Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

I ashtuquajturi “maskulinitet”

QIKA 12.10.2021

Kur diskutojmë për çështjet gjinore ose barazinë, njerëzit mendojnë se është shekulli i 21-të dhe askush nuk është më injorant për tendencat e njëanshme. Por sot përmes këtij shkrimi unë do të trajtoj disa çështje që janë ende të pranishme në mesin tonë.

Shumica e konsiderojnë patriarkatin si rregull, por jo si paragjykim. ‘Maskulizmi’ ose ‘Maskuliniteti’ është një keqkuptim i cili beson në superioritetin e burrave dhe e përqafon patriarkatin ashtu siç dhurohet që nga lindja. Burrat e lindur dhe burrat e formuar nga shoqëria, janë dy gjëra të ndryshme. Biologjikisht ata kanë lindur si meshkuj, por janë mësuar të jenë burra.

Shembull: “Mos qaj si vajzat”, “Mos luaj me kukulla, luaj me makina”.

Burrat konsiderohen si agresivë, militantë e të pandjeshëm dhe gratë konsiderohen si të ndjeshme e të brishta. Ka disa njerëz që besojnë se agresioni mashkullor, seksualiteti dhe sjelljet e tjera mashkullore lidhen me hormonet mashkullore. Por mendimet e tilla i detyrojnë ata të besojnë këtë. Nuk ka asgjë të keqe në të qenit mashkullor, por imponimi i maskulinitetit toksik është i gabuar.

Shumë burra janë në depresion ose kanë tentuar të bëjnë vetëvrasje për shkak të këtyre tipareve të imponuara mashkullore. Nëse ai humbet punën e tij, ai nuk duhet të kërkojë ndihmë nga gruaja e tij, përndryshe shoqëria do ta etiketojë si “burrë frikacak”. Kjo për shkak se burrat nuk mbështeten tek gratë, ata supozohen të kenë kontroll mbi familjen e tyre.

Çka konsiderohet mashkullore: “Dominues, i fortë, i pavarur, i sigurt, trim, inovativ”.

Çka konsiderohet femërore: “Emocionale, bashkëpunuese, edukuese, e ndjeshme, e kujdesshme, e përulur”.

Nëse një grua është dominuese, ajo shihet si shefe në konotacionin negativ, por nëse një burrë është dominues, ai është shef dhe merr kontrollin. Mund të themi të njëjtën gjë për një burrë që shihet duke qarë ose duke u kujdesur, ai mund të konsiderohet i dobët, por nëse një grua është emocionale ose e kujdesshme, kjo konsiderohet e mirë ose si mënyra se si ajo supozohet të veprojë.

“Maskuliniteti toksik”

Burrëria toksike është përcaktuar si një grup sjelljesh dhe besimesh, duke përfshirë shtypjen e emocioneve, ruajtjen e një pamjeje të fortësisë dhe dhunën si një tregues të fuqisë.

Ky kushtëzim shoqëror mund të bëjë që djemtë dhe burrat të qeshin kur duan të qajnë, të zhvlerësojnë përgjigjet e tyre dhe të të tjerëve ndaj ngjarjeve dhe rrethanave ose të përdorin dhunë në vend që të flasin për atë që i ka zemëruar, mërzitur ose frikësuar.

Është mjaft e rëndësishme të tregohemi të qartë,  ky shkrim nuk është sulm ndaj burrave, apo maskulinitetit, nuk është as akuzë që burrat janë toksikë. Përkundrazi, kjo është diçka që luan një rol kyç në shëndetin mendor të burrave dhe citohet si një nga arsyet kryesore për praninë e lartë të vetëvrasjeve tek të rinjtë, si dhe luan rol në krijimin dhe ruajtjen e stereotipeve të cilat janë po aq të dëmshme për burrat dhe sa për gratë.

Duhet një ndryshim i madh në sjellje për të hequr stereotipet me bazë gjinore, duke filluar që nga fëmijëria. Një mënyrë tjetër është krijimi i vetëdijes qysh në fëmijëri në mënyrë që fëmijët të mos kufizohen në role të caktuara gjinore. Kjo do të ndihmoj krijimin e barazisë mes të gjitha gjinive dhe për balancimin e hendekut gjinor. Për më tepër kjo është mundësi shumë e mirë për të përfshirë të gjithë personat në mënyrë të barabartë në çdo aspekt të fushave shoqërore, ekonomike, politike dhe mjedisore për mirëqenien e shoqërisë.

Medha Badgire

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://medium.com/@medhabadgire21/the-so-called-masculinism-28a888b47ce2