Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Michel Foucault dhe Feminizmi

QIKA 11.8.2026

Poststrukturalizmi dhe feminizmi bashkëkohor janë dy prej lëvizjeve politike dhe kulturore më me ndikim të gjysmës së dytë të shekullit XX. Aleanca e krijuar ndërmjet tyre në dekadat e fundit është karakterizuar nga një ndërveprim intensiv dhe kritik me mendimin e filozofit francez Michel Foucault. Ani pse Foucault në shkrimet e tij u referohet rrallë grave apo çështjes gjinore, trajtimi që ai u bën marrëdhënieve ndërmjet pushtetit, trupit dhe seksualitetit ka nxitur interes të gjerë në teorinë feministe. Ideja e Foucault se trupi dhe seksualiteti janë konstrukte kulturore, e jo dukuri natyrore, shënon një kontribut të rëndësishëm në kritikën feministe ndaj esencializmit.

Ndonëse feministet e kanë njohur rëndësinë e analizës së Foucault-së mbi marrëdhëniet ndërmjet pushtetit dhe trupit, ato kanë vënë në pah gjithashtu edhe kufizimet e saj. Nga perspektiva politikave feministe që synojnë promovimin e autonomisë së grave, prirja e qasjes foucaultiane ndaj pushtetit për t’i reduktuar aktorët shoqërorë në trupa të nënshtruar mbetet problematike. Derisa shumë teoriciene feministe vazhdojnë të jenë kritike ndaj Foucault-së për vënien në pikëpyetje të kategorive të subjektit dhe veprimit (agjencisë), me argumentin se një qasje e tillë cenon synimet emancipuese të feminizmit, autore të tjera kanë pohuar se në veprat e tij të vonshme ai zhvillon një konceptim më të konsoliduar të subjektivitetit dhe rezistencës. Ky konceptim, ndonëse nuk është pa problematika nga këndvështrimi feminist, ofron gjithsesi kontribute të rëndësishme për teorinë dhe praktikën e politikës feministe. Afritë dhe tensionet ndërmjet mendimit të Foucault-së dhe feminizmit bashkëkohor trajtohen më poshtë.

Sfondi teorik: Gjenealogjia e Foucault-së mbi pushtetin, dijen dhe subjektin

Në veprat e periudhës së mesme të krijimtarisë së tij – Discipline and Punish dhe The History of Sexuality, Vol. 1 – Foucault gjurmon shfaqjen e disa praktikave, koncepteve, formave të dijes, institucioneve shoqërore dhe teknikave të qeverisjes që kanë kontribuar në formësimin e kulturës moderne evropiane. Metodën e analizës historike që ai përdor e quan gjenealogjike. Gjenealogjia është një formë e historisë kritike, në kuptimin që synon të ofrojë një diagnozë të “kohës së tashme dhe të asaj që jemi ne, pikërisht në këtë çast”, me qëllim që “të vërë në pikëpyetje atë që merret si e vetëkuptueshme … të shpërbëjë atë që është bërë e njohur dhe e pranuar.”

Ajo që e dallon analizën gjenealogjike nga historiografia tradicionale është se ajo përbën një formë historie që shpjegon konstituimin e dijeve, diskurseve, fushave të studimit dhe praktikave të tjera, pa iu referuar një subjekti që ose është transcendental në raport me hapësirën ku ndodhin, zhvillohen dhe analizohen ngjarjet, ose mbetet i pandryshuar përgjatë historisë. Në vend që të supozojë se rrjedha e historisë mund të shpjegohet përmes synimeve dhe qëllimeve të aktorëve individualë, gjenealogjia shqyrton rrjetin kompleks dhe vazhdimisht në ndryshim të marrëdhënieve ndërmjet pushtetit, dijes dhe trupit, të cilat prodhojnë forma historikisht specifike të subjektivitetit.

Foucault i lidh studimet e tij gjenealogjike me një formë të kritikës shoqërore, të cilën e përkufizon si ontologji kritike të së tashmes. Sipas tij, ontologjia e së tashmes nënkupton analizimin e kufijve historikë që na imponohen, me qëllim krijimin e hapësirës për të eksploruar mundësitë e tejkalimit të tyre. Në këtë kuptim, gjenealogjia përfaqëson një formë të kritikës shoqërore që synon të identifikojë mundësitë për ndryshim shoqëror dhe për transformimin etik të individit.

Një nga temat qendrore të gjenealogjisë së Foucault-së mbi të tashmen është analiza e transformimeve në natyrën dhe funksionimin e pushtetit, të cilat shënojnë kalimin drejt shoqërisë moderne. Gjenealogjia e tij e pushtetit modern sfidon supozimin e përhapur se pushteti është në thelb një forcë negative dhe represive, e cila vepron vetëm përmes mekanizmave të ligjit, tabusë dhe censurës. Sipas Foucault-së, ky konceptim juridiko-diskursiv i pushtetit e ka origjinën në praktikat e pushtetit që karakterizonin shoqëritë paramoderne. Sipas tij, në këto shoqëri pushteti ishte i centralizuar dhe i koordinuar nga një autoritet sovran, i cili ushtronte kontroll absolut mbi popullsinë përmes kërcënimit ose përdorimit të hapur të dhunës. Megjithatë, duke filluar nga shekulli i shtatëmbëdhjetë, meqenëse rritja dhe kujdesi për popullsinë u shndërruan gjithnjë e më shumë në shqetësimet kryesore të shtetit, u zhvilluan mekanizma të rinj të pushtetit, të përqendruar në administrimin dhe menaxhimin e jetës.

Në analizën komplekse që paraqet Foucault, kjo formë e re e biopushtetit u organizua rreth dy poleve kryesore. Njëri pol lidhet me qeverisjen efikase të popullsisë në tërësi dhe përqendrohet në menaxhimin e proceseve jetësore të trupit shoqëror. Ai përfshin rregullimin e dukurive si lindja, vdekja, sëmundjet, shëndeti, marrëdhëniet seksuale dhe aspekte të tjera të jetës së popullsisë. Poli tjetër, të cilin Foucault e quan pushtet disiplinor, e trajton trupin njerëzor si një objekt që mund të manipulohet, disiplinohet dhe stërvitet. Në veprën Discipline and Punish, Foucault analizon praktikat e disiplinimit dhe stërvitjes që lidhen me ushtrimin e pushtetit disiplinor. Foucault argumenton se këto praktika u zhvilluan fillimisht në mjedise institucionale të veçanta, si burgjet, institucionet ushtarake, spitalet, fabrikat dhe shkollat, por gradualisht u shtrinë më gjerë, duke u shndërruar në teknika të rregullimit dhe kontrollit shoqëror. Karakteristika themelore e pushtetit disiplinor është se ai ushtrohet drejtpërdrejt mbi trupin. Praktikat disiplinore i nënshtrojnë aktivitetet trupore ndaj një procesi të vazhdueshëm mbikëqyrjeje dhe vlerësimi, i cili mundëson një kontroll të pandërprerë dhe gjithëpërfshirës mbi sjelljen e individit. Qëllimi i këtyre praktikave është, njëkohësisht, të optimizojnë aftësitë, shkathtësitë dhe produktivitetin e trupit, si edhe të nxisin dobishmërinë dhe bindshmërinë e tij. Me fjalët e Foucault-së, ajo që po formësohej ishte një politikë e detyrimit që vepron mbi trupin, përmes manipulimit të llogaritur të elementeve, gjesteve dhe sjelljes së tij. Trupi i njeriut u përfshi në një mekanizëm të pushtetit që e shqyrton, e zbërthen dhe e riformëson. Në këtë mënyrë, disiplina prodhon trupa të nënshtruar, të formësuar sipas praktikave të saj, pra trupa të bindur. Megjithatë, teknikat disiplinore nuk synojnë vetëm trupin. Foucault argumenton se pushteti disiplinor është gjithashtu produktiv në formësimin e llojeve të caktuara të subjektit. Në librin Discipline and Punish, ai shpjegon se teknika qendrore e pushtetit disiplinor – mbikëqyrja e vazhdueshme – e cila fillimisht synon disiplinimin e trupit, shtrihet edhe mbi mendjen, duke krijuar një gjendje psikologjike të vetëdijes për një dukshmëri të vazhdueshme e të përhershme.

