Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

“Nëna e pabindur” – drejt një vizioni feminist të amësisë

QIKA 6.4.2021

Sipas disa autorëve, përvoja e vërtetë e amësisë shpesh do të thotë që duhet të manovrosh me jetën tënde personale, me marrëdhëniet dhe punën tënde. Detyrimi për ta mbajtur këtë fakt të heshtur mund t’i bëjë gratë të ndjehen sikur po dështojnë si nëna.

“97% e përkushtuar, 3% e përqendruar tek vetja. 0 ankesa. 100% nënë”. Kjo parullë e zgjedhur nga një zinxhir i dyqaneve të mëdha për fushatë reklamuese për Ditën e Nënës, kishte ngjallur indinjatë duke bërë kështu që shumica të thërrasin për bojkot të kompanisë spanjolle përmes rrjeteve sociale.

Kjo fushatë, siç denoncuan shumë feministe në platformën Twitter, riprodhoi stereotipet e zakonshme patriarkale për amësinë, siç e përshkruan shkrimtarja dhe gazetarja katalanase Esther Vivas në librin e saj Mamá desobediente. Una Mirada feminist a la maternidad (Nëna e pabindur. Një perspektivë feministe mbi amësinë), botuar nga Captain Swing në 2019.

Vivas sfidon idealin patriarkal të nënës vetëmohuese. Ekziston një konceptim disi i romantizuar dhe i idealizuar i amësisë. “Sipas pikëpamjes tradicionale patriarkale ekzistojnë vetëm dy lloje të nënave; nëna e përkushtuar e vetëmohuese dhe nëna e keqe”, thotë autorja për një intervistë me Equal Times.

“Por përvoja e amësisë shpesh do të thotë që të duhet të manovrosh me jetën tënde personale, me marrëdhëniet dhe punën tënde. Detyrimi për ta mbajtur këtë fakt të heshtur na bën të ndihemi sikur po dështojmë si nëna. Është fakt se si nëna ne nuk bëjmë atë që duam, ne bëjmë atë që mundemi. Amësia e vërtetë do të thotë rraskapitje, kontradiktë dhe ambivalencë” thotë Vivas.

Ideja e nënës vetëmohuese është kritikuar tash e sa kohë. Regretting Motherhood nga Orna Donath (Reservoir Books, 2016) krijoi një moment historik duke diskutuar për faktin se ka gra të cilat pendohen që bëhen nëna, pavarësisht se sa shumë i duan fëmijët e tyre. Në vitin 2014, në Spanjë, Lura Baena hapi Club de Malas Mades (Klubi i nënave të këqija), i cili tani ka mbi 55,000 ndjekës në Twitter. Prishja e këtij ideali të pamundur ndihmon gratë të cilat duhet të manovrojnë çdo ditë me punën, amësinë dhe të gjitha aspektet e tjera të jetës së tyre në mes të kompromisit dhe negociatave të cilat asnjëherë nuk të shpien në zgjidhjen ideale.

Është e vërtetë që amësia është një nga instrumentet kryesore që përdoret tradicionalisht për të dominuar dhe zbutur gratë, e cila deri diku shpjegon “refuzimin që i bëhet nga disa qarqe feministe, ku ekziston një aspekt biosocial i të qenit nënë, dhe feminizmi nuk përkrah  atë komponent biologjik” thotë Vivas. “Një diskurs anti-amësi dhe anti-riprodhim u shfaq gjatë valës së dytë të feminizmit, në vitet 1970. Por, tani është një brez i ri, ky i imi, që nuk është përballur me amësinë si rruga e vetme e mundshme dhe që ka një pikëpamje më pak paragjykuese” shton ajo. Autorë të tjerë të tillë si avokatja dhe shkrimtarja Mara Basquets flasin me rezerva për ‘maternofobinë’ brenda lëvizjes feministe, duke e lidhur atë me mungesën e vëmendjes që feminizmi i jep çështjes së dhunës obstetrike.

Kujdesi kolektiv

Verónica Gago, nënë, akademike dhe aktiviste brenda lëvizjes “Ni Una Menos” përmbledhë dilemën e saj kështu: “Asnjë grua nuk mund t’ia dalë vetëm, do të ishte e mjaftueshme për të çmendur këdo, sepse presioni për të qenë një nënë vetëmohuese shoqërohet me shkatërrimin e mjediseve publike të kujdesit për fëmijët dhe me strukturat e familjes të ndryshuara rrënjësisht”. Sipas Gago-s sfida për lëvizjen feministe qëndron në “të menduarit për amësinë nga një perspektivë e ndërvarësisë dhe bashkësisë, pasi që përkujdesja nuk mund të bëhet vetëm apo përmes parave.” Me fjalë të tjera, në vend që secila grua të detyrohet të gjejë zgjidhje brenda shtëpisë së vet, duke paguar kështu një grua tjetër për të kryer detyrat të cilat ajo nuk mund ti përballojë vet, ne duhet të kërkojmë zgjidhje kolektive.

