Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Një luftë e harruar që po shkatërron jetën e grave

QIKA 14.8.2026

Enat ishte në shtëpi me mbesën e saj 8 vjeçare kur ushtarët erdhën një të dielë në mëngjes, tregon ajo.

Më 5 janar të këtij viti, ushtria etiopiane po kryente kontrolle nëpër shtëpitë e rajonit Amhara, si pjesë e një goditjeje ndaj një kryengritje në rritje të nisur nga milicitë lokale të njohura si Fano.

Enat thotë se tre burra, të veshur me uniformë ushtarake, hynë në shtëpinë e saj në Gondarin e jugut dhe nisën t’i bënin pyetje për prejardhjen e familjes së saj dhe nëse luftëtarët e Fano-s kishin vizituar lokalin ku ajo punonte.

Enat, 21 vjeçe, tha se ata kishin qenë atje.

“Si mund të gënjenim? Si ta fshehnim të vërtetën?” thotë Enat, duke vënë në dukje se Fano, një fjalë amharike, gjuha zyrtare e Etiopisë, që përkthehet si luftëtarë vullnetarë, përbëhet nga vendas.

Gjërat përshkallëzuan shpejt.

Pas pyetjeve rreth prejardhjes së saj familjare, Enat thotë se ushtarët filluan ta ofendonin, pastaj e kërcënuan mbesën e saj me armë kur ajo filloi të qante.

Enat thotë se njëri nga ushtarët më pas e përdhunoi atë para mbesës së saj, ndërsa të tjerët rrinin rojë.

“Iu luta që të mos më lëndonin. U luta dhe i përgjërova. Por ata nuk ndjenë keqardhje. Më dhunuan”.

Mijëra raporte për përdhunim dhe sulme

Enat, e cila i përket grupit etnik Amhara, grupi i dytë më i madh në Etiopi, është njëra nga mijëra gra që besohet se janë dhunuar dhe përdhunuar që nga fillimi i konfliktit midis ushtrisë etiopiane dhe Fano-s në gusht 2023.

Dhuna seksuale në rajon është kryesisht e padokumentuar, por BBC ka mbledhur të dhëna që tregojnë se ka pasur mijëra raporte për përdhunime nga korriku 2023 deri në maj 2025, me viktima që variojnë nga 8 deri në 65 vjeç.

Kufizimet kanë penguar median e pavarur të hyjë në Amhara për të mbuluar konfliktin, megjithatë, ekipi i BBC në Nairobi, ka arritur të flasë me gra dhe mjekë në rajon, duke ofruar një pasqyrë të rrallë të ndikimit njerëzor në krizë.

Konflikti filloi kur qeveria u përpoq të shpërbënte grupet ushtarake rajonale, përfshirë ato në Amhara, të cilat kishin luftuar krah ushtrisë gjatë luftës civile 2020-2022 në rajonin fqinj të Tigray.

Milicitë Fano u ndjenë të tradhtuar nga ky hap dhe besonin se kjo do t’i linte të pambrojtur ndaj sulmeve nga Tigray dhe në vende të tjera, sidomos pasi dhuna ndaj komunitetit Amhara ishte duke u rritur.

Si përgjigje, Fano nisi një kryengritje, duke marrë nën kontroll qytete të mëdha. Ata pretendojnë se po luftojnë për autonomi rajonale dhe për mbrojtjen e komuniteteve të tyre nga margjinalizimi nga qeveria etiopiane.

Kryengritja ka sjellë një goditje të dhunshme nga ushtria, “etno-nacionalistë radikalë” i quan Fano.

Që nga fillimi i konfliktit, të dyja palët janë akuzuar për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut, përfshirë vrasje pa gjyq, ndalime arbitrare, zhvendosje të detyruar, shkatërrim prone, plaçkitje dhe raste të përhapura të dhunës seksuale, përfshirë këtu përdhunime.

Grupet e të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International, thonë se ka prova se ushtria është përgjegjëse në mënyrë disproporcionale për këto shkelje. Ata gjithashtu thonë se populli Amhara në pjesë të tjera të Etiopisë janë shënjestruar qëllimisht nga forcat e sigurisë dhe grupe të tjera të armatosura.