Me fjalë të tjera, mbikëqyrja e vazhdueshme përvetësohet nga individët dhe shndërrohet në një formë të vetëkontrollit, duke prodhuar atë lloj vetëdijeje që karakterizon subjektin modern. Me idenë se pushteti modern vepron duke prodhuar vetë fenomenet që synon të rregullojë, Foucault sfidon konceptimin juridik të pushtetit si ligj, i cili presupozon se pushteti kufizon ose shtyp diçka që tashmë ekziston si e formësuar. Sipas Foucault-së, kalimi drejt modernitetit shoqërohet me zëvendësimin e ligjit nga norma si instrumenti kryesor i kontrollit shoqëror. Foucault e lidh rëndësinë që normat marrin në shoqërinë moderne me zhvillimin e shkencave humane dhe shoqërore. Në vëllimin e parë të The History of Sexuality, ai shpjegon se gjatë shekujve XVIII dhe XIX, seksi dhe seksualiteti u shndërruan në çështje me rëndësi të veçantë politike në një shoqëri që synonte të administronte dhe të drejtonte jetën e individëve dhe të popullsisë. Sipas Foucault-së, përhapja e biopushtetit është e lidhur ngushtë me diskurset e shkencave shoqërore mbi seksin dhe seksualitetin, të cilat u zhvilluan gjerësisht gjatë kësaj periudhe. Ai argumenton se këto diskurse e konceptonin seksin si shtysë instinktive biologjike dhe psikike, të lidhur ngushtë me identitetin dhe, për rrjedhojë, me pasoja potencialisht të gjera për sjelljen seksuale dhe shoqërore të individëve. Ideja se shtysa seksuale mund të funksiononte në një mënyrë normale dhe të shëndetshme, ose të deformohej në forma të shtrembëruara e patologjike, çoi në zhvillimin e një projekti për klasifikimin e sjelljeve përgjatë një spektri të normalizimit dhe patologjizimit të instinktit seksual.

Pasi u konsoliduan kategoritë e shkencave shoqërore dhe seksologjike mbi normalitetin dhe devijimin, u legjitimuan teknologji të ndryshme politike që synonin trajtimin dhe reformimin e sjelljeve të konsideruara si devijante, duke u justifikuar si masa në interes të individit dhe shoqërisë. Në këtë mënyrë, Foucault argumenton se në shoqërinë moderne sjellja e individëve dhe grupeve kontrollohet gjithnjë e më shumë përmes standardeve të normalitetit, të cilat përhapen nga forma të ndryshme të dijes vlerësuese, diagnostikuese, prognostikuese dhe normative, si kriminologjia, mjekësia, psikologjia dhe psikiatria. Për më tepër, individët modernë bëhen vetë agjentë të normalizimit të tyre, në masën që u nënshtrohen dhe përvetësojnë kategoritë, klasifikimet dhe normat e përhapura nga diskurset shkencore dhe administrative, të cilat pretendojnë të zbulojnë “të vërtetën” e identitetit të tyre. Si rrjedhojë, shoqëria moderne e disiplinës mund të heqë dorë nga format e drejtpërdrejta të shtypjes dhe detyrimit, pasi kontrolli shoqëror realizohet përmes strategjive më të sofistikuara të normalizimit, të cilat prodhojnë individë që ‘vetërregullohen’ dhe i përshtaten normave të vendosura. Pikërisht kuptimi që Foucault i jep karakterit produktiv të praktikave dhe teknologjive që karakterizojnë biopushtetin normalizues përbën bazën e përfundimit të tij se pushteti në shoqëritë moderne është, në thelb, një forcë krijuese dhe jo thjesht represive. Mbi të gjitha, Foucault argumenton se regjimet moderne të pushtetit veprojnë duke na formësuar si subjekte, të cilat janë njëkohësisht objekt dhe bartës të pushtetit. Sipas tij, individi nuk duhet të konceptohet si një bërthamë elementare, një atom primitiv apo një masë pasive mbi të cilën pushteti vepron nga jashtë. Përkundrazi, janë pikërisht marrëdhëniet e pushtetit ato që bëjnë të mundur identifikimin dhe konstituimin e trupave, gjesteve, diskurseve dhe dëshirave të caktuara si individë.  Me fjalë të tjera, individi nuk qëndron përballë pushtetit si një entitet i pavarur; ai është një nga efektet kryesore të tij.

Analiza e Foucault-së mbi karakterin produktiv të biopushtetit vë në pah ndërveprimin kompleks ndërmjet formave moderne të pushtetit dhe dijes. Sipas tij, ushtrimi i pushtetit prodhon vazhdimisht dije, ndërsa dija, nga ana tjetër, gjeneron vazhdimisht efekte të pushtetit. Për Foucault-në, pushteti prodhon dije në dy kuptime të ndërlidhura. Së pari, në kuptimin se institucione të caktuara të pushtetit bëjnë të mundur, brenda një konteksti të caktuar historik, shfaqjen e formave të veçanta të dijes. Në rastin e shkencave shoqërore, për shembull, përmirësimi i teknikave disiplinore për vëzhgimin dhe analizimin e trupit në mjedise të ndryshme institucionale krijoi kushtet për zgjerimin e fushave të reja të hulumtimit shoqëror. Së dyti, mund të thuhet se pushteti prodhon dije edhe në kuptimin se institucionet e pushtetit përcaktojnë kushtet mbi bazën e të cilave pohimet shkencore pranohen si të vërteta ose të pavërteta.

Foucault argumenton se e vërteta është produkt i kësaj bote: ajo prodhohet përmes formave të shumta të detyrimit dhe, njëkohësisht, gjeneron efekte të vazhdueshme të pushtetit. Ky konceptim nënkupton se prodhimi i së vërtetës nuk mund të ndahet plotësisht nga teknologjitë e pushtetit. Nga ana tjetër, Foucault argumenton se dija prodhon efekte të pushtetit për aq kohë sa krijon objekte të reja të kërkimit, si delinkuenti, homoseksuali apo krimineli, të cilët më pas bëhen objekt i manipulimit, mbikëqyrjes dhe kontrollit. Për shembull, ai pohon se është pikërisht dija e prodhuar nga shkencat humane dhe shoqërore ajo që i mundëson pushtetit modern të depërtojë në mënyra gjithnjë e më të imta në jetën e individëve, duke ushtruar ndikim mbi trupat, gjestet dhe veprimtarinë e tyre të përditshme. Për të theksuar ndërvarësinë dhe bashkëveprimin e vazhdueshëm ndërmjet pushtetit dhe dijes, Foucault përdor konceptin ‘pushtet/dije’ (ang. power/knowledge) ose ‘të diskurseve’, duke iu referuar mënyrave të strukturuara përmes të cilave prodhohen njëkohësisht dija dhe ushtrimi i pushtetit.

Mes Foucault-së dhe feminizmit: Përputhjet dhe kritikat

Nga perspektiva e teorisë bashkëkohore shoqërore dhe politike, origjinaliteti i gjenealogjive të Foucault-së mbi pushtetin/dijen qëndron në sfidimin e mënyrave tradicionale të të menduarit për pushtetin. Pikërisht kjo qasje e ka bërë punën e Foucault-së burim të rëndësishëm për teorinë feministe, duke nxitur njëkohësisht debate të gjera ndërmjet teoricieneve feministe të teorisë shoqërore dhe politike. Megjithëse ekziston një pajtim i gjerë se ripërkufizimi që Foucault i bën konceptit të pushtetit në shoqëritë bashkëkohore ofron njohuri dhe perspektiva të rëndësishme për feminizmin, teoricienet feministe vazhdojnë të kenë mospajtime lidhur me implikimet që ky ripërkufizim ka për teorinë dhe praktikën feministe.