“De-individualizimi i amësisë” siç pohon Vivas, do të thotë që nuk duhet të pritet nga nënat që të marrin përsipër tërë përgjegjësinë, pra kujdesi për fëmijët duhet të kolektivizohet dhe burrat duhet të jenë më të përfshirë”. Edhe pse gjërat kanë ndryshuar thellësisht gjatë viteve të fundit, sipas shifrave për vitin 2018 nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) gratë në vende si Spanja i kushtojnë 68% të kohës së tyre punës së kujdesit të papaguar. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave dhe Regjistrimeve (INEC), në rastin e Argjentinës gruaja i kushton dy herë më shumë kohë punës së papaguar në shtëpi në krahasim me burrat.

Shifrat ndryshojnë varësisht nga vendi, por gratë padyshim i kushtojnë më shumë kohë punës kujdestare, duke përfshirë përkujdesjen për fëmijët e tyre.

Polemika rreth pushimit të atësisë

Çfarë mund të bëhet për të përfshirë më shumë burrat në rritjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve? Në Evropë pushimi i atësisë është zgjatur në vitet e fundit, pika kulminante është Suedia, ku nënat dhe baballarët kanë të drejtë për 480 ditë pushimi mes tyre. Në Spanjë plani për pushimin e atësisë është që ai të rritet në mënyrë progresive, tashmë ka kaluar nga dy në pesë javë derisa të arrijë gjashtëmbëdhjetë javët në dispozicion të grave dhe ta bëjë pushimin jo të transferueshëm dhe të barabartë. 

Sidoqoftë, koha e pushimit të lehonisë nuk ka ndryshuar që nga vitet 1980 dhe nuk është kohë e mjaftueshme për gratë që të ushqejnë fëmijët e tyre me gji për të paktën gjashtë muajt e parë, siç rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Kjo është arsyeja pse shumica në lëvizjen feministe argumentojnë se duhet ti japim përparësi zgjatjes së pushimit për nënat, sesa për burrat, pasi që nevoja e një foshnje katër muajshe nuk është e njëjtë për të dy prindërit.

“Pushimi i barabartë dhe i pa transferueshëm i lehonisë dhe atësisë është propozuar si një mënyrë për të adresuar pabarazinë gjinore në tregun e punës, por e gjithë premisa prapa këtij propozimi është e gabuar. Nëna ende shihet si problemi, kur në të vërtetë problemi është bota e punës e cila nuk përputhet me premisat e jetës dhe kujdesit”, thotë Vivas.

Masat problematizojnë çështje të tjera, siç thekson Vivas ato bazohen në stereoptipin e familjes heteroseksuale dhe poashtu dështojnë për të marrë në konsideratë familjet me një prind, 85% e të cilave drejtohen nga gratë. Autorja argumenton se kjo shoqëri nuk do të bëjë asgjë për të adresuar pabarazitë në tregun e punës të cilat shkojnë përtej pushimit të lehonisë. Në fakt përgjegjësia e përbashkët për kujdesin nuk mund të sigurohet vetëm nga ligjet, madje as në vendet nordike. “Shumë prej grave me të cilat kam biseduar në vendet skandinave janë të bezdisura sepse burrat marrin pushimin prindëror, mirëpo nuk marrin përsipër përgjegjësitë e prindërimit dhe kujdesit”, shpjegon autorja dhe feministja italiane Silvia Federici, gjatë një konference shtypi në Buenos Aires në fund të vitit 2018.

“Rreziku është që duke pasur një qasje abstrakte ndaj barazisë, ne përsëri do të përfundojmë duke penalizuar gratë dhe duke e bërë punën e tyre të padukshme”, shtoi ajo. Kjo do të thotë që burrat dhe gratë nuk janë të barabartë kur bëhet fjalë për lehoninë; disa trupa janë në gjendje të mbajnë një fëmijë dhe ta ushqejnë me gji dhe disa trupa të tjerë nuk janë. Për aktivisten italiane Federici, feminizmi nuk duhet ta refuzojë këtë fakt, por ta vlerësojë punën që bëjnë gratë dhe që patriarkati kapitalist e bën të padukshme. “Për arsyen se kjo shoqëri nuk është e qëndrueshme, është në gjendje që ta mbajë veten vetëm përmes plaçkitjes dhe dhunës”, prandaj kjo është arsyeja pse feminizmi duhet të jetë anti-kapitalist sipas saj.

“Është shoqëria ajo e cila duhet ti përshtatet gjidhënies dhe jo e kundërta”, thotë Vivas në librin e saj. Njëlloj, shoqëria duhet të përshtatet me faktin se qeniet njerëzore kanë nevojë për kujdes kur janë fëmijë, të moshuar apo të sëmurë, në vend që ne ti kushtojmë rëndësi ngurtësisë dhe autoritetit të tregut të punës. “Një amësi ndryshe, kërkon një shoqëri ndryshe”.

Nazaret Castro

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: <a href=”https://www.equaltimes.org/the-rise-of-the-disobedient-mother?fbclid=IëAR2pR76OH6HV24H34UlexGxDDYg4spvBZ2o4K9zM-8gjLQ1H0LvrFEzcuEë&lang=en#.X6JuiohKjIX” target=”_blank” rel=”noreferrer noopener”>https://www.equaltimes.org/the-rise-of-the-disobedient-mother?fbclid=IëAR2pR76OH6HV24H34UlexGxDDYg4spvBZ2o4K9zM-8gjLQ1H0LvrFEzcuEë&lang=en#.X6JuiohKjIX</a>