Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Baballarët – jo pandemia, po i detyrojnë nënat të largohen nga puna

QIKA 2.2.2021

Le ta sqarojmë një herë e mirë pse nënat që punojnë po vuajnë në kohë pandemie.

Të mërkurën, The Washington Post publikoi një artikull i cili paralajmronte se ‘kriza e kujdesit për fëmijët gjatë virusit corona do t’i kthej gratë një gjeneratë prapa duke i përsëritur temat e një artikullit të Five Thirty Eight të kësaj jave me titullin ‘Pandemia do të lë një gjeneratë të tërë të grave pa punë”. Ngjashëm, Wall Street Journal shkruan që: ‘Karrierat e grave do të marrin një goditje me pasoja afatgjate nga pandemia”, CNN parasheh që ‘Pandemia rrezikon të fshijë progresin e grave’.

Më gëzon fakti që shoh ballina të cilat preokupohen për të ruajtur avancimin e grave në vendin e punës, por këtu po mungon diçka: baballarët.

Është e vërtetë që Covid-19 ka një ndikim të paparashikuar tek nënat amerikane, por kjo nuk po ndodh vetëm për shkak të virusit – kjo po ndodh sepse shteti duket se ka hequr dorë nga ideja që baballarët duhet të kenë një pjesë të përgjegjësive të kujdesit ndaj fëmijëve, edhe atëherë kur ky kujdes mund ta shpëtojë karrierën e grave të tyre.

Tani për tani, artikull pas artikulli po parashikohet një rikthim i dobët i grave në vend të punës: më shumë gra janë larguar nga puna, të ardhurat financiare të grave pritet të marrin goditje më të madhe, dhe vendet e punës nuk ofrojnë kushte të duhura për prindër të ri. Të gjitha këto mund të kontribuojnë në një depresion të pashmangshëm feminist. Në prill, përqindja e grave të punësuara u tkurr në 54.7%, normë kjo e ngjashme me atë të viteve 1980-ta.

Në fakt, shumica e kësaj mund të parandalohet. Ky rrezik për punësimin e grave nuk është i pandalshëm. Thjesht duhet që burrat të bëjnë të njëjtën sakrificë që gratë kanë bërë që nga fillimi i pandemisë (madje edhe shumë vite para pandemisë).

Nuk është aq e vështirë. Duhet të mos presim që vetëm nëna të jetë prindi që ndihmon fëmijën gjatë mësimit në distancë, apo ajo që duhet të përgatis drekën. Boll më me baballarët që i mbyllin dyert e zyrave. Ose, një rast që mbaj mend, kur një baba mësoi fëmijët e tij të thërrasin emrin e gruas për t’ja marrë vëmendjen. Koha që gratë dhe burrat shpenzojnë duke punuar duhet të vlerësohet njëjtë.

Duhet poashtu të pranojmë se mënyra se si gratë marrin rolin e prindit që gjithmonë duhet të kujdeset ndaj fëmijëve nuk është gjithmonë i qartë dhe është pak tinzar. Ndoshta burri i thotë gruas se ajo thjesht është ‘më e mirë’ kur vjen puna që të merret me shqetësimet e vogla të fëmijëve, ose që vajza 10 vjeçare nuk po e dëgjon njëlloj si nënën. Babai nuk e mban në mend emrin e pediatrit të fëmijëve – sepse ai nuk është prindi i cili del nga puna për të shkuar në kontroll kur fëmijët sëmuren, kështu që kjo punë i mbetet gruas së tij. Babai nuk ka ide se sa është numri i këpucëve të vajzës së tij, madje as nuk e di se a ka nevojë për këpucë të reja. Është ky miti “myth of the male bumbler” absurd në të cilin burrat besojnë që janë të bërë për të udhëhequr botën, por nuk munden të kuptojnë se si funksionon rrobalarësja apo se si duhet ta vënë fëmijën në gjumë. Baballarët mund të kryejnë çfarëdo pune; shumica e tyre thjesht zgjedhin mos ta bëjnë.

Karrierat e grave nuk mund të ruhen vetëm nga disa burra që vendosin të kryejnë punët e shtëpisë. Një faktorë që ndikon shumë është mënyra sesi ne diskutojmë mbi kujdesin ndaj fëmijëve si problem vetëm i grave, gjë që është e papërgjegjshme.

Për reporterët: Në vend se të bëni një artikull sesi nënat po mundohen të balancojnë punën e tyre dhe kujdesin ndaj fëmijëve, çka nëse shkruani një artikull (apo disa artikuj) se si baballarët po angazhohen shumë pak? Le ta themi troç: Refuzimi i burrave për të ndarë në mënyrë të barabartë punët e shtëpisë gjatë pandemisë – vendim ky i cili do kthej të drejtat e grave prapa me dekada – është një skandal kombëtar. Pse nuk po e trajtojmë si të tillë?

Nuk duhet të kemi frikë t’i turpërojmë, sidomos kur sjelljet e tyre janë kaq të turpshme. Pandemia nuk po i largon gratë nga vendet e punës – ajo thjesht po ilustron pabarazitë e kahmotshme. Virusit corona nuk i intereson se kush i lanë enët apo kush ndihmon fëmijët të bëjnë detyrat e shtëpisë. Kështu që kur flasim për këto probleme, duhet të jemi të saktë: Covid-19 e ka vështirësuar balancin punë/shtëpi për të gjithë prindërit; por baballarët po e bëjnë këtë edhe më të vështirë për nënat.

Jessica Valenti

E përktheu: Njomza Tmava

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://gen.medium.com/amp/p/e0cb58e1965b?__twitter_impression=true&s=09&fbclid=IwAR0qOh_3P-fJ56k_102tCvREs539oxag3CF_2cykKi3hMyx9aPphR53WL4I