Analiza e marrëdhënieve të pushtetit zë një vend qendror në projektin feminist për të kuptuar natyrën dhe shkaqet e nënshtrimit të grave. Duke u mbështetur në modelin tradicional që e koncepton pushtetin si represion, shumë qasje të teorisë feministe kanë supozuar se shtypja e grave mund të shpjegohet përmes strukturave shoqërore patriarkale, të cilat sigurojnë dominimin e burrave mbi gratë. Megjithatë, ky supozim është vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje nga teoriciene të tjera feministe, të cilat synojnë të kundërshtojnë atë që e konsiderojnë një konceptim tepër të thjeshtëzuar të marrëdhënieve të pushtetit, si dhe implikimin problematik se gratë janë veçse viktima pasive dhe të pafuqishme të pushtetit të burrave. Në kuadër të këtij debati, analiza e Foucault-së mbi pushtetin është përdorur nga disa teoriciene feministe për të zhvilluar qasje më komplekse ndaj marrëdhënieve ndërmjet gjinisë dhe pushtetit, duke shmangur supozimin se shtypja e grave është rezultat i drejtpërdrejtë dhe i thjeshtë i zotërimit të pushtetit nga burrat. Duke u mbështetur në konceptimin e Foucault-së për pushtetin si diçka që ushtrohet, e jo që zotërohet, si diçka që qarkullon në të gjithë trupin shoqëror dhe nuk buron vetëm nga strukturat e larta të autoritetit, si edhe si një forcë produktive dhe jo thjesht represive, teoricienet feministe kanë synuar të sfidojnë interpretimet e marrëdhënieve gjinore që theksojnë vetëm dominimin dhe viktimizimin. Në vend të kësaj, ato kanë kërkuar të zhvillojnë një kuptim më të thelluar dhe më të nuancuar të rolit që pushteti luan në jetën e grave. Në këtë drejtim, ripërkufizimi që Foucault i bën konceptit të pushtetit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe shumëdimensional në zhvillimin e teorisë feministe.

Koncepti i Foucault-së se pushteti është përbërës i vetë asaj mbi të cilën vepron u ka mundësuar feministeve të shqyrtojnë mënyrat shpesh komplekse në të cilat përvojat, vetëkuptimi, sjellja dhe aftësitë e grave formësohen brenda dhe përmes marrëdhënieve të pushtetit që ato synojnë t’i transformojnë. Ideja se pushteti modern nuk kufizohet vetëm në shtypjen e individëve, por merr pjesë edhe në prodhimin dhe formësimin e tyre, ka ndikuar gjithashtu në një zhvendosje të debatueshme brenda teorisë feministe, larg orientimeve tradicionale çliruese. Në vend të një programi politik që synon emancipimin e plotë nga pushteti, feminizmi i ndikuar nga Foucault përqendrohet në zbulimin e formave konkrete dhe të lokalizuara që marrin marrëdhëniet gjinore të pushtetit në nivelin mikropolitik, me qëllim identifikimin e mundësive reale për rezistencë dhe ndryshim shoqëror. Në zhvillimin e kësaj qasjeje, studiueset feministe janë mbështetur në analizën e Foucault-së mbi dimensionin produktiv të pushtetit disiplinor, i cili ushtrohet edhe jashtë sferës së ngushtë politike, për të shqyrtuar mënyrën se si pushteti vepron në jetën e përditshme të grave. Gjithashtu, shumë teoriciene feministe e kanë konsideruar të vlefshëm argumentin e Foucault-së se trupi përbën hapësirën kryesore ku ushtrohet pushteti në shoqërinë moderne, duke e përdorur atë për të analizuar format e kontrollit shoqëror mbi gratë përmes trupit dhe seksualitetit të tyre.

Së fundi, teoricienet feministe kanë përvetësuar analizën e Foucault-së mbi pushtetin/dijen, veçanërisht theksin që ai vendos mbi kriteret përmes të cilave legjitimohen pretendimet për dije, me synimin për të zhvilluar një teori që shmang përgjithësimin e përvojave të feminizmit perëndimor, të grave të bardha, heteroseksuale dhe të shtresës së mesme. Duke u mbështetur në vënien në pikëpyetje që Foucault i bën esencave të pandryshueshme, si edhe në konceptimin e tij relativist të së vërtetës, teoricienet feministe kanë synuar të krijojnë një hapësirë teorike ku të mund të artikulohen pozicione subjektive, perspektiva politike dhe interesa që deri atëherë kishin mbetur në margjinat e debatit. Megjithëse ekzistojnë pika të shumta takimi ndërmjet analizës foucaultiane të pushtetit/dijes dhe trajtesave të teorisë feministe, vepra e Foucault-së ka qenë gjithashtu objekt i kritikave të forta nga ana e feministeve. Këto kritika vënë në pikëpyetje pikërisht ato aspekte të konceptimit të tij për pushtetin që feminizmi i frymëzuar nga Foucault i ka konsideruar më të vlefshme. Dy kundërshtimet më të shpeshta lidhen me mënyrën se si ai e koncepton subjektivitetin si të ndërtuar nga pushteti, si dhe me mungesën e një shpjegimi të qartë të normave që udhëheqin projektin e tij kritik.

Nancy Fraser argumenton se problemi me pretendimin e Foucault-së, sipas të cilit format e subjektivitetit konstituohen nga marrëdhëniet e pushtetit, është se ai nuk lë hapësirë të mjaftueshme për rezistencën ndaj pushtetit. Nëse individët janë thjesht efekte të pushtetit, pra trupa të bindur që formësohen prej tij, atëherë bëhet e vështirë të shpjegohet se kush është ai që i reziston pushtetit. Për këtë arsye, Fraser e konsideron jo koherent pohimin e Foucault-së se pushteti gjithmonë gjeneron rezistencë.

Më tej, ajo argumenton se refuzimi i Foucault-së për të formuluar norma të justifikuara në mënyrë të pavarur, të cilat do t’i mundësonin të dallonte format e pranueshme nga ato të papranueshme të pushtetit, e pengon atë t’u përgjigjet pyetjeve thelbësore se përse dominimi duhet të kundërshtohet. Sipas Fraser-it, vetëm përmes përfshirjes së parimeve normative Foucault do të mund të shpjegonte se çfarë është problematike në regjimin modern të pushtetit/dijes dhe pse ai duhet të kundërshtohet.

Në interpretimin e Fraser-it, qëndrimi normativisht neutral i Foucault-së ndaj pushtetit e kufizon vlerën e veprës së tij për teorinë feministe, pasi nuk ofron bazën normative të nevojshme për të kritikuar strukturat e dominimit dhe për të orientuar programet e ndryshimit shoqëror. Duke iu bashkuar dhe njëkohësisht duke i zgjeruar kritikat e Nancy Fraser-it, Nancy Hartsock argumenton se vënia në pikëpyetje e kategorive të subjektivitetit dhe agjencisë nga Foucault duhet të trajtohet me kujdes nga teoricienet feministe. Ajo ngre pyetjen: Përse pikërisht në momentin kur shumë prej nesh, të cilat për një kohë të gjatë kemi heshtur, fillojmë të kërkojmë të drejtën për ta emërtuar veten, për të vepruar si subjekte dhe jo si objekte të historisë, pikërisht atëherë vetë koncepti i subjektit bëhet problematik? Ashtu si Fraser-i, edhe Hartsock e konsideron problematik konceptimin foucaultian të pushtetit modern, për aq sa ai i redukton individët në trupa të bindur, në vend që t’i trajtojë si subjekte të afta për t’i rezistuar pushtetit. Sipas saj, mënyra se si Foucault e koncepton subjektin si një efekt të pushtetit rrezikon vetë qëndrueshmërinë e politikës feministe, pasi mohon ekzistencën e një subjekti çlirues dhe, për rrjedhojë, i dënon gratë me një gjendje të vazhdueshme shtypjeje. Hartsock argumenton gjithashtu se refuzimi i Foucault-së ndaj besimit iluminist se e vërteta është në thelb në kundërshtim me pushtetin (dhe, për rrjedhojë, luan domosdoshmërisht një rol çlirues) i minon synimet emancipuese politike të feminizmit. Sipas saj, duke këmbëngulur në ndërvarësinë ndërmjet dijes dhe pushtetit, Foucault mohon mundësinë e ekzistencës së një dijeje çliruese. Me fjalë të tjera, ai mohon mundësinë që njohja më e thellë dhe më e saktë e pushtetit patriarkal të mund të çojë në çlirimin nga shtypja. Për këtë arsye, Hartsock vlerëson se mendimi i Foucault-së nuk është në përputhje me orientimin thelbësisht emancipues të politikës feministe. Këto kritika i drejtohen kryesisht konceptimit të subjektit dhe pushtetit që Foucault zhvilloi në veprat e periudhës së mesme të krijimtarisë së tij. Megjithatë, disa teoriciene feministe kanë argumentuar se në veprat e tij të vonshme Foucault e rishikon perspektivën e tij teorike në mënyra që e bëjnë atë më të dobishme për formulimin e një etike dhe politike feministe koherente. Reagimet e teorisë feministe ndaj veprës së vonshme të Foucault-së trajtohen në seksionin përmbyllës.

