Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Nuk ka storje tipike të abortit

QIKA 31.1.2023

Kur flasim se kush aborton dhe pse – nëse veç diskutojmë këtë – shpërfaqja e realitetit shpesh nuk është qëllimi. Për shkak se aborti është shumë i ngarkuar politikisht dhe i stigmatizuar, bisedat rreth tij priren të jenë më shumë simbolike sesa faktike, tha sociologia Tricia C. Bruce. Kjo është veçanërisht e vërtetë për ata pa përvojë personale me abortin, të cilët mbështeten në vlerat e tyre personale, paragjykimet dhe ekspozimin nga mediat për të formuar një opinion.

Shkurtimisht, “ne përdorim abortin si një përfaqësues për gjërat që janë të rëndësishme për ne,” tha Bruce, e cila shkroi librin “Studimi Kombëtar mbi Qëndrimet e Abortit”. Për ata që mbështesin abortin, këto vlera mund të përfshijnë gjëra të tilla si shëndeti i nënës gjatë shtatzënisë dhe varfëria. Për ata që kundërshtojnë, procedura mund të jetë një shkelje morale ose fetare.

“Problemi është se vlera simbolike, kur bëhet fjalë për ligjshmërinë, ka pasoja në jetën reale në mënyra që unë mendoj se janë të paparashikuara, të papritura dhe ndoshta edhe kontradiktore me vlerat më të mira që dikush po përpiqet të mbajë”, vazhdoi Bruce. Këto pasoja përfshijnë humbjen e qasjes ndaj mjekimeve; mohimin e kujdesit gjatw shtatzënisë; dhe rritjen e ndjekjes penale ndaj grave që abortojnë. Ata që kundërshtojnë abortin thonë se procedura është fundi i një jete të palindur.

Për të trajtuar këtë boshllëk perceptimi, ne përshkruam katër rrëfime reale të abortit në formë të librave komik. Ne intervistuam çdo person mbi përvojat e tyre, më pas i kthyem bisedat tona në një skenar dhe tabelë tregimesh për një seri të librave komik. Ne inkurajuam çdo burim të gërmonte në kompleksitetet, kontradiktat dhe nuancat që shpesh anashkalohen në narrativat e politizuara të abortit.

Këto janë një përkujtesë se aborti, aq sa ekziston në imagjinatën tonë kolektive politike, është një procedurë e vërtetë mjekësore që u ndodh njerëzve të vërtetë çdo ditë.

“Dhe ata njerëz nuk janë të huaj. Ata nuk janë të tjerët. Ata janë, në fakt, vetë ne”, tha Bruce.

Alyn Perez, 24 vjeç, Pittsburgh

Në ditët e para pasi Alyn Perez zbuloi se ishte shtatzënë, ajo imagjinoi veten duke rritur një fëmijë, duke qenë një nënë siç kishte dashur gjithmonë. Por ajo mendoi edhe për pagesat e saj të makinës, për paqëndrueshmërinë e marrëdhënies me të dashurin dhe mbi të gjitha për largimin që e ndjente nga familja. Zgjedhja e saj për të kryer një abort ishte e ndërlikuar, jo sepse ajo nuk ishte dakord me abortin moralisht, por sepse nuk ishte koha e duhur për të pasur një fëmijë – pavarësisht se sa shumë do të donte ajo.

Evelyn Greene, 25 vjeç, Nashville

Si një grua me ngjyrë që kërkon kujdes për abortin, Evelyn Greene u befasua se sa e këndshme ishte përvoja e saj: Udhëtimi për në Carafem ishte i shkurtër nga qyteti i saj Murfreesboro, Tenn. Askush nuk bëri pyetje. Stafi e dërgoi në shtëpi me një paketë kujdesi – një gjest mirësie që ende e bën atë të përlotet pas një shtatzënie të mbushur me dhimbje shkatërruese dhe periudha depresioni. Por me 25 gusht, pasi ndalimi total i abortit nga shteti hyri në fuqi, klinika ndaloi të gjitha abortet. Ishte e fundit në shtet që e kreu këtë procedurë.                                                                                                                                         

Toni McFadden, 42 vjeç, Hamburg, Pa.

Kur Toni McFadden zbuloi se ishte shtatzënë, ajo ndjeu sikur jeta e saj kishte mbaruar. Në fakt, vendimi i saj për të kryer abort – trauma mjekësore dhe izolimi emocional që ajo përjetoi më pas – do të bëhej një incident nxitës që ndryshoi trajektoren e jetës së saj. Miqtë e saj nga kisha u bënë i vetmi ngushëllim që gjeti. Të folurit dhe të shkruarit kundër abortit dhe për besimin e saj, u bë qëllimi i jetës së saj.

Tricia McCann, 30 vjeç, Chicago

Të kryerit një abort ishte një zgjedhje e lehtë për Tricia McCann. Por procesi ishte ende emocionalisht i padurueshëm për shkak të një mjeku mizor dhe një seri pengesash të krijuara për të dekurajuar procedurën. Menjëherë pas kësaj, ata/ato zgjodhën të transferoheshin në Çikago – pjesërisht sepse Illinois ka të ngjarë të mbrojë qasjen e sigurt dhe ligjore ndaj abortit për të ardhmen e parashikueshme. Sot, nuk ka asnjë klinike që ofron kryerje të abortit në qytetin e tyre, South Bend, Ind.

Hannah Good

E përktheu: Adrian Vishaj

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.washingtonpost.com/health/interactive/2022/abortion-comics/?fbclid=IwAR3u8fiOrUxfK6hWnyFqLh2zPbvL8EmRuFh1kZmVUufTMlWWSb2YpUgqWbY