Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Gratë në akademinë e hershme moderne: Një fenomen katolik

QIKA 27.6.2022

Akademia ka bërë përparim të jashtëzakonshëm sa i përket barazisë gjinore gjatë 50-të viteve të fundit, por ende nuk ka arritur barazi të plotë – veçanërisht në ekonomi dhe disiplinat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM). Kjo rubrikë dokumenton pjesëmarrjen e grave në akademinë evropiane që nga universitetet e para deri në prag të Revolucionit Industrial. Nga 108 gratë që ligjëronin në universitete ose i përkisnin akademive, shumica gjendeshin në Evropën Jugore Katolike, duke sfiduar idenë se protestantizmi ishte më liberal se katolicizmi, të paktën kur kishte të bënte me pjesëmarrjen e grave në kapitalin e lartë njerëzor.

Ashtu si profesionet e tjera, akademia ka bërë përparim të dukshëm në aspektin e barazisë gjinore gjatë 50-të viteve të fundit, por nuk ka arritur barazi të plotë. Disiplinat STEM (Shkenca, Teknologjia, Inxhinieria dhe Matematika) dhe ekonomia mbeten ende shumë të dominuara nga burrat (Casad et al. 2021, Hengel 2017, Eberhardt et al. 2022), me mbipërfaqësimin e burrave si në profesionet akademike ashtu edhe në botime (Thelwall dhe Mas- Bleda 2020). Në mënyrë paradoksale, vendet me nivele përgjithësisht të larta të barazisë gjinore shfaqin pabarazitë më të mëdha gjinore në STEM (shih p.sh Stoet dhe Geary 2018, 2020 dhe dokumentet e cituara aty).

Ne kemi marrë këtë paradoks modern të barazisë gjinore dhe kemi studiuar praninë e grave në akademitë dhe universitetet shkencore paraindustriale për të gjetur rrënjët historike të pjesëmarrjes së grave në akademi.

Në të kaluarën, shumë pak gra ishin profesore universiteti ose anëtare të akademive shkencore. Kur filluam projektin tonë për të ndërtuar një bazë të dhënash të studiuesve evropianë në epokën para-industriale, duke mbuluar universitetet dhe akademitë gjatë periudhës 1000–1800, nuk prisnim të gjenim fare gra. Pas disa vitesh në projektin tonë, ne kemi një bazë të dhënash me 56,000 studiues të koduar manualisht nga burime dytësore, nga të cilat 108 janë gra. Edhe pse ky është një numër shumë i vogël për të dalë në ndonjë përfundim domethënës statistikor, mund ti mësojmë disa gjëra nga këto 108 studiuese (De la Croix and Vitale 2022).

Figura 1: Luisa de Medrano, Profesore në Universitetin e Salamankës (1508). Detajet e një pikture nga Juan de Pereda, Sibilat e Atienzës

Në akademi ka pasur gra që kur u themeluan universitetet për herë të parë gjatë shekullit të XI-të. Trotula de Ruggiero (mjeke, Salerno) dhe Accursia (juriste, Bolonja) janë dy shembuj. Edhe pse disa nga këto figura mund të jenë më tepër legjendare sesa reale, fakti që ato janë legjenda nënkupton diçka. Më e verifikueshme është ekzistenca e disa grave studiuese nga shekulli i XV-të; p.sh Luisa de Medrano në Spanjë (Figura 1).

Akademitë e Shkencave dhe Arteve nuk ishin indiferente ndaj erudicionit të madh të disa grave. Ndërsa këto akademi u zgjeruan në shekujt XVII dhe XVIII, disa gra studiuese u zgjodhën si akademike.

Gratë që identifikuam nuk mbanin gjithmonë poste formale apo pozita të profesores me orar të plotë në universitete. Ndonjëherë, ato merrnin pjesë si profesore zëvendësuese ose si pedagoge të ftuara. Në akademi, ndonjëherë ato zgjidheshin si anëtare pa pasur mundësi që të merrnin pjesë realisht në mbledhje.

Nga analiza sasiore e të dhënave që mblodhëm dhe analiza cilësore që bëmë mbi biografitë e shumicës së grave në bazën tonë të të dhënave, arritëm në tre gjetje.