Para se të sulmohej, Enat nuk kishte kryer kurrë marrëdhënie seksuale dhe planifikonte që një ditë të martohej në kishën e saj lokale në një ceremoni të zhvilluar sipas riteve të Kishës Ortodokse Etiopiane, ashtu siç kishin bërë gratë e tjera në familjen e saj.

Martesa të tilla janë ndër traditat më të respektuara të popullit Amhara, të cilët janë kryesisht ortodoksë, por kërkohet që çiftet të mbeten “të pastër” dhe të mos kenë asnjë kontakt seksual deri në martesë.

“Para asaj dite, nuk kisha njohur kurrë një burrë. Do të kishte qenë më mirë sikur të më kishin vrarë”, thotë Enat.

“Familja më gjeti pa ndjenja”

Tigist, 18 vjeçe, jeton në pjesën perëndimore të Gojjam, po ashtu në rajonin Amhara, punonte në shtëpinë e vogël tradicionale të çajit të familjes së saj para se të sulmohej.

Ajo përshkruan se si, në janar 2024, një ushtar që ishte klient i rregullt e preku në mënyrë të pahijshme. Ajo thotë se e refuzoi dhe ajo beson se ky veprim e çoi në sulmin ndaj saj.

Më vonë atë mbrëmje, gjatë kthimit në shtëpi nga puna, tre ushtarë, përfshirë burrin që e kishte prekur, e ndalën në rrugë dhe e përdhunuan në grup.

“Familja më gjeti pa ndjenja në anë të rrugës”, kujton ajo. “Më dërguan në spital, ku kalova pesë ditë”.

Që nga sulmi, Tigist thotë se nuk ka qenë në gjendje të dalë nga shtëpia, e paralizuar nga frika ndaj burrave dhe botës së jashtme.

“Frika më pengon të shkoj në punë. Sa herë që shoh ushtarë ose ndonjë burrë tjetër, panikoj dhe fshihem”.

Ajo përfundoi duke u tërhequr nga jeta e saj dhe ndërpreu fejesën. Thotë se kurrë nuk i tregoi të fejuarit pse apo çfarë kishte ndodhur.

E mbingarkuar nga dëshpërimi, Tigist tentoi t’i jepte fund jetës, por familja ndërhyri me kohë dhe e shpëtoi. Ajo thotë se edhe pse mendon shpesh për vetëvrasje, u ka premtuar të afërmve se nuk do të përpiqet më.

“Është neveritëse të jesh grua”

BBC mblodhi të dhëna nga 43 institucione shëndetësore në Amhara, rreth 4% e të gjitha institucioneve shëndetësore në rajon, dhe nga burime të tjera mjekësore për të krijuar një panoramë të asaj që po ndodh.

Në këto institucione, ka pasur 2,697 raporte për përdhunim mes korrikut 2023 dhe majit 2025. Fëmijët nën 18 vjeç përbëjnë 45% të këtyre rasteve.

Më shumë se gjysma e viktimave rezultuan pozitive për infeksione seksualisht të transmetueshme (IST), ndërsa gjithashtu shumë prej tyre mbetën shtatzëna dhe me trauma të rënda psikologjike.

Megjithatë, shumë viktima të dhunës seksuale nuk raportojnë kurrë krimin ose nuk kërkojnë trajtim, nga frika e stigmës ose e zbulimit se mund të kenë marrë IST ose të jenë shtatzëna.

Për këtë arsye, një ekspert i lartë shëndetësor, i cili foli për BBC-në në kushte anonimiteti për shkak të shqetësimeve për sigurinë, thotë se viktimat që shkojnë në institucionet shëndetësore në rajonin Amhara janë vetëm “maja e ajsbergut”.

Lemlem është ndër ato vazja që nuk e ka raportuar kurrë përdhunimin ose nuk ka kërkuar trajtim mjekësor, nga frika se mos e zbulon se ka IST, si HIV.

23 vjeçarja nga Gondari i jugut thotë se ushtarë të qeverisë hynë në shtëpinë e saj më 6 janar për të kërkuar informacione, një praktikë rutinë e ushtrisë.

Ajo thotë se kur nuk u dha atë që kërkonin, njëri prej ushtarëve e përdhunoi.

“Ai më kërcënoi duke më thënë: ‘Nëse bërtet, një plumb mjafton për ty’”, thotë Lemlem.