Pushteti, trupi dhe seksualiteti

Ekzistojnë disa aspekte të analizës së Foucault-së mbi marrëdhëniet ndërmjet pushtetit, trupit dhe seksualitetit që kanë zgjuar interes të veçantë në teorinë feministe. Së pari, analizat e tij mbi dimensionin produktiv të pushtetit disiplinor, i cili ushtrohet edhe jashtë sferës së ngushtë politike, përkojnë me projektin feminist për të shqyrtuar mikropolitikën e jetës personale dhe për të zbuluar mekanizmat përmes të cilëve pushteti patriarkal vepron në nivelet më intime të përvojës së grave. Së dyti, mënyra se si Foucault e koncepton marrëdhënien ndërmjet pushtetit, trupit dhe seksualitetit u ka ofruar teoricieneve feministe mjete të rëndësishme konceptuale për analizimin e ndërtimit shoqëror të gjinisë dhe seksualitetit, duke dhënë njëkohësisht një kontribut të rëndësishëm në kritikën feministe ndaj esencializmit. Për fund, identifikimi që Foucault i bën trupit si objekti kryesor mbi të cilin ushtrohet pushteti është përdorur nga teoricienet feministe për të analizuar format bashkëkohore të kontrollit social mbi trupat dhe mendjet e grave.

Në vend që të përqendrohet te burimet e centralizuara të pushtetit shoqëror, si ekonomia apo shteti, analiza e Foucault-së mbi pushtetin vë theksin te marrëdhëniet e pushtetit në nivel mikrosocial. Sipas tij, duke qenë se pushteti modern vepron në mënyrë kapilare në të gjithë trupin shoqëror, ai kuptohet më së miri përmes efekteve të tij konkrete dhe lokale, si edhe përmes praktikave të përditshme që mbështesin dhe riprodhojnë marrëdhëniet e pushtetit. Ky fokus mbi praktikat e përditshme, përmes të cilave marrëdhëniet e pushtetit riprodhohen vazhdimisht, përkon me projektin feminist për analizimin e politikës së marrëdhënieve personale dhe transformimin e marrëdhënieve gjinore të pushtetit në nivelet më intime të përvojës njerëzore. Kjo përfshin institucionet e martesës, amësisë dhe heteroseksualitetit të imponuar, marrëdhëniet private ndërmjet grave dhe burrave, si edhe ritualet dhe praktikat e përditshme që rregullojnë mënyrën se si gratë e përjetojnë dhe e ndërtojnë marrëdhënien me veten dhe me trupin e tyre. Nancy Fraser vëren se puna e Foucault-së i jep një shtysë të re asaj që shpesh quhet ‘politika e jetës së përditshme’, pasi ofron bazën empirike dhe konceptuale për t’i trajtuar dukuri të tilla si seksualiteti, shkolla, psikiatria, mjekësia dhe shkencat shoqërore si dukuri politike. Sipas Fraser-it, qasja e Foucault-së ndaj analizës së pushtetit legjitimon trajtimin e problemeve në këto fusha si politike. Në këtë mënyrë, ajo zgjeron hapësirën brenda së cilës njerëzit mund të përballen kolektivisht me problemet që i prekin, t’i kuptojnë ato dhe të përpiqen të ndryshojnë mënyrën se si organizohet dhe zhvillohet jeta e tyre. Një nga kontributet më të rëndësishme të Foucault-së për të kuptuar mënyrën se si funksionon pushteti në nivelin mikropolitik është identifikimi i trupit dhe seksualitetit si hapësira kryesore ku ushtrohet kontrolli shoqëror. Foucault këmbëngul se trupi duhet kuptuar si një kategori e kushtëzuar historikisht. Pikërisht ky theks mbi trupin, si objekt që synohet drejtpërdrejt dhe formësohet nga regjime historikisht të ndryshueshme të biopushtetit, e ka bërë versionin foucaultian të teorisë poststrukturaliste veçanërisht tërheqës për teoricienet feministe.

Problemi se si mund të konceptohet trupi pa e reduktuar materialitetin e tij në një esencë biologjike të pandryshueshme ka qenë një nga çështjet themelore të teorisë feministe. Në një nivel bazë, koncepti i trupit zë vend qendror në analizën feministe të shtypjes së grave, pasi dallimet biologjike ndërmjet grave dhe burrave kanë shërbyer historikisht si bazë për të justifikuar dhe legjitimuar pabarazinë gjinore. Përmes thirrjes ndaj karakteristikave biologjike të paraqitura si të pandryshueshme dhe jashtë historisë, ideja se gratë janë inferiore ndaj burrave natyralizohet dhe legjitimohet. Ky proces përfshin dy mekanizma të ndërlidhur. Së pari, trupat e grave vlerësohen si inferiorë në raport me norma dhe ideale të ndërtuara mbi aftësitë fizike të burrave. Së dyti, karakteristikat biologjike shndërrohen në karakteristika shoqërore, duke bërë që dallimet biologjike të interpretohen si dëshmi e roleve dhe pozitave të ndryshme shoqërore të grave dhe burrave. Tradicionalisht, është supozuar se burrat janë të aftë ta tejkalojnë nivelin biologjik përmes aftësive të tyre racionale, ndërsa gratë janë përkufizuar kryesisht në bazë të kapaciteteve të tyre fizike për riprodhim dhe amësi. Për të shmangur këtë identifikim të kategorisë shoqërore grua me funksionet biologjike – pra, për të kundërshtuar esencializmin – format e hershme të teorisë feministe zhvilluan një teori të ndërtimit shoqëror, të mbështetur në dallimin ndërmjet seksit dhe gjinisë. Dallimi ndërmjet seksit dhe gjinisë përfaqëson përpjekjen e teorisë feministe për të shkëputur lidhjen ndërmjet kategorisë biologjike të seksit dhe kategorisë shoqërore të gjinisë. Sipas kësaj qasjeje të ndërtimit shoqëror, gjinia përfaqëson kuptimin kulturor që i atribuohet trupit.