E para ka të bëjë me botimet. Duke llogaritur cilësinë e studiuesve nga botimet e tyre në katalogun e bibliotekave sot (Worldcat), zbulojmë se 84 gra që kanë botuar disa vepra janë mesatarisht më të mira krahasuar me 20.984 burra. Figura 2 tregon funksionet e densitetit të probabilitetit të matjes së kapitalit njerëzor të bazuar në publikim për burrat dhe gratë. Kapitali njerëzor mesatar është 3,91 për gratë dhe 2,85 për burrat. Një hendek i tillë mund të pasqyronte diskriminimin: për t’u punësuar, një grua duhet të kapërcejë pikëpamjet negative që rëndojnë gratë duke qenë dukshëm më e mirë se burri mesatar, e përkthyer këtu në botime shtesë.

Figura 2: Funksioni i densitetit të probabilitetit të indeksit të kapitalit njerëzor të bazuar në publikim për studiuesit akademikë burra dhe gra.

Së dyti, siç theksohet nga Nekoei dhe Sinn (2021), pushteti i grave ka qenë ndonjëherë një efekt anësor i nepotizmit: gjejmë shumë bashkëshorte, vajza profesorësh ose gra, rrjetet familjare të të cilave ishin të mëdha dhe me ndikim. Përqindja e këtyre grave të martuara është pothuajse e njëjtë me atë në popullatën e përgjithshme, por një pjesë disproporcionale e grave nuk bënë fëmijë. Kjo mund të shpjegohet pjesërisht me faktin se martesa u mundësoi të vazhdonin veprimtarinë e tyre intelektuale pa iu nënshtruar gjykimeve negative të komunitetit. Ndonjëherë këto studiuese ndanë veprimtarinë e tyre shkencore me burrat e tyre, si në rastet e Laura Bassi-t dhe Anna Morandi Manzolinit në Bolonjë (Figura 3). Në botën protestante, ne zbuluam se gratë ishin shpesh asistente të burrave, baballarëve ose vëllezërve të tyre (siç ishte, p.sh Maria Winkelmann-Kirch). Pavarësisht pjesëmarrjes së tyre aktive në zbulimet shkencore, atyre kurrë nuk iu dha një vend më vete në akademi apo universitete.

Figura 3: Autoportret dylli i Anna Morandi-t me trurin; Muzeu Poggi, Bolonja

Shënime: Anna Morandi ligjëroi anatominë në Universitetin e Bolonjës nga 1756 deri në 1774. Ajo ishte nmodeluese anatomike e njohur ndërkombëtarisht (foto: D. de la Croix).

Një vëzhgim i rëndësishëm në kërkimin tonë është se shumica e grave që gjetëm ishin të lidhura me institucionet katolike. Figura 4 tregon vendlindjen e profesoreve gra (ngjyra e gjelbër) dhe akademikeve (ngjyra e kaltër). Ngjyrat më të zbehta tregojnë një lidhje të dobët, si p.sh të jesh anëtar korrespondues i një akademie. Shumë pak gra ishin anëtare të institucioneve protestante: Eva Ekeblad ishte gruaja e parë që u pranua në Akademinë Mbretërore Suedeze të Shkencave, për zbulimin e saj se si mund të bësh alkool nga patatet. Ekaterina Romanovna Dasjkova është e lidhur me Akademinë Mbretërore Suedeze dhe Leopoldina. Ndërsa, Hedvig Gustava Malmsten u zgjodh gabimisht anëtare e plotë e Shoqatës Mbretërore Fiziografike në Lund, Suedi: statutet përcaktonin se vetëm burrat mund të ishin anëtarë të shoqatës.

Për të shpjeguar praninë e këtyre grave në institucionet akademike, fillimisht kemi marrë parasysh autonominë e institucioneve. Shumë universitete protestante në Gjermani u themeluan në një mënyrë nga lart-poshtë, ndërsa universitetet e hershme si Bolonja dhe Parisi u zhvilluan nga poshtë lart. Në Gjermani, Princi kishte më shumë kontroll dhe institucionet merrnin më pak vendime autonome dhe antikonformiste, si p.sh mirëpritja e grave në universitet. Megjithatë, kjo nuk shpjegon pse akademia angleze dhe skoceze u mbyllën dyert grave studiuese.