“Qava pa pushim për një muaj të tërë. Nuk mund të haja. Gjithçka që bëja që qaja. Nuk mund të rrija në këmbë. Dhe u sëmura shumë keq”.

Ajo thotë se sulmi e ka larguar nga kisha, ku ka frikë se mund të jetë subjekt thashethemesh.

“Është neveritëse të jesh grua. Po të isha burrë, ndoshta do të më kishin rrahur dhe do të kishin ikur, nuk do ta kishin shkatërruar jetën time kështu”, thotë Lemlem, duke shpjeguar se si trauma e sulmit e ka bërë të ndihet për gjininë e saj.

Në qershor 2024, zyra e komisionerit të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut raportoi se Forcat Kombëtare të Mbrojtjes së Etiopisë, të cilat përfshijnë ushtrinë, kishin kryer dhunë seksuale, përfshirë atë ndaj të miturve, në rajonin Amhara gjatë konfliktit me milicinë Fano.

BBC i kërkoi ministrisë së mbrojtjes së Etiopisë të përgjigjej ndaj akuzave, por megjithëse kanë kaluar muaj pritjeje, nuk kemi marrë përgjigje.

Kërkesat e përsëritura të BBC-së për informacion të detajuar nga autoritetet rajonale gjithashtu nuk patën sukses.

Një udhëheqës i Fano-s, Asres Mare Damtie, i tha BBC-së se grupi nuk ishte në dijeni të ndonjë përfshirjeje të luftëtarëve të tij, duke thënë se nuk ishte bërë asnjë akuzë ndaj tyre dhe se ata zbatojnë ndëshkime të rënda për shkelësit, përfshirë edhe dënimin me vdekje.

BBC ka mësuar se një hetim i porositur nga qeveria dhe i udhëhequr nga Universiteti Bahir Dar i Etiopisë lidhur me dhunën seksuale të lidhur me konfliktin kundër grave në Amhara ka filluar, me gjetjet që pritet të publikohen në muajt e ardhshëm.

Në vitin 2021, kur ushtria dhe aleatët e saj, të cilët në atë kohë përfshinin edhe Fano-n, u përballën me akuza të ngjashme për sjelljen e tyre gjatë konfliktit në Tigray, qeveria e dënoi përdorimin e përdhunimit, por i hodhi poshtë pretendimet si “të njëanshme dhe të pavlefshme”.

Deri më sot, asnjë veprim zyrtar nuk është bërë publik kundër autorëve të këtyre krimeve.

Amnesty International ka ngritur shqetësime mbi atë që beson se është një model i vazhdueshëm pandëshkueshmërie në ushtrinë etiopiane. “Nuk ka asnjë përpjekje domethënëse për t’i sjellë ata para drejtësisë”, thotë studiuesja rajonale e organizatës, Haimanot Ashenafi.

“Ata ende po luftojnë, ende janë të lirë pa asnjë pasojë për atë që kanë bërë. Të mbijetuarit që kanë kaluar përjetime dhe që iu ka ndryshuar jeta meritojnë drejtësi.”

Për Enat, pasojat e sulmit kanë qenë të mëdha. Një muaj pas sulmit, ajo iku nga fshati i saj për t’i shpëtuar traumës së përjetuar. Ishte atëherë kur mësoi se ishte shtatzënë si rezultat i përdhunimit.

“Fillova të vjell”, kujton ajo.

Mendoi të bënte abort, i cili lejohet ligjërisht në Etiopi deri në javën e 12-të të shtatzënisë nëse gruaja është përdhunuar, por ajo kishte frikë.

“I kisha frikë zotit, dhe mendoja për nënën time. Ç’do të bëhej me të nëse unë vdisja gjatë abortit”?

Ajo solli në jetë një vajzë në fillim të shtatorit, pas tre ditësh dhimbjesh lindjeje.

Pavarësisht asaj që i ndodhi, Enat e konsideron foshnjën një “dhuratë nga zoti”.

Por aktualisht ajo jeton me një të afërm dhe nuk është në gjendje të punojë sepse duhet të kujdeset për vajzën e saj. Ajo shqetësohet për të ardhmen dhe se si do të mund të sigurojë për fëmijën e saj dhe veten.

“Nëse kjo konsiderohet jetë, atëherë po, unë po jetoj”, shton ajo.

BBC World Service

Përktheu: Anita Vllahiu

Shkrimin origjinal e gjeni këtu