Kur gjinia kuptohet si konstrukt kulturor, bëhet e mundur të shmanget ideja esencialiste se ajo buron në mënyrë të drejtpërdrejtë nga trupi biologjik. Megjithatë, ndarja ndërmjet seksit biologjik, i konceptuar si i pandryshueshëm dhe jashtë historisë, dhe gjinisë, e kuptuar si një konstrukt kulturor, sjell edhe një problem tjetër: ajo krijon një shkëputje ndërmjet gjinisë si kategori shoqërore dhe trupit të klasifikuar sipas seksit biologjik (ang. sexed body). Si pasojë e kësaj shkëputjeje, trupi sipas përcaktimit biologjik priret të shihet si i parëndësishëm për formësimin e identitetit gjinor të individit. Pikërisht kjo pasojë problematike e dallimit ndërmjet seksit dhe gjinisë ka bërë që disa teoriciene feministe t’i drejtohen teorisë së Foucault-së mbi trupin dhe seksualitetin, duke e përdorur atë si alternativë teorike për të rishqyrtuar marrëdhënien ndërmjet biologjisë, trupit dhe identitetit gjinor. Në vëllimin e parë të The History of Sexuality, Foucault zhvillon një konceptim anti-esencialist të trupit në dimensionin e tij seksual (ang. sexual body), i cili, megjithatë, nuk e mohon materialitetin e tij. Në qendër të historisë së seksualitetit qëndron analiza e mënyrës se si është prodhuar kategoria e seksit dhe funksioni që ajo ka në regjimet e pushtetit të orientuara drejt kontrollit të dimensionit seksual të trupit. Foucault argumenton se konstrukti i një seksi të supozuar si natyror shërben për të fshehur mënyrën se si pushteti prodhon dhe formëson seksualitetin: “Nocioni i seksit solli një përmbysje fundamentale; ai bëri të mundur përmbysjen e mënyrës se si përfaqësohen marrëdhëniet ndërmjet pushtetit dhe seksualitetit, duke bërë që seksualiteti të mos shfaqet më në marrëdhënien e tij thelbësore dhe pozitive me pushtetin, por si diçka e rrënjosur në një domosdoshmëri specifike dhe të pareduktueshme, të cilën pushteti përpiqet, sa mundet, ta dominojë.”  Pretendimi i Foucault-së është se marrëdhënia ndërmjet pushtetit dhe seksualitetit keqinterpretohet kur seksualiteti shihet si një forcë natyrore, e pakontrollueshme, të cilën pushteti vetëm e kundërshton, e shtyp ose e kufizon. Përkundrazi, sipas tij, seksualiteti duhet të kuptohet si një fenomen që ndërtohet dhe formësohet përmes ushtrimit të marrëdhënieve të pushtetit. Duke u mbështetur në analizën e Foucault-së mbi ndërtimin historik të seksualitetit dhe rolin që luan kategoria e seksit në këtë proces, teoricienet feministe kanë qenë në gjendje ta rikonceptualizojnë gjininë, jo si tërësinë e kuptimeve kulturore që i atribuohen një seksi të dhënë paraprakisht, por, sipas formulimit të Judith Butler-it, si “mjetet kulturore përmes të cilave ‘natyra e seksuar’ ose ‘një seks natyror’ prodhohet dhe vendoset si diçka që i paraprin kulturës.”

Duke ndjekur Foucault-në, Judith Butler argumenton se ideja e një seksi natyror, i cili ekziston para kulturës dhe socializimit, luan një rol të rëndësishëm në prodhimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve gjinore të pushtetit, sepse ai e natyralizon idenë rregulluese të heteroseksualitetit të supozuar si të natyrshëm dhe, rrjedhimisht, përforcon kufizimet riprodhuese të vendosura mbi seksualitetin. Përveç konceptimit të tij anti-esencialist mbi trupin dhe seksualitetin, Foucault këmbëngul edhe në realitetin material të trupave. Ai argumenton se ky realitet i pasur dhe kompleks tej thjeshtëzohet nga kategoria biologjike e seksit, e cila bashkon në një unitet artificial funksione të ndryshme biologjike dhe forma të ndryshme të kënaqësisë trupore, të cilat në vetvete nuk janë domosdoshmërisht të lidhura me njëra-tjetrën. Në The History of Sexuality, Foucault shpjegon se “qëllimi i këtij studimi është, në fakt, të tregojë se mënyrat e ushtrimit të pushtetit janë të lidhura drejtpërdrejt me trupin – me trupat, funksionet, proceset fiziologjike, ndjesitë dhe kënaqësitë; larg idesë se trupi duhet të zhduket nga analiza, ajo që nevojitet është ta bëjmë atë të dukshëm përmes një analize në të cilën biologjikja dhe historikja nuk shihen si të njëpasnjëshme, por si të ndërthurura në një mënyrë gjithnjë e më komplekse, në përputhje me zhvillimin e teknologjive moderne të pushtetit që e marrin jetën si objektivin e tyre.” Për këtë arsye, Foucault nuk synon të shkruajë një ‘histori të mentaliteteve’, e cila do t’i trajtonte trupat vetëm përmes mënyrës se si janë perceptuar ose se çfarë kuptimesh dhe vlerash u janë atribuar. Përkundrazi, ai thotë se synon të zhvillojë një ‘histori të trupave’, që shqyrton mënyrat se si aspektet më materiale dhe më jetësore të tyre janë bërë objekt i ndërhyrjes, organizimit dhe investimit nga mekanizmat e pushtetit.

Pikërisht sepse qasja  anti-esencialiste i Foucault-së mbi trupin nuk e mohon materialitetin e tij, ai ka tërhequr vëmendjen e teoricieneve feministe që synojnë të analizojnë proceset përmes të cilave trupi i grave shndërrohet në një trup të feminizuar. Duke argumentuar se trupi është objekt i drejtpërdrejtë i pushtetit dhe se ai formësohet përmes marrëdhënieve të pushtetit, Foucault pohon se trupi nuk mund të kuptohet jashtë domethënieve kulturore që i atribuohen. Në këtë mënyrë, ai rrëzon dallimin tradicional midis seksit si një kategori natyrore dhe gjinisë si një konstrukt kulturor, duke i parë të dyja si të formësuara përmes marrëdhënieve të pushtetit dhe praktikave shoqërore. Elizabeth Grosz argumenton se, ndryshe nga disa versione të tjera të teorisë poststrukturaliste, të cilat analizojnë përfaqësimin e trupave pa i kushtuar vëmendjen e duhur materialitetit të tyre, këmbëngulja e Foucault-it mbi realitetin material të trupit, i cili formësohet drejtpërdrejt nga forcat shoqërore dhe historike, shmang kundërvënien tradicionale gjinore midis trupit dhe kulturës. Për këtë arsye, Grosz vlerëson se, megjithëse Foucault nuk e trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë çështjen e dallimit seksual, mendimi i tij mund të japë një kontribut të rëndësishëm në projektin feminist për të kuptuar marrëdhënien ndërmjet pushtetit shoqëror dhe prodhimit të trupave të diferencuar sipas seksit.

Megjithatë, jo të gjitha teoricienet feministe ndihen rehat me retorikën anti-natyraliste të Foucault-së. Kate Soper argumenton se, duke hedhur poshtë idenë e një trupi natyror, anti-esencializmi i Foucault-së mund “t’u shërbejë forcave të reaksionit, për aq sa ai paraqitet si një paralajmërim paraprak kundër çdo politike që synon eliminimin e efekteve kufizuese dhe shtrembëruese të stereotipizimit kulturor.”  Këtu Soper artikulon një shqetësim të zakonshëm feminist lidhur me pasojat potencialisht konservatore politike të versionit të konstruktivizmit shoqëror të Foucault-së. Në anën tjetër, Lois McNay argumenton se, megjithëse modeli i Foucault- së për marrëdhënien midis trupit dhe pushtetit e përjashton pikëpamjen se trupi dhe seksualiteti mund të çlirohen nga pushteti, ai lë hapësirë për mundësinë që format ekzistuese të seksualitetit dhe marrëdhëniet e pushtetit të gjinizuara mund të transformohen. Sipas tij, historia e seksualitetit e Foucault- së “e zbulon natyrën kontingjente dhe shoqërisht të përcaktuar të seksualitetit dhe, në këtë mënyrë, e çliron trupin nga fiksioni normativ i heteroseksualitetit dhe hap mundësi të reja për të eksploruar forma të ndryshme të kënaqësisë trupore.”

Në një tjetër angazhim të rëndësishëm me analizën e Foucault-së mbi trupin dhe pushtetin, studiueset  e kanë përqafuar konceptin e pushtetit disiplinor-normalizues, duke e konsideruar atë një mjet të vlefshëm për të kuptuar format bashkëkohore të kontrollit shoqëror mbi gratë. Për shembull, Sandra Bartky e përdor qasjen e Foucault-së për të analizuar në mënyrë të detajuar mënyrën se si trupi i gruas i nënshtrohet praktikave disiplinore, si dietat, ushtrimet fizike dhe praktikat e bukurisë. Sipas saj, këto praktika prodhojnë një formë të trupëzimit që përputhet me normat mbizotëruese të bukurisë dhe tërheqjes femërore. Sipas Bartky-, këto praktika disiplinore i nënshtrojnë gratë, jo duke ua marrë pushtetin, por duke gjeneruar aftësi dhe kompetenca që varen nga ruajtja e një forme stereotipike të identitetit të grave. Ajo sugjeron se pranimi në dukje vullnetar i grave ndaj normave dhe praktikave të ndryshme që promovojnë fuqizimin e tyre më të kufizuar është për shkak se sfidimi i “ndërtimit patriarkal të trupit të grave … mund të vërë në pikëpyetje atë aspekt të identitetit personal që lidhet me zhvillimin e një ndjenje kompetence.”

Ngjashëm, Susan Bordo i zbaton idetë e Foucault-së në analizën e saj të çrregullimeve të të ngrënit, të cilat prekin kryesisht gratë, si anoreksia nervore dhe bulimia. Duke u mbështetur në Foucault-në, Bordo argumenton se këto çrregullime mund të kuptohen si teknologji disiplinore të trupit. Sipas saj, gruaja që vuan nga anoreksia i çon në skaj praktikat të cilave gratë u nënshtrohen në përpjekjet e tyre për t’u përshtatur me normat kulturore të një forme ideale femërore. Në figurën e gruas anoreksike, Bordo sheh një lidhje midis pushtetit, vetëkontrollit me arritjen e dobësimit të trupit, që mund të jetë edhe fatal. Për të, kjo lidhje përbën ilustrim të qartë të mënyrës se si pushteti disiplinor lidhet me kontrollin shoqëror mbi gratë.

Teknologjitë disiplinore janë forma veçanërisht efektive të kontrollit shoqëror, sepse ato veprojnë drejtpërdrejt mbi individët në nivelin e trupave, gjesteve, dëshirave dhe zakoneve të tyre, për të krijuar individë që janë të lidhur me nënshtrimin e tyre dhe, kështu, bëhen agjentë të pavetëdijshëm të tij. Me fjalë të tjera, pushteti disiplinor formëson individë që i nënshtrohen ‘vullnetarisht’ vetë-mbikëqyrjes dhe vetë-normalizimit. Kështu, ashtu si Bartky, edhe Bordo e konsideron punën e Foucault-së të dobishme për të shpjeguar bashkëpunimin e grave me standardet patriarkale të feminitetit.

Subjektiviteti, identiteti dhe rezistenca

Megjithëse mënyra se si Bartky dhe Bordo i përdorin idetë e Foucault-së mbi funksionimin e pushtetit disiplinor-normalizues përbën një korrigjim të dështimit të tij për të njohur karakterin gjinor të teknikave disiplinore, disa teoriciene feministe kanë argumentuar se puna e tyre riprodhon një aspekt problematik të trajtimit që Foucault-ja i bën pushtetit disiplinor modern. Jana Sawicki shpjegon se problemi me këtë lloj përvetësimi feminist të mendimit të Foucault-së qëndron në paaftësinë për të shpjeguar në mënyrë rezistencën efektive ndaj praktikave disiplinore. Si Foucault, ashtu edhe Bartky dhe Bordo e konceptojnë pushtetin disiplinor modern si të kudondodhur dhe të pashmangshëm. Në këtë kuptim, pushteti foucaultian i redukton individët në trupa të bindur dhe të nënshtruar, duke lënë të kuptohet se liria dhe rezistenca janë pothuajse të pamundura. Sipas Sawicki-t, “Bartky dhe Bordo kanë përshkruar forma të pushtetit patriarkal që depërtojnë aq thellë në subjekt, saqë është e vështirë të imagjinohet se si ato (ne) mund t’i shpëtojmë. Ato përshkruajnë bashkëfajësinë tonë në praktikat patriarkale të viktimizimit pa ofruar sugjerime se si mund t’u rezistojmë atyre.”  

Kritiket feministe të Foucault-së, si Nancy Hartsock, argumentojnë se dështimi i tij për të zhvilluar një nocion të përshtatshëm të rezistencës është pasojë e reduktimit të individëve në efekte të marrëdhënieve të pushtetit. Hartsock i jep jehonë shqetësimit të përhapur feminist se kuptimi foucaultian i pushtetit i redukton individët në trupa të bindur, në viktima të teknologjive disiplinore ose në objekte të pushtetit, në vend që t’i trajtojë si subjekte të afta për të ushtruar rezistencë. Problemi për Hartsock-un dhe kritiket tjera është se, pa supozimin e një subjekti ose individi që paraprin ndërtimin e tij nga teknologjitë e pushtetit, bëhet e vështirë të shpjegohet se kush i reziston pushtetit. Nëse nuk ekzistojnë individë të gatshëm me interesa që përcaktohen para se të ndërtohen nga marrëdhëniet e pushtetit, atëherë cili është burimi i rezistencës sonë? Disa feministe u janë përgjigjur këtyre shqetësimeve duke argumentuar se, megjithëse Foucault e hedh poshtë idenë se rezistenca mund të mbështetet në një subjekt ose vetvete që ekziston përpara ndërtimit të saj nga pushteti, ai nuk e mohon mundësinë e rezistencës ndaj pushtetit.

Në punën e tij të mëvonshme, Foucault-ja shpjegon se teoria e tij mbi pushtetin nënkupton si mundësinë, ashtu edhe ekzistencën e formave të rezistencës. Sipas tij: “Nuk ka marrëdhënie pushteti pa rezistenca; këto të fundit janë sa reale aq dhe efektive, sepse formohen pikërisht në pikën ku ushtrohen marrëdhëniet e pushtetit.” Rezistenca foucaultiane nuk i paraprin pushtetit që kundërshton dhe as nuk buron nga një hapësirë e jashtme ndaj tij. Përkundrazi, ajo mbështetet dhe zhvillohet brenda vetë marrëdhënieve të pushtetit, duke lindur nga kushtet kundër të cilave lufton. Ky konceptim i rezistencës si diçka e brendshme ndaj pushtetit hedh poshtë idenë utopike të një emancipimi të plotë nga pushteti. Në vend të çlirimit total, Foucault parashtron mundësinë e betejave më konkrete dhe lokale kundër formave të nënshtrimit, të cilat synojnë të zbusin kufizimet që pengojnë mundësitë e veprimit të individëve. Sipas tij, një nga sfidat kryesore të kohës sonë është kundërshtimi i prirjes së pushtetit disiplinor-normalizues për t’i lidhur individët me identitete të ngurta dhe kufizuese, duke ua kufizuar kështu mundësinë për të vepruar dhe për t’u transformuar. Foucault-ja pohon se, pikërisht për shkak se praktikat disiplinore kufizojnë mundësitë se çfarë mund të jemi duke i fiksuar identitetet tona, objekti i rezistencës duhet të jetë “të refuzojmë atë që jemi”, domethënë, të thyejmë kufizimet që na imponohen nga kategoritë normalizuese të identitetit.

Ky konceptim i rezistencës, i cili konsiston, të paktën në radhë të parë, në refuzimin e identiteteve fikse, të qëndrueshme ose të natyralizuara, është pritur me një dozë skepticizmi nga teoricienet feministe. Shumë prej tyre ngurrojnë të heqin dorë nga “ideja e një subjekti esencial dhe çlirues, të rrënjosur në përvojën e grave (ose në natyrën e tyre), si pikënisje për ndërtimin e një teorie emancipuese.”

Për Hartsock-un, perspektiva e Foucault-së e përjashton mundësinë e politikës feministe, e cila, sipas saj, është domosdoshmërisht politikë e bazuar në identitet, e mbështetur në një konceptim të identitetit, nevojave dhe interesave të grave. Disa nga përvetësimet më të rëndësishme feministe të mendimit të Foucault-së përqendrohen pikërisht te çështja e identitetit dhe rolit të tij në politikë. Judith Butler argumenton se puna e Foucault-së u ofron feministeve mjetet për të menduar përtej kufizimeve të politikës së identitetit. Sipas Butler-it, teoricienet feministe duhet të jenë të kujdesshme ndaj idesë se politika duhet domosdoshmërisht të mbështetet në një konceptim të pandryshueshëm të natyrës dhe interesave të grave. Ajo argumenton se: “Këmbëngulja e parakohshme për një subjekt të qëndrueshëm të feminizmit, të kuptuar si kategori e pandërprerë e grave, gjeneron në mënyrë të pashmangshme refuzime të shumta për ta pranuar atë kategori. Këto fusha të përjashtimit zbulojnë pasojat shtrënguese dhe rregulluese të këtij konstruktimi, edhe kur ai është zhvilluar për qëllime emancipuese.” Në të vërtetë, fragmentimi brenda vetë feminizmit, si dhe kundërshtimi paradoksal që i bëhet atij nga disa gra, të cilat feminizmi pretendon se i përfaqëson, tregojnë kufijtë e pashmangshëm të politikës së bazuar në identitet.

Butler identifikon të paktën dy probleme në përpjekjen për ta bazuar politikën mbi një identitet femëror esencial dhe të natyralizuar. Sipas saj, vendosja e kategorisë “grua” si bazë e veprimit politik përjashton, margjinalizon dhe, pashmangshmërisht, keqpërfaqëson ato që nuk e gjejnë veten brenda termeve të këtij identiteti. Për Butler-in, thirrja ndaj identitetit, nga njëra anë, shpërfill dallimet në pushtet dhe burime ndërmjet, për shembull, grave të Botës së Tretë dhe grave që jetojnë në vendet perëndimore, dhe, nga ana tjetër, priret t’i shndërrojë këto dallime në burim konflikti, në vend që t’i shohë si burim force. Për më tepër, ajo pretendon se një politikë feministe e identitetit, e cila i referohet një “subjekti feminist” të të pandryshueshëm, “presupozon, fikson dhe kufizon vetë subjektet që shpreson t’i përfaqësojë dhe t’i çlirojë.”

Në mënyrën se si Foucault e paraqet identitetin si një efekt të marrëdhënieve të pushtetit, Butler sheh mundësi të reja për praktikën politike feministe, mundësi që përjashtohen nga qasjet që e konsiderojnë identitetin si diçka të pandryshueshme ose themelore. Një nga përparësitë e veçanta të kuptimit që Foucault-ja i jep karakterit të konstituuar të identitetit është, sipas Butler-it, se ai i mundëson feminizmit t’i politizojë proceset përmes të cilave prodhohen format stereotipike të identitetit të burrave dhe të grave. Vetë puna e Butler-it përfaqëson një përpjekje për të eksploruar këto procese me synimin për të zbutur kufizimet që heteroseksualiteti normativ imponon mbi formësimin e identitetit. Në zhvillimin e këtij projekti, ajo argumenton se karakterizimi që Foucault-ja i bën identitetit si i ndërtuar nuk do të thotë se ai është plotësisht i përcaktuar ose artificial dhe arbitrar. Përkundrazi, qasja foucaultiane ndaj prodhimit të identitetit demonstron rolin që luajnë normat kulturore në rregullimin e mënyrës se si ne e mishërojmë dhe e performojmë identitetin tonë gjinor.

Sipas Butler-it, identiteti gjinor është thjesht “një tërësi aktesh të përsëritura brenda një kuadri rregullues shumë të ngurtë, të cilat, me kalimin e kohës, ngurtësohen për të prodhuar pamjen e një substance, të një forme natyrore të qenies.” Fuqia rregulluese e normave që përcaktojnë mënyrën se si ne e shprehim gjininë tonë njëkohësisht fshihet dhe forcohet nga supozimi se identitetet gjinore janë natyrore dhe esenciale. Prandaj, për Butler-in, një nga qëllimet kryesore të feminizmit duhet të jetë sfidimi i normave mbizotëruese gjinore, duke zbuluar aktet kontingjente që prodhojnë pamjen e një identiteti gjinor të “natyrshëm” e esencial.

Kundër pretendimit se politika feministe është domosdoshmërisht politikë e identitetit, Butler sugjeron se: “Nëse identitetet nuk do të ishin më të fiksuara si premisat e një silogjizmi politik dhe politika nuk do të kuptohej më si një tërësi praktikash që rrjedhin nga interesat e supozuara që u përkasin një grupi subjektesh të parapërcaktuara, një konfigurim i ri i politikës me siguri do të dilte nga rrënojat e së vjetrës.”  Butler e koncepton këtë konfigurim të ri si një politikë koalicionesh antifondacionaliste (ang. anti-foundational coalition politics), e cila do ta pranonte nevojën për të vepruar brenda tensioneve të prodhuara nga kontradikta, fragmentimi dhe diversiteti.

Ndërsa vizioni politik i Butler-it vë theksin te strategjitë për t’u rezistuar dhe për t’i sfiduar identitetet e ngurta, Wendy Brown argumenton se feminizmi bashkëkohor duhet të jetë i kujdesshëm si ndaj politikës së identitetit, ashtu edhe ndaj politikës së rezistencës që lidhet me mendimin e Foucault-së dhe Butler-it. Brown argumenton se politika e identitetit nënkupton një angazhim ndaj autenticitetit të përvojave të grave, i cili shërben për të fituar legjitimitet dhe autoritet politik. Në të njëjtën kohë, megjithatë, shumica e feministeve dëshirojnë të pranojnë se identitetet dhe përvojat e grave janë të formësuara nën kushte patriarkale. Brown sugjeron se kjo mospërputhje në mendimin politik feminist – pranimi i konstruktimit shoqëror, nga njëra anë, dhe përpjekja për të ruajtur, nga ana tjetër, një sferë të përvojës autentike të lirë nga konstruktimi – mund të shpjegohet me faktin se feministet hezitojnë të heqin dorë nga pretendimi për autoritet moral, të cilin e siguron thirrja ndaj së vërtetës dhe pafajësisë së përvojës së grave.

Duke iu referuar së vërtetës së heshtur të përvojës së grave, teoricienet kanë qenë në gjendje të dënojnë efektet shtypëse të pushtetit patriarkal. Për Brown-in, përpjekja për të vendosur autoritet moral duke pohuar të vërtetën e fshehur të përvojës dhe identitetit të grave përfaqëson një refuzim të politikës. Ajo argumenton se ky lloj qëndrimi në feminizëm: “…tradhton një parapëlqim për terma dhe praktika jashtëpolitike: për të Vërtetën (të pandryshueshme dhe të pakontestueshme) mbi politikën (rrjedhshmërinë, kundërshtimin, paqëndrueshmërinë); për sigurinë dhe garantimin (mbrojtjen, pandryshueshmërinë, privatësinë) mbi lirinë (cenueshmërinë, publicitetin); për zbulimet (shkencën) mbi vendimet (gjykimet); për subjekte të ndara, të pajisura me të drejta të vendosura, mbi pluralitete të vështira për t’u menaxhuar dhe vazhdimisht në ndryshim, të cilat vendosin për veten dhe të ardhmen e tyre duke u mbështetur në asgjë më shumë sesa në zakonet dhe argumentet e tyre.”

Brown identifikon një dështim të ngjashëm për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat përballet politika bashkëkohore edhe në “politikën e rezistencës” të frymëzuar nga Foucault-ja. Sipas saj, problemi me rezistencën si politikë është se ajo nuk “përmban një kritikë, vizion ose baza për përpjekje kolektive të organizuara për të realizuar njërën apo tjetrën… [rezistenca] nuk shkon askund në veçanti, nuk ka lidhje të qenësishme dhe nuk thërret për asnjë vizion të caktuar.” Në dritën e këtyre mangësive, Brown bën thirrje që politika e rezistencës të plotësohet me praktika politike të orientuara drejt kultivimit të “hapësirave politike për të parashtruar dhe vënë në pikëpyetje normat politike [dhe] për të diskutuar natyrën e ‘së mirës’ për gratë.”

Krijimi i hapësirave të tilla demokratike për diskutim, argumenton Brown, do të kontribuojë në mësimin se si të zhvillojmë biseda publike me njëri-tjetrin dhe do të na mundësojë të argumentojmë, nga perspektivat tona të ndryshme, për një vizion të së mirës së përbashkët (“çfarë dua për ne”), në vend që të argumentojmë nga një identitet i supozuar i përbashkët (“kush jam unë”).

Liria, pushteti dhe politika

Problemet kryesore të identifikuara nga kritiket feministe, të cilat pengojnë një afrim tepër të madh ndërmjet punës së Foucault-së dhe feminizmit – reduktimi që ai u bën agjentëve shoqërorë në trupa të bindur dhe mungesa e udhëzimit normativ në modelin e tij të pushtetit dhe rezistencës – trajtohen tërthorazi nga Foucault-ja në punën e tij të vonshme mbi etikën. Ndërsa në analizat e tij gjenealogjike të hershme Foucault theksonte proceset përmes të cilave individët i nënshtroheshin pushtetit, në shkrimet e tij të mëvonshme ai e përqendroi vëmendjen te praktikat e vetëkonstituimit ose “praktikat e lirisë”, të cilat ai i quajti etikë.

Ideja e ushtrimit të lirisë është qendrore në eksplorimin dhe analizën që Foucault-ja u bën praktikave etike të Antikitetit. Ajo i referohet mënyrave në të cilat individët në Antikitet udhëhiqeshin për të ushtruar pushtet mbi veten e tyre, në përpjekje për të ndërtuar ose transformuar identitetin dhe sjelljen e tyre në dritën e qëllimeve të caktuara. Ajo që e intereson Foucault-në te këto praktika të lashta etike dhe te ‘artet e ekzistencës’ është lloji i lirisë që ato presupozojnë Sipas tij liria që përfshihet në praktikën e vetëformësimit nuk konsiston as në rezistimin ndaj pushtetit, as në përpjekjen për ta çliruar veten nga format e rregullimit. Përkundrazi, ajo nënkupton përvetësimin aktiv dhe të vetëdijshëm të pushtetit të rregullimit nga individët, me qëllim transformimin etik dhe estetik të vetes. Duke reflektuar mbi këtë konceptim pozitiv të lirisë te Foucault, Jana Sawicki argumenton se ai ofron një alternativë më afirmuese ndaj theksit që Foucault kishte vendosur në veprat e tij të hershme mbi strategjinë reaktive të rezistencës ndaj proceseve të normalizimit.

Për Foucault-në e periudhës së vonshme, individët vazhdojnë të kuptohen si subjekte të formësuar nga përfshirja e tyre në marrëdhëniet e pushtetit, çka do të thotë se aftësitë e tyre për liri dhe veprim autonom janë domosdoshmërisht të kufizuara. Megjithatë, ai sugjeron se, duke përdorur në mënyrë aktive teknikat dhe modelet e vetëformësimit që u “propozohen, sugjerohen, imponohen” nga shoqëria, individët mund ta transformojnë veten në mënyra kreative dhe, në këtë proces, ta zëvendësojnë normalizimin që vepron përmes teknologjive moderne dhe të dëmshme të vetes. Sawicki sheh një lidhje ndërmjet nocionit të Foucault-së për praktikat e lirisë dhe thirrjes së Donna Haraway-t për një politikë të kiborgut (ang. cyborg politics), e cila vë theksin në krijimin e vetëdijshëm të subjekteve të margjinalizuara të afta për t’i rezistuar dominimit. Në një frymë më kritike, feministe si Jean Grimshaw dhe McNay argumentojnë se kthesa premtuese e Foucault-së drejt një modeli më aktiv të subjektivitetit ende lë të pazgjidhura disa çështje thelbësore.

Sipas Grimshaw-it, Foucault i shmanget pyetjes thelbësore se “kur format e vetëdisiplinimit ose të vetëmbikëqyrjes mund … të shihen si ushtrime të autonomisë ose të vetëkrijimit dhe kur ato duhet të shihen si forma disiplinimi, të cilave vetja i nënshtrohet dhe përmes të cilave autonomia kufizohet.” Në përgjigje të kësaj kritike, Moya Lloyd sugjeron se është pikërisht nocioni i mëhershëm i Foucault-së për gjenealogjinë si kritikë ai që na lejon të dallojmë ndërmjet praktikave autonome të vetes dhe teknologjive të normalizimit. Për Lloyd-in, praktika foucaultiane e kritikës – praktikë që përfshin përpjekjen për të njohur, deshifruar dhe problematizuar mënyrat në të cilat prodhohet vetja – krijon mundësi për praktika alternative të vetes dhe, rrjedhimisht, për eksperimente më autonome në vetëformësim. Lloyd shpjegon se “veprimtaria e vetëformësimit nuk është vendimtare në vetvete. Vendimtare është mënyra se si ky vetëformësim, kur lidhet me kritikën, mund të krijojë hapësira kontestimi mbi kuptimet dhe konturat e identitetit, si edhe mbi mënyrat se si mobilizohen praktika të caktuara”

Me paraqitjen e nocionit të lirisë në punën e tij të vonshme, Foucault-ja sqaron gjithashtu bazat normative të kundërshtimit të tij ndaj formave të caktuara të pushtetit. Në diskutimin e tij mbi etikën, Foucault-ja sugjeron se individët nuk kufizohen vetëm në reagimin kundër pushtetit, por mund t’i ndryshojnë marrëdhëniet e pushtetit ashtu që të zgjerojnë mundësitë e tyre për veprim. Kështu, puna e Foucault-së mbi etikën mund të lidhet me shqetësimin e tij për t’iu kundërvënë dominimit, domethënë, formave të pushtetit që kufizojnë mundësitë për zhvillimin autonom të kapaciteteve të vetes. Duke bërë dallimin se marrëdhëniet e pushtetit që janë të ndryshueshme, fleksibile dhe të kthyeshme nga situatat e dominimit, në të cilat rezistenca përjashtohet, Foucault-ja synon të inkurajojë praktika të lirisë “që do të na lejojnë t’i luajmë … lojërat e pushtetit me sa më pak dominim të jetë e mundur.” Sawicki argumenton se nocioni i Foucault-së për praktikat e lirisë ka potencialin ta zgjerojë kuptimin tonë mbi atë se çfarë do të thotë të angazhohesh në politikën emancipuese. Në konceptimin që Foucault-ja i bën lirisë si një praktikë që synon minimizimin e dominimit, Sawicki dallon një kritikë të nënkuptuar ndaj politikës tradicionale emancipuese, e cila priret ta përkufizojë lirinë si një gjendje të çliruar plotësisht nga çdo kufizim shoqëror.

Teksa ndjek Foucault-në, Sawicki argumenton se problemi me këtë nocion të emancipimit është se ai nuk shkon mjaftueshëm larg: “Përmbysja e pozicioneve të pushtetit, pa ndryshuar marrëdhëniet e pushtetit, rrallëherë është çliruese. Po ashtu, çlirimi nga dominimi nuk është kusht i mjaftueshëm për arritjen e lirisë.”

Nëse, siç sugjeron Foucault-ja, liria ekziston vetëm kur ushtrohet dhe, për rrjedhojë, është përpjekje e vazhdueshme kundër asaj që, përndryshe, do t’u bëhej individëve ose do të bëhej në emër të tyre, atëherë është e rrezikshme ta imagjinojmë atë si një gjendje që mund të garantohet nga ligjet dhe institucionet. Duke këmbëngulur se çlirimi nga dominimi nuk është i mjaftueshëm për të garantuar lirinë, Foucault-ja vë në dukje rëndësinë e krijimit të modeleve të reja të sjelljes, qëndrimeve dhe formave kulturore që synojnë fuqizimin e atyre që janë në pozitë të cenueshme dhe, në këtë mënyrë, të sigurojnë që marrëdhëniet e ndryshueshme të pushtetit të mos ngurtësohen në gjendje dominimi. Kështu, për Sawicki-n, vlera e punës së vonshme të Foucault-së për feminizmin qëndron në mjetet konceptuale që ajo ofron për të menduar përtej teorive dhe praktikave tradicionale emancipuese.

Aurelia Armstrong

E përktheu: Blenda Asllani

Lexoni artikullin origjinal këtu.