Figura 4: Vendlindja e grave studiuese akademike

Shënim: Ngjyra e kaltër përfaqëson akademikët, ngjyra e gjelbër përfaqëson profesorët, ndërsa ngjyrat më të zbehta përfaqësojnë lidhje të dobëta

Ne nxorëm një hipotezë se feja mund të shpjegonte këtë ndryshim midis Evropës Veriore dhe Jugore, dhe shqyrtuam dallimet midis besimeve fetare. Ekziston një tendencë për të menduar se protestantizmi solli një valë moderniteti. Kjo është pjesërisht e vërtetë. Luteri mendohet se ka nxitur emancipimin e grave duke i lejuar ato të ndjekin shkollën dhe pas reformimit më shumë gra u arsimuan në vendet protestante sesa në vendet katolike. Megjithatë, ne e dimë se arsimi mbulonte vetëm aspektet bazike dhe se zhvendosja drejt emancipimit ishte e dobët (Roper 1989).

Në përgjithësi, normat shoqërore protestante për gratë nuk ishin shumë të ndryshme nga normat katolike. Dallimi thelbësor ishte në centralizimin formal të vendimmarrjes. Kisha Katolike mund të kontrollonte pjesëmarrjen e grave në hapësirën publike – dhe gjithashtu mund të bënte përjashtime, të cilat i lejuan këto gra të shquara të shfaqeshin në sferën publike. Gratë në komunitetet protestante i nënshtroheshin gjykimit dhe vullnetit të burrave dhe baballarëve të tyre në shtëpi, duke e bërë të vështirë që ato të arrinin dukshmëri në hapësirat publike.

Në shqyrtimin e arsyeve për këtë model të pazakontë, ne morëm parasysh edhe kulturën dhe teologjinë. Në veçanti, vumë re se devotshmëria mariane është themelore për katolikët, por konsiderohet si një formë idhujtarie mes protestantëve. Kështu, katolikët kanë një model frymëzues gruaje, ndërsa protestantët dekurajohen që t’i kushtojnë vëmendje të veçantë asaj. Për katolikët, dhuntitë e jashtëzakonshme të Marisë i japin asaj famë dhe konsideratë të barabartë me burrat. Dhuntitë e jashtëzakonshme intelektuale të grave të caktuara i bindën autoritetet fetare të bënin përjashtime dhe të lejonin disa gra të bëheshin profesorë në universitet. Përjashtimi intelektual i disa grave u ofroi disa autoriteteve fetare dhe politike një mundësi për të promovuar politikën e tyre. Ky është rasti i kardinalit Lambertini me Laura Bassi (profesore në Bolonja) dhe Charles III me Maria Isidra Guzman (profesore në Alcalá). Prandaj, ndryshimi më bindës për ne është kapaciteti i institucioneve katolike për të toleruar përjashtime.

Së fundi, të dhënat tona sfidojnë idenë popullore se divergjenca e vogël midis Evropës Veriore dhe Jugore ishte nxitur nga protestantizmi. Nuno et al. (2022) kanë treguar se vendet protestante nuk shfaqën një model martese e cila nxitë zhvillim (në kundërshtim me një pikëpamje të promovuar në kërkimet e mëparshme). Këtu sfidojmë idenë se protestantizmi ishte domosdoshmërisht më modern dhe më liberal se katolicizmi, të paktën kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e grave në kapitalin të lartë njerëzor.

Shënim i autorëve: Ky projekt është financuar nga Këshilli Evropian i Kërkimit (ERC), në kuadër të programit të kërkimit dhe inovacionit të Bashkimit Evropian Horizon 2020 në marrëveshjen e grantit Nr 883033, “A e nxiti kapitali njerëzor elitar zhvillimin e Perëndimit? Vështrime nga një bazë e re e të dhënave të studiuesve evropianë”. I jemi mirënjohës Davide Cantoni-t që na udhëzoi të mendojmë për paradoksin e barazisë gjinore. Falënderojmë gjithashtu Per Alm, Sekretarin e Përhershëm dhe Thesarin e Shoqërisë Mbretërore Fiziografike në Lund, për ndihmën e tij me rastin e vështirë të Hedvig Gustava Malmsten.

David de la Croix, Mara Vitale

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://voxeu.org/article/women-early-modern-academia-catholic-phenomenon