gra u prekën nga politika e “100 ditëve”. Por analiza e Yi Fuxian, shkencëtar i lartë në Universitetin e Wisconsin-Madison dhe kritik i zëshëm i politikës së një fëmije, i cili monitoron të dhënat demografike të Kinës, tregon se në Shen dhe Guan, një qark fqinj ku gjithashtu raportohet se u zbatua “politika e 100 ditëve pa fëmijë”, numri i lindjeve atë vit duket se ishte drastikisht më i ulët.

Tani Kina po përballet me problemin e kundërt: nataliteti i saj po bie ndjeshëm. Vitin e kaluar, shkalla e lindjeve ra në 5.63 lindje për 1,000 banorë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Për shumicën e grave në moshën riprodhuese sot, traumat e brezit të mëparshëm nuk luajnë një rol të vetëdijshëm në vendimet për planifikimin familjar. Megjithatë, hulumtimet sugjerojnë se dekadat e politikës së një fëmije kanë riformësuar thellësisht pritshmëritë e njerëzve për familjen, duke ulur dëshirën për të pasur familje më të mëdha. Një studim i publikuar vitin e kaluar zbuloi se, për një brez të tërë njerëzish, rritja si fëmijë i vetëm “çoi në një ulje të ndjeshme të madhësisë ideale të familjes”.

Kostoja dhe konkurrueshmëria e rritjes së fëmijëve në Kinën e sotme janë pengesat më të mëdha, pavarësisht subvencioneve dhe lehtësimeve tatimore që ofron qeveria për familjet që kanë më shumë fëmijë.

Wang Yixuan, një 26-vjeçare që praktikon mjekësinë tradicionale kineze, thotë se “njerëzit tani nuk e kanë më aq shumë merak” të kenë familje më të mëdha. “Nuk kam ndonjë dëshirë të veçantë të kem fëmijë”, thotë ajo. “Fillimisht duhet të jem e pavarur financiarisht.”

Jia, regjisorja që ka realizuar një dokumentar për gratë që po u drejtohen të dashurve të krijuar me inteligjencë artificiale, thotë se “Gratë nuk ndihen më të detyruara të kenë fëmijë.”

Një tjetër studim i kohëve të fundit zbuloi se gati 50% e grave të moshës 18 deri në 24 vjeç thanë se nuk duan fëmijë, krahasuar me 6% në vitin 2012. Edhe përqindja e burrave që nuk duan fëmijë është rritur, por vetëm në gati 20%.

“Në të kaluarën, njerëzit gjobiteshin nëse kishin fëmijë të dytë”, thotë Chen Ying, një 40-vjeçare që punon në një restorant në Shen. Sot, njerëzit “thjesht nuk kanë mundësi t’i përballojnë shpenzimet”.

Yun Zhou, demografe sociale në Universitetin e Miçiganit, thotë se politika e një fëmije krijoi “një ndjesi të përgjithshme se të drejtat riprodhuese nuk kanë qenë kurrë diçka e patjetërsueshme”.

Dhe pasojat e asaj periudhe janë të dukshme në kuptimin më konkret, në këndet e lojërave në mbarë vendin. Në Shen, Li po luan me nipin e saj 2 vjeçar, një nga foshnjat e reja që Kina ka aq shumë nevojë. Babai i tij është djali me fat që mbijetoi në vitin 1991.

Anna Rusell

Përkthyer nga Anita Vllahiu

Artikullin origjinal mund ta gjeni